E Diel, 1 Nëntor 2026

Aperitivi italian mbledh nostalgjikët e muzikës

Gjirokastër Kujtohen këngët e viteve ‘70 të Celentano-s, Modugno-s, Claudio Villa-s e Baglioni-t

Veprimtaria kulturore me titullin intrigues “Aperitiv Italian - Mbrëmje revival vitet ‘70” ka mbledhur në bar “Këculla” shumë nga nostalgjikët e muzikës italiane në qytetin e Gjirokastrës. Veprimtaria, që bën pjesë në stinën e madhe të aktiviteteve “Italia dhe Shqipëria 2010 - Dy Popuj, një det, një miqësi”, organizuar nga ambasada italiane në Tiranë dhe nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, ka për qëllim kryesor forcimin gjithnjë e më shumë të lidhjeve të bashkëpunimit dhe miqësisë midis dy vendeve fqinje.

Në mbrëmjen muzikore të organizuar në bar “Kërculla” morën pjesë dhjetëra qytetarë gjirokastritë dashamirës dhe nostalgjikë të muzikës italiane. Gjatë mbrëmjes u kënduan këngë të interpretuara shumë vjet më parë prej këngëtarëve të famshëm italianë të viteve ‘70 si Adriano Celentano, Domenico Modugno, Claudio Villa, Nada, Baglioni, Richi e Poveri, etj. në variantin karaoke si dhe me interpretime individuale.

Mbrëmja e Aperitivit Italian ishte një kontribut më shumë për të sjellë në qytetin e Gjirokastrës një “fllad” alegrie dhe koloriti muzikor italian, duke u përgatitur për eventet e ardhshme të parashikuara për t’u zhvilluar në Gjirokastër së afërmi, si konferenca për arkeologjinë dhe Hadrianopolis, ekspozita ndërkombëtare prestigjioze e shpikjeve të Leonardo da Vinçit, etj.

Aktivitetet kulturore italiane në Gjirokastër janë shumëfishuar dhe nga viti në vit, falë impenjimit në rritje të Konsullatës së Përgjithshme Italiane dhe të komitetit prestigjioz “Dante Alighieri” të themeluar së fundi në Gjirokastër. Në këto veprimtari me peshë dhe shtrirje ka një bashkëpunim të madh të ofruar prej të gjitha institucioneve akademike, kulturore dhe të pushtetit vendor teë Gjirokastrës, dhe mbi të gjitha falë dëshirës së qytetarëve gjirokastritë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›