Apeli lë në fuqi vendimin për Shpëtim Zizën
Shpëtim Ziza, 19 vjeçari që një vit më parë përdhunoi dhe më pas vrau komshiun e tij të mitur në qytetin e Peshkopisë, do të vuaj dënimin me burg të përjetshëm, sipas një vendimi të dhënë sot nga Gjykata e Apelit në Tiranë, që la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit të Dibrës. Gjatë kësaj seance, i pandehuri Ziza mohoi akuzën, përkundër deklarimeve të tij të mëparëshme para grupit hetimor ku ai kishte pranuar autorësinë në përdhunimin dhe vrasjen e komshiut të tij 10 vjeçar Bekim Cenga. Ndërsa, përfaqësuesi i mbrojtjes ligjore, duke pretenduar për parregullsi në hetimin e çështjes, kërkoi kthimin e saj për rishqyrtim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Por, këto pretendime u hodhën poshtë nga përfaqësuesi i prokurorisë së Apelit në Tiranë, i cili, mbështetur në materialet hetimore dhe provat e mbledhura, e akuzoi 19 vjeçarin si autor të këtij krimi të rëndë. Prokurori deklaroi se i pandehuri Ziza ka qenë i përgjegjshëm për krimin që akuzohet, ndërsa e cilësoi ngjarjen makabër. 19 vjeçari Shpëtim Ziza është gjetur fajtor për vrasjen e të 10 vjeçarit Bekim Cenga, në 23 tetor të vitit 2007. Sipas të dhënave hetimore, Ziza, duke e mashtruar 10 vjeçarin e ka larguar nga banesa dhe pranë një përroi e ka përdhunuar, për ta mbytur me pas me lidhësen e këpucëve. Trupi i pajetë i fëmijës u gjet pak ditë pas ngjarjes në fshatin Tomin të rrethit të Dibrës.