Apeli shfuqizon hetimet e tejzgjatura të Prokurorisë

Akuza merr goditjen e radhës për dosjen e rrugës “Durrës – Kukës”
TIRANE - Gjykata e Apelit në Tiranë, i ka dhënë dje goditjen e radhës Prokuroisë së përgjithshme, ndërsa la dje lënë në fuqi vendimin e datës 18 nëntor për pushimin e hetimeve për dosjen Durrës-Kukës.
Procesi për këtë çështje nisi pak kohë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, kur dy ish -funksionarët e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Armand Teliti dhe Andi Toma, të marrë nën hetim për çështjen e rrugës "Durrës Kukës", nëpërmjet një kërkesë- padie kundërshtuan si të pabazë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të zgjatur me një muaj tjetër hetimin e saj.
Pas shqyrtimit të kërkesë padisë, Gjykata e Shkallës së Parë i dha të drejtë dy ish- funksionarëve të ministrisë së Punëve Publike, duke urdhëruar Prokurorinë të ndërpresë hetimet. Nisur nga kjo, Prokuroria bëri ankimim në Gjykatën e Apelit, e cila, ashtu si dhe Gjykata e Shkallës së Parë, rrëzoi kërkesën e saj.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Dalip Bushi rrëzoi kërkesën e prokurorëve Arben Kraja dhe Luan Kaloçi për shpalljen e moskompetencës lëndore.
Pas tre orë gjykimi, gjyqtari Dalip Bushi rrëzoi për herë të tretë prokurorinë, ashtu siç bënë para tij edhe gjykatësit Sokol Tona dhe Fatmira Hajdari.
Gjykata e Apelit i ka dhënë kështu një formë të prerë vendimit të Shkallës së Parë të marrë nga gjyqtari Sokol Tona.
Sipas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit, provat e akuzës pas datës 6 nëntor janë konsideruar të pavlefshme.
Madje prokurorëve gjykata iu ka kërkuar përse kanë mbajtur dosjen nëpër duar dhe nuk e kanë shpënë për gjykim pas pushimit të hetimeve.
Armand Teliti dhe Andi Toma u ankuan për zgjatjen e afateve hetimore nga 6 nëntori në 6 dhjetor dhe kërkesa e tyre u pranua nga Sokol Tona.
Ndërkaq edhe gjykatësja Fatmira Hajdari pranoi kërkesën e ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, për pavlefshmëri të fletëthirrjes, pavarësisht se gjatë gjithë kësaj kohë prokuroria këmbënguli se është kompetencë e Gjykatës së Lartë.
Pas mbarimit të procesit gjyqësor Armand Teliti deklaroi se gjykata ka marrë një vendim të duhur, kurse avokati i tij dhe i të pandehurit Andi Toma ka sqaruar se ky proces është i fituar prej tyre vetëm në rrugë ligjore.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme, pas afro 17 muaj hetimesh e ka dërguar çështjen për rrugën "Durrës- Kukës" për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Prokuroria akuzon për abuzime me detyrën gjatë ndërtimit të kësaj rruge ish- ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme dhe ish- drejtorin juridik në këtë ministri, Andi Toma, ndërkohë që ka pushuar akuzën për ish-zëvendësministrin Armand Teliti
Ndërkohë mësohet se Gjykata e Lartë, caktoi datën 30 janar të citit 2009, si datën e fillimit të gjykimit të dosjes “Durrës – Kukës”.