E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli/Berat i demokracisë, voto për punësimin, mirëqënien e integrimin

23-05-2013 / Nga Adrian Roshniku

Në librat e shumë autorëve vendas apo të huaj, ku trajtohen tema nga historia e Shqipërisë vihet re, se në hapësirën e gjerë kohore një vend qendror zë qyteti i lashtë i Beratit dhe rrethinat e tij. Ç’të lexosh më parë për këtë vend të ullinjve, herë të qeshur, herë të ngrysur, sipas stinëve e dramave të jetës? Çfarë të shohësh më parë në këtë qytet të shenjtë të kodikëve e afreskeve, kalanë, shtëpitë, dritaret, urën legjendare, xhamitë e kishat apo veprat e piktorëve qysh nga motet e Onufrit? Ç’të dëgjosh më parë në këtë qytet romantik, legjendat, poetët apo këngëtarët, myezinët e kambanat në festa, dasma e rite fetare? Kush ka pasur fatin të ngjitet në Kalanë e gurtë të banuar prej shekujsh e të ndalet në një nga 23 kullat, bie fjala te Tabja e Bajrakut apo e FLamurit, do të befasohej para asaj hapësire të madhërishme. Nga do që të hedhësh vështrimin, larg, afër, lart e poshtë, pamjet me ngjyrat e ylberit ndryshojnë nga çasti në çast. Nga një krah dielli pasi shfaqet mbi Tomor, kalon mbi qytet e ndrin në tisin e praruar mbi malin Shpirag që zgjatet mbi kodra, livadhe, ullishta e vreshta. Shtëpitë e bardha në Kala, apo në lagjen Mangalem e përtej lumit në Lagjen Goricë, të kapur fuqishëm në tatëpjetën shkëmbore, duken si të gdhendur në faqe gurësh nga mjeshtra klasikë. Udhëtari Evlia Çelebia, i cili më 1670 vizitoi këtë qytet shkruante: “Berati është qytet tepër i stërmadh, i gjithi jashtë mureve të Kalasë. Ai shtrihet në një sipërfaqe të madhe anës brigjeve të lumit drejt lindjes  e jugut të kalasë së epërme dhe mbulohet me vreshta, kopshte me trëndafila e bahçe të mbjella me zarzavate. Ka 5000 shtëpi guri një e dy katëshe me çati të bukura tjegullash të kuqe. Janë shtëpi të hijshme të ndërtuara mirë, me kopshte përqark e të shpërndara mbi shtatë kodrina e lugina të gjelbëruara. Ndër to janë më se 100 saraje madhështore me sterna e çezma dhe me klimë të shëndetshme”.
Nga pikturat, fotot e dokumentet historike mësohet për veprën e një vargu të gjatë luftëtarësh për liri e mendimtarësh për pavarësi e demokraci,  për  ndihmesën e mësuesve patriotë, për artistët e mjeshtrat vendas. Berati mbart në kujtesë prijës e luftëtarë si Gjon Muzaka i kohëve të lavdishme të Skënderbeut. Berati i zgjimit kombëtar krenohet me rilindas si Mehmet Ali Vrioni, me flamurtarët, si Babë Dub Karbunara, Sami Vrioni, Dhimitër Tutulani, Iljaz Vrioni, Ferit Vokopola e Xhelal Koprencka, me patriotët si Jani Vruho, Llambi Goxhomani e Sotir Kolea, me drejtuesit e pushtetit vendor, si Yzedin Vrioni, Xhevdet Mehqemeja, Dhimitër Tutulani, Milika Jaho. Berati i demokracisë mburret me mësuesit e veprimtarët e përparimit, si Xhevdet Dëshnica, Shyqyi Lakra, Kostaq Llavda, Irakli Shatçiu, Refat Mehqemeja. Beratit ia shtojnë hijeshinë poetët e shkrimtarët, si Namik Resuli, Namik Mehqemeja, Vexhi Buharaja, Ramadan Pamaçiu, Agim Mehqemeja, skulptorë, si Dhimitër Çani, piktorët, si Sotir Capo e Llazar Myzeqari, fotografë, si Lili Xhimitiku, artistët e kantos, si Zihni Berati, Kozma Dushi, Dhimtër Dushi e shumë intelektualë të tjerë beratas që me aftësitë e tyre kanë  rrezatuar kudo në Shqipëri e jashtë saj.
Berati i bukur me gjithë dëmtimet për shkak të lashtësisë apo nga tronditjet e luftërave të brendshme e botërore, aty nga mbarimi i vitii 1944 mbërriti i plotë si monument kulture, në qendër e në lagje. Më pas faktet folën ndryshe. Duhen faqe të tëra të shkruash për rrënimet e këtij muzeu të rrallë në botë, ku qytetarët mallkonin në heshtje sekretarët e kryetarët vandalë komunistë. Krahas vrasjeve barbare  e burgosjeve  të figurave të shquara të kombit, poetëve, shkrimtarëve, juristëve, fetarëve e tregtarëve, ndryshe nga  vendimi formal i shpalljes qytet muze, u vu re një proces i kundërt në çdo drejtim të jetës urbane. Qyteti muze në kohë paqeje u godit më rëndë se sa në vitet e luftës. Madje edhe gjatë bombardimeve rrugët kryesore mirëmbaheshin, kurse sokakët e lagjeve shkëlqenin nga pastërtia. Me përjashtim të disa dyqaneve afër lumit, qendra dhe lagjet shpëtuan thuajse të pacenuara Fill pa luftës, për faj të politikës socialiste dhe drejtuesve të paaftë partiake dhe ekzekutivë, Berati në shumicën e lagjeve, me emra të rinj ideologjik, po humbiste vlerat historike. Ata që morën në duar si sundimtarë fatin e këtij qyteti, ishin  jo vetëm të paaftë, por edhe pa kulturë, shumica të ardhur nga rrethe të tjera, pa kujtime rinie dhe të ftohtë ndaj historisë së tij. Kjo mungesë ndjesie për gjithçka të dashur për beratasit, në qytet e fshat, solli rrënimin e vlerave muzeale të këtij qyteti 2400 vjeçar, të rrallë në botë, siç qenë prishja e rrjetit të dyqaneve të zejtarisë e tregtisë, shkatërrimi i ndërtesave klasike si “Sarajet e Pashallarëve”, shembja e hoteleve neoklasike, si “Kolombo”, varrosja e pazareve në qendër për një pallat masiv që mbuloi pamjen e muzeut nga të gjitha krahët; ndërtimi i shtëpive përdhese pa vlerë në kodrinat mbi qendër, rrafshimi i dyqaneve pranë bregut të lumit, sheshimi i Bashkisë historike dhe e Kishës Ortodokse, mbyllja e Xhamisë së Beqarëve, e Xhamisë Mbret tok me Teqenë e mrekullueshme të Helvetive; zhvarrosja e ish-kryeministrit patriot Iliaz Vrioni dhe hedhja e tij në lumë. Në Kala u mbyllën gjithë kishat me veprat e Onufrit, ndër to Katedralja madhështore me ikonostasin e mahnitshëm; Kisha e Shendëllisë u përdor për repart ushtarak. Por masakra më e rëndë e ngjashme me një bombardim u krye në lagjen më të vjetër fushore, Murat Çelepi, ku u zhduk nga faqja e dheut një varg i  artë ndërtesash beratase, ndërmjet tyre  e poetit e dijetarit Vexhi Buharaja, tok me bibliotekën e pasur dhe një varg bahçesh përrallore, që mbushnin pazaret e qytetit me fruta e zarzavate. Rema e vaditjes plot me çikrikë u mbulua nga një pallat i ftohtë, i gjatë si mur kinez. U shemb  Shkolla Qytetëse, një ndërtesë e bukur neoklasike, dikur stacion i fundit i hekurudhës apo i Felbanit, që lidhte Beratin me Shkodrën. Në hyrje të qytetit u gropos Xhamia e Dyli Begës për një lapidar me pushkë e yll të kuq. Xhamia e Sahatit u mbyll për depo së bashku me çezmën nën gurë, minareja elegante u shkallmua. Kulla e Sahatit me orën nga Milano, e rrallë në tërë Ballkanin, e ndërtuar rreth vitit 1600, megjithëse e shpallur monument kulture, befas më 1967 me urdhrin e një dore të mallkuar, u hodh barbarisht për tokë. Në portën jugore të parkut me përmendoren e Dëshmorëve të Kombit u ngrit busti i ngrysur i Stalinit. Në faqen lindore të Kalasë mbi qytetin me famë për ullishta e tij, u mbollën drurë akacieje, duke penguar pamjen e mureve historike. Edhe transporti i paraluftës u paralizua. U zhdukën nga qarkullimi autobusët e taksitë private. Pajtonet e lundra me vlera turistike u ndaluan. Grabitje e pronës private, synimi .i çmendur për kthimin e qytetit muze në qendër industriale me kombinate pa të ardhme, tjetërsuan jetën ekonomike dhe klimën e Beratit  Ndërtimi i Kombinatit të tekstilit, pa siguruar lëndën e parë e tregun e shitjes, zhduku zejtarinë tradiacionale të përshtatshme për Beratin muze, duke mbipopulluar artificialisht qytetin me rrjedhoja të rënda papunësie. Megjithatë problemi  i veshmbathjes nuk u zgjidh, madje u ndërlikua më tej. Ngritja me dhunë e kooperativave bujqësore mbi tokat private, të ngjashme me fermat shtetërore, shkaktuan varfërimin e frikshëm të fshatit. Fshatarët beratas të dëgjuar për arritjet në bujqësi, mirëmbajtjen e ullishtave dhe vreshtave, humbën gjithçka, aq sa do të vinte një ditë e pabesueshme, kur ata do të luteshin në dyqanet e shtetit në qytet për një bukë. Qyteti  i flamurtarëve të pavarësisë u përdor edhe si vend internimi, Sekretarët si kujtim lanë një Kombinat me të papunë, një tunel-varr nën Kala, një urë të varur metalike të rrezikshme në zemër të muzeut, një shatërvan, kur uji në qytet mungonte dhe një katakomb në malin e shenjtë të Tomorit.
Duhej të vinte viti fatlum 1992 i demokratëve që të ndalej dora barbare e diktaturës  komuniste  mbi këtë vepër të mrekullueshëm arti, mbi  bujqësinë e blegtorinë, duke e çliruar nga robëria e shtetëzimit komunist. Partia Demokratike me Qeverinë e saj, me gjithë vështirësitë e pengesat e hasura qysh në vitet e para, pas shembjes së sistemit  shkatërrimtar socialist, punoi për hartimin  e ligjeve të reja, mandej me anën e reformave  demokratike bëri çmos për ringjalljen e ekonomisë së tregut, për zhvillimin e tregtisë e turizmit, rimëkëmbjen e bujqësisë e blegtorisë, si burime të fuqishme pasurimi për qytetarët në qytet e fshat. Këtij qëllimi i shërbeu ndërtimi i rrugëve të reja nga veriu në jug.
Berati nuk është më në gjendjen e vitit 1989, kur njerëzit e uritur shtyheshin në radhë për një bukë, as në vitin 1997, kur ish-oficerët e sigurimit mashtronin qytetarët e ndershëm beratas me firmat piramidale, as në vitin 2005 pa drita e pa punë. Rrugët e reja tashmë zgjaten nga kryeqyteti në drejtime të ndryshme, kalojnë në Berat mbi urrën e fuqishme mbi Osum e për në jug, apo ngjiten kryq e tërthor drejt Shpiragut. Ato flasin me zhurmën e autoveturave “Dremler-Benz”, kamionave të tregtisë e autobusëve turistik. Me shtimin e hidrocentraleve Shqipëria ndriçon nga veriu në jug. Ndryshimet janë të qarta si drita e diellit. Beratasit punëdashës në qytet e fshat pak nga pak po marrin veten, jeta ka ndryshuar për mirë, megjithatë me përkrahjen e Qeverisë Demokratike duhen  përpjekje më të mëdha për të arritur atje, ku synon programi i saj. 
Berati, ky thesar i kulturës shqiptare, duhej të priste 2400 vjet ardhjen e Partisë Demokratike me doktor Berishën që me profesor Emin Rizën dhe studiuesit e palodhur beratas, më së fundi të arrihej marrja në mbrojtje nga UNESKO, si pjesë e artë e kulturës  botërore. Këtë fakt  askush nuk mund ta mohoj. Nga njerëz me iniciativë të përparimit, si Astrit Veliaj, të përkrahur nga Qeveria, me gjithë pengesat e kundërshtimet nga pushteti lokal socialist u arrit të ndërtohej pas qindra vjetësh ndërtesa e hijshme me stil klasik e Universitetit të parë në Berat. Një rast të lumtur pati edhe poeti Visar Zhiti, i mbijetuari nga ferri Spaçit, sot ministër i kulturës, i cili përuroi disa punime të rëndësishme restaurimi në Kalanë e Beratit.
Edvin Rama përpara këtyre ndryshimeve, i pushtuar nga urrejtja depresive, ndaj Qeverisë e qytetarëve shqiptarë, tashmë të lirë nga diktatura hoxhiste, përdor gjithë mllef terma të njohura të propagandës komuniste, “robër”, “tradhtar”, “tradhti” dhe “armiq”. Këto shprehje sigurisht janë kopjuar nga “veprat” e diktatori E.Hoxha dhe rrëfenjat e daj Kolekës. Për beratasin patriot, emrat “rob” e “armik”, janë fyerje e atyre që urrejnë shqiptarët, kurse “tradhti” e “tradhtar”, kanë lidhje me qëndrimin ndaj atdheut’. Çfarë qëndrimi kanë mbajtur deri më sot, Edvin Rama me socialistët  e tij që kundërshtuan gjithçka të mirë për atdheun, pasi i dhuruan  titullin Qytetar Nderi e Çelsin e Tiranës një këngëtari, si Bregoviçi i njohur për marshin kundër Kosovës? Në një kohë kur ekonomia  e qytetarëve dhe e fermerëve në Berat, Kuçovë e Skrapar po bën hapa përpara, ishkryebashkiaku Rama bashkëpunëtor i Koçokëdhimës në vitet e arta të korrupsionit, e ndien veten si mbi një humnerë, kurse Ilir Meta ka  harruar Skraparin e prehet  në vila me ngjalat e gjirit të Lalzit.
Në mitingun madhështor, doktor Berisha ndër të tjera u shpreh: “Çfarë ndodhi në Berat? Bizneset u dyfishuan, punësimi u dyfishua. Ne erdhëm në pushtet dhe filluam subvencionin për fermerët dhe këtu në Berat, ne kemi subvencionuar mbi 6 mijë projekte të fermerëve të mrekullueshëm të Beratit. Ata krijuan mijëra ferma model. Nga toka e tyre, ata ndërtuan shpresën, ndërtuan e po ndërtojnë të ardhmen. Nëpërmjet mbështetjes së bujqësisë, ne krijuam dhjetëra mijëra vende pune të reja, por mbi të gjitha, ne e bëmë Beratin, e bëmë Shqipërinë një vend tërheqës për investimet e huaja. Katër vite e fundit, ne morëm 4.2 miliardë investime, të cilat u kthyen në dhjetëra mijëra vende pune. Ne këto vite, ju dhe ne mbrapa në mbështetjen tuaj ndërtuam Shqipërinë turistike, Shqipërinë e bukurive të dheut. Nga 300 mijë turistë e vizitorë, vitin e kaluar patëm 4.7 milionë. U rrit edhe numri i të punësuarve. Përsëri rrugën nuk e kemi bulevard, sërish kemi të papunë, sërish kemi të varfër e njerëz me halle, por rruga jonë është rrugë e ndershme, rruga jonë është rruga e ndryshimit që nuk e mohon dot asnjeri. Ne zotohemi para jush në këtë shesh se katër vitet që vijnë, Shqipëria do të thithë jo 4.2 miliardë dollarë, por 6 miliardë dollarë investime të huaja, me të cilat do të punësohen dhjetëra mijëra qytetarë. Ne japim këtu fjalën e nderit se në rast se në Shqipëri turizmi do të rritet me 40 për qind, në Berat turizmi do të rritet së paku me 400 për qind”.
Përpara Berat! Pavarësisht nga bindjet, voto për punësimin, mirëqenien e integrimin në Europë, së shpejti pa viza në SHBA! Voto për Partinë Demokratike!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›