Apeli rikthen në detyrë Krenar Ahmetin
Gjykata e Apelit rrëzon si të paprovuar vendimin e pezullimit nga detyra të kreut të policisë rrugore
TIRANË- Gjykata e Apelit në Tiranë rikthen në krye të policisë rrugore Krenar Ahmetin. Mesditën e djeshme, Apeli ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për pezullimin nga detyra të shefit të Qarkullimit Rrugor të kryeqytetit,Krenar Ahmeti, ndaj të cilit po zhvillohen hetime nga organi i akuzës për “kryerje të veprimeve arbitrare”. Treshja gjykuese e kësaj gjykate, e kryesuar nga Artur Kalaja, njëkohësisht kryetar i Unionit të Pavarur të Gjyqtarëve mori në shqyrtim ankimimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krenar Ahmetin. Sipas burimeve zyrtare pranë këtij institucioni, mësohet se pas relatimit të gjyqtarit Kalaja mbi masën e caktuar dy javë më parë, gjykata i dha fjalën avokatit mbrojtës të të pandehurit Ahmeti, i cili i kërkoi gjykatës të shfuqizojë vendimin e Shkallës së Parë. Nuk ishte në një mendje prokurori i çështjes, i cili kërkoi nga gjykata të lërë në fuqi këtë vendim, pasi sipas tij, me detyrën që ka, Ahmeti mund të ndikojë në hetimin e mëtejshëm të çështjes. Përkundër këtyre pretendimeve të akuzës, treshja gjykuese vendosi të pranojë kërkesën e mbrojtësit ligjor dhe vetë të pandehurit Ahmeti që të shfuqizohet vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë. “Vendimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës është i pabazuar në ligj. Ka mungesë provash për të bindur gjykatën në vendosjen e masës shtrënguese të pezullimit nga detyra”,-ka pohuar dje kryetari i trupit gjykues në Apel, Artur Kalaja. Me vendimin e djeshëm, togat e zeza i dhanë dritën jeshile ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, të rikthejë në detyrë shefin e qarkullimit rrugor të Tiranës, Krenar Ahmetin. Ndërkaq, prokuroria e Tiranës po vazhdon hetimet në lidhje me akuzat e ngritura kundër tij si dhe mbi pretendimet e Krenar Ahmetit, për konfliktin me një prokurore dhe bashkëshortin e saj. Dy javë më parë, me kërkesë të organit të akuzës, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën shtrënguese “pezullimin nga detyra” të shefit të qarkullimit rrugor, Krenar Ahmeti, pasi ndaj tij ishin depozituar dy kallëzime penale, mes të së cilave edhe ai i prokurores së Krimeve të Rënda, Elisabeta Ymeraj. Nga ana e tij, kreu i policisë rrugore në kryeqytet ka pohuar se ka zbatuar vetëm ligjin, në shoqërimin e prokurores dhe bashkëshortit të saj në polici.