E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli shtyn gjyqin e Pishtarit, kërkohet rihetim i ngjarjes

Vlorë “I forti i Divjakës”, Luan Fusha, gjykohet për tre vrasje të ndodhura në gusht të 1998-s

Shtyhet vendimi për “të fortin e Divjakës”, pasi prokurori i çështjes kërkon rihetim të ngjarjes. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Alma Liçaj, Sokol Ngresi dhe Vasil Hanxhari, në seancën e djeshme në ngarkim të Luan Fushës, i njohur me pseudonimin “Pishtari”, ka pranuar kërkesën e prokurorit Petrit Qerimi, për shtyrje të seancës dhe marrje të vendimit në një moment tjetër, me qëllim rishqyrtim të provave dhe riformatim të momentit të ngjarjes. Mësohet se Fusha, i akuzuar për tri vrasje dhe në hetim për disa vepra të tjera penale, ku përfshihen vrasje, plagosje të kryera gjatë viteve 1996-1998, ka munguar në sallën e gjyqit. Në seancën e djeshme është dëgjuar njëri prej dëshmitarëve okularë në vendngjarje, Miri Kokoneshi. Ai edhe dje ka risjellë momentin e ngjarjes, duke njohur si autor Luan Fushën. Më pas avokati mbrojtës i Fushës, Aldo Shala, ka sjellë para gjykatës skica të vendngjarjes dhe dokumentimin e bërë nga ana e tij, ndërkohë që prokurori ka kërkuar riformatim të vendngjarjes dhe krijimin aktual të saj. Kështu duke marrë parasysh kërkesat e prokurorit të çështjes, trupi gjykues e ka shtyrë seancën për në datën 31 mars, ku pritet që Fusha të mungojë sërish. Në shtatë seancat e zhvilluara deri më tani në ngarkim të tij, Fusha s’është paraqitur, por është përfaqësuar vetëm nga avokati mbrojtës. Ai është dënuar me 24 vjet burg nga Gjykata e Lushnjës për ekzekutimin e vëllezërve Edmond dhe Dhimitër Bashuri, si dhe kushëririt të tyre Armand Kokoneshi, ngjarje e ndodhur më 14 gusht të vitit 1998. Vendimi është apeluar pasi familjarët e viktimave kërkojnë dënim të përjetshëm për Fushën. Dje në sallën e gjyqit kanë qenë familjarët e tre viktimave. Babai i dy vëllezërve Bashuri, Avrami tregon për “Shqip”: “Nuk do të ndalemi deri sa Luan Fusha të dënohet me burgim të përjetshëm. Ai nuk ka vrarë vetëm djemtë e mi, por ka kryer dhe shumë krime të tjera, për të cilat duhet të marrë dënimin e merituar”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›