Rama në PE, kërkon transparencë dhe viza
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi dje mbështetjen e grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian për të garantuar transparencë të zgjedhjeve dhe liberalizim të vizave me të gjitha vendet e BE-së për shqiptarët. Rama ka zhvilluar një vizitë dyditore në Strasburg, ku veç të tjerash ka pasur takime me drejtuesit e këtyre grupeve parlamentare. Gjatë një interviste për mediat në Strasburg, kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se në takimet e zhvilluara dhe në mbledhjen e Grupit parlamentar Socialist dhe Demokrat në PE ka nënvizuar transparencën e zgjedhjeve të shkuara për të mos lejuar që të ardhmet t’u ngjajnë të shkuarave dhe njëkohësisht ka folur për liberalizimim e menjëhershëm të vizave për të gjithë shqiptarët. “Dy janë çështjet e mëdha që na kanë sjellë këtë herë këtu në Parlamentin Europian: transparenca e zgjedhjeve të shkuara për të mos lejuar që të ardhmet t’u ngjajnë të shkuarave dhe njëkohësisht liberalizimi i menjëhershëm i vizave për të gjithë shqiptarët”, tha Rama. Kreu socialist arsyetoi se është shumë e rëndësishme që Europa ta mbështesë procesin e transparencës, Europa ta mbështesë betejën me korrupsionin elektoral, në problemin madhor të ndarjes nga një e shkuar dramatike zgjedhjesh të deformuara e të kontestuara. Sipas tij, është po aq e rëndësishme që Europa e gjithë ta mbështesë lëvizjen e lirë të shqiptarëve, sepse shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të paguajnë më për një politikë të vjetër dhe të verbër, që i mban ende mbyllur, i mban ende të izoluar në mes të një Ballkani që është çliruar përfundimisht, ku të gjithë lëvizin lirisht. “Dhe unë pata nderin t’i drejtohem Grupit Socialist Europian, duke i kërkuar mbështetje për këto çështje themelore, ashtu sikundër pata nderin të komunikoj me përfaqësues të lartë të këtij grupi, por edhe të këtij Parlamenti, për të shpjeguar se sa e rëndësishme, sa jetike, sa e domosdoshme është për Shqipërinë e nesërme europiane, transparenca e sotme e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive, ku e vërteta rrëqethëse e Ruzhdies duhet të dalë në dritë në të gjitha Ruzhdiet e tjera anembanë Shqipërisë dhe ku Shqipëria duhet të ndahet njëherë e mirë nga kjo praktikë e shëmtuar dhe e patolerueshme”, nënvizoi kryetari i selisë rozë. Ai theksoi edhe një herë se Shqipëria duhet njëkohësisht t’u bashkëngjitet të gjitha vendeve të tjera që lëvizin sot lirisht nëpër Europë. Vizita e Ramës në Strasburg vjen paralelisht kur në Shqipëri temë e ditës për politikën shqiptare janë bërë dy nismat ligjore të kësaj partie, që po diskutohen aktualisht në Komisionin e Ligjeve, si dhe rezoluta e paraqitur nga Partia Demokratike për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian. Dy ditë më parë deputetët socialistë nuk morën pjesë në mbledhjen e Komisionit të Integrimit, ku u diskutua dhe u miratua kjo rezolutë, çka u dha shkas demokratëve për të ftuar opozitën që të shprehë vullnetin e saj duke votuar këtë rezolutë. Sipas demokratëve, vota “pro” kësaj rezolute do të tregojë vullnetin e opozitës se është në përkrahje të këtij procesi për qytetarët shqiptarë.
#