E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, bashkëpunëtorët anglezë fundosin David Braun

 

Dëshmitë nga Britania: Kreu i qendrës flinte me fëmijë 6-vjeçarë. Kemi parë abuzime të tmerrshme në qendër  

TIRANË- Punonjësit anglezë të qendrës bamirëse “Fëmijët e tij” fundosin ish-drejtuesin e kësaj qendre, David Braun. Mesditën e djeshme, me kërkesë të prokurorit të çështjes Kol Hysenaj, togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë administruan në fashikullin e gjykimit letër-porosinë e ardhur nga Anglia me gjashtë dëshmitë e ish-punonjësve anglezë, që kanë punuar në kohë të ndryshme pranë qendrës “Fëmijët e tij” në Tiranë. Ndërkohë, para administrimit të tyre prokurori me kërkesë të gjykatës lexoi pjesë nga këto dëshmi, ku rrëfehen abuzimet e kryera nga i pandehuri David Braun dhe dy bashkë të pandehurit e tjerë, Kristodulu dhe Arnold. Sipas dëshmisë së tyre, i pandehuri Braun flinte në një krevat bashkë me një fëmijë të moshës 6- vjeçare dhe në krevatin tjetër, po në atë dhomë, flinte edhe një fëmijë tjetër i moshës 7- vjeç.

***

“Kam shkuar në Shqipëri si vullnetar për të ndihmuar fëmijët në qendrën bamirëse “Fëmijët e Mi”. Aty kam gjetur 15 fëmijë, në qendrën që drejtohej nga David Braun. Kam vërejtur se aty merrnin fëmijë nga rruga që lypnin dhe i krijonin kushte në atë shtëpi, por këto bëheshin kundër të gjitha rregullave dhe procedurave që ndiqte shtëpia. Aty kam dëgjuar se fëmijët e thërrisnin David Braunin baba. Në dhomën e tij kishte një krevat dysh dhe një tek. Në krevatin dyshe flinte Davidi me një fëmijë të moshës 6- vjeçare ndërsa në dhomë kishte edhe një fëmijë tjetër, që flinte në krevatin tjetër dhe që ishte i moshës 7 vjeç”,-mësohet të ketë thënë dëshmitarja Nathanali Luis Devi, në dëshminë e dhënë para hetuesve anglezë, duke vazhduar me tregimin e skenave të tmerrshme që kryente David Braun me fëmijët. Edhe dëshmia e Suzanë Pikap ishte rrëqethëse që tronditi edhe gjykatën. “Në shtëpinë bamirëse, kur shkova gjeta rreth 30 -35 fëmijë, që flinin në një dhomë vajza e djem të moshave të ndryshme, mes të cilëve edhe James Arnold. Në momente të ndryshme, e kam parë atë duke abuzuar me fëmijët. Gjithashtu, edhe David Braun flinte me fëmijë në krevat dhe shumë herë ia kemi tërhequr vëmendjen për këtë, por që nuk ndryshoi asgjë tek ai dhe u detyruam të largoheshim”,-thuhej në dëshminë e ardhur me letër-porosi.

***

Sipas këtyre dëshmive, brenda qendrës kishte abuzime nga më të ndryshme nga të pandehurit ndaj fëmijëve. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme me kërkesë të akuzës, erdhi për të dëshmuar edhe një fëmijë dhe prindërit e tij, të cilët për shkak të mungesës së përgatitjes së prokurorit u detyruan të kthehen për t’u pyetur javën e ardhshme. Ishte hera e parë pas dy viteve që një fëmijë i vogël përballej sy me sy me të pandehurin David Braun, ku ky i fundit u mundua t’i qeshë fëmijës, por ai mbeti i stepur dhe u detyrua të kthehej mbrapsht. Gjatë seancës së djeshme, gjykata i tërhoqi vëmendjen avokates mbrojtëse, për publikimin e disa emrave të fëmijëve në media, duke lajmëruar për këtë Dhomën e Avokatisë dhe ministrin e Drejtësisë për masat e mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›