E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në pranverë qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë në korridorin e tyre”

Kryeministri Berisha inspekton punimet e rrugës Durrës-Kukës, në tunelin Thirrë-Kalimash

“Këtë pranverë, do të themi të gjithë së bashku që korridori i shqiptarëve “u krye”, u shpreh Kryeministri, ndërsa nënvizoi se tuneli Thirrë - Kalimash po kalon të kilometrin e tij të fundit. 
 
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha inspektoi dje ecurinë e punimeve në tunelin Thirrë - Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Berisha përgëzoi drejtuesit e kompanisë “Bechtel” dhe punonjësit e saj për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe për ritmet me të cilën po ecin punimet në këtë rrugë.
Kryeministri tha se do të jetë shumë e shpejtë dita kur të gjithë shqiptarët të kalojnë në këtë rrugë. “Këtë pranverë, do të themi të gjithë së bashku që korridori i shqiptarëve “u krye”, u shpreh Kryeministri, ndërsa nënvizoi se tuneli Thirrë - Kalimash po kalon të kilometrin e tij të fundit. 
Kryeministri Berisha ftoi gjithë shqiptarët të vizitojnë rrugën, duke nënvizuar se realizimi i saj është një përgjigje edhe për ata që nuk i kanë kursyer akuzat për këtë rrugë.
“Nga Rrësheni deri këtu fluturova mbi trasenë e rrugës. Mund t’ju them se udhëtimi më emocional në jetën time dhe vizita më emocionale, ka qenë në Kosovë, kur unë kam vizituar për herë të parë këtë vend. Por udhëtimi i dytë më emocional ishte fluturimi mbi këtë rrugë, sepse ajo ka lëshuar shtat në të gjithë trajektoren e saj. Më vijnë dy gjëra ndërmend: Së pari, do të jetë shumë e shpejtë dita kur të gjithë shqiptarët të thonë “u krye”, sepse na ka mbetur ky term në histori. Së dyti, më vjen ndërmend një dialog që kam pasur me një nga ‘armiqtë’ e egër të rrugës, i cili në një moment nuk u përmbajt dhe lëshoi një seri kërcënimesh. Unë i thashë se rrugën do ta bëjmë, qoftë edhe me bizhutë e grave tona. Tashmë, duke ardhur në këtë rrugë, 1 herë dhe 1000 herë jam i bindur se përgjigja ka qenë e merituar, se rruga duhej bërë dhe nuk mund t’i jap ndonjë emër më të bukur kësaj rruge sesa korridori i shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë investimet në projektet e infrastrukturës rrugore në të gjithë vendin.
“Do të ndërtohet rruga e Arbrit, ne do ta bëjmë edhe atë,  do t’i bëjmë të gjitha rrugët tona, sepse janë rrugë që shqiptarët i meritojnë”, vijoi Berisha.
I pyetur se cili ishte shkaku që po e vizitonte kaq shpesh këtë rrugë, apo ndoshta sepse ajo është më e përfolura, kryeministri Berisha tha se “unë nuk prisja këtë pyetje, unë prisja pyetjen se përse nuk vjen çdo javë në këtë rrugë”.
“Mos u çudisni, sepse unë do të filloj të vij, sepse kjo rrugë e meriton ta vizitosh çdo javë. Ftoj qytetarët që tashmë të vijnë dhe ta vizitojnë këtë rrugë”, tha më tej Berisha.
“Bechtel Enka” po punon në të gjithë gjatësinë e rrugës Rrëshen –Kalimash, prej 61 km. Puna vazhdon në 29 urat e kësaj rruge. 19 ura kanë përfunduar dhe ato tashmë përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Janë ndërtuar dhe bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe për urat e tjera. Këtë muaj ka përfunduar dhe ura më e lartë në segmentin e tretë, një urë prej 80 metra e lartë.
Në impiantet e prodhimit janë realizuar 526 trarë, 335 prej tyre tashmë janë të instaluar. Deri tani janë kryer 92 për qind gërmime, pa përfshirë tunelin dhe mbushje 89 për qind.
Kompania “Bechtel” po punon njëkohësisht në të dy tunelet, në të dy hyrjet veri – jug, paralelisht. Progresi total i gërmimeve në metër kub, i kombinuar në të dy galeritë e tunelit, është 92 për qind.
Aktualisht në këtë rrugë punojnë rreth 3500 punonjës dhe për të arritur një progres të tillë punimesh, po përdoren rreth 1300 makineri të tipeve të ndryshme.   

Berisha injoron qëndrimin e dyshimtë të Ramës për Durrës-Kukës

“T’i dërgojmë foto të kësaj rruge që t’i thellojmë pagjumësinë”

TIRANE - Qëndrimit të dyshimtë dhe aspak koherent të demonstruar nga kryesocialisti dhe opozita e drejtuar prej tij, për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, i është kundërpërgjigjur dje kryeministri Sali Berisha gjatë inspektimit të punimeve të ndërtimit të kësaj vepre madhore të kombit, duke e ftuar publikisht që të vizitojë këtë rrugë ose në të kundërt do ti dërgojë foto në mënyrë që ti thellohen vuajtjet e pagjumësisë.
“Madje, nëse ndonjëri prej jush mundet të bindë edhe Edi Ramën që të vijë dhe ta vizitojë, në të kundërt, do t’i çojmë foto të kësaj rruge që ti thellojmë pagjumësinë”, tha Berisha.
Kryeministri ripërsëriti edhe njëherë se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka të mundshme për ndërtimin e kësaj rruge, inaugurimi  i së cilës pritet të bëhet në pranverë të vitit të ardhshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›