Gjykata pranon provën implikuese për gjyqtarin
Gjykata e Tiranës ka pranuar provën e prokurorisë që implikon gjyqtarin e Elbasanit, Qani Hasa, në një mitëmarrje për uljen e dënimit të një të burgosuri. Megjithëse organi i akuzës ende nuk ka gjetur personin që ka kryer regjistrimin e bisedës korruptive të gjyqtarit Hasa, CD-ja është njohur si provë nga gjykata. Hetues të çështjes, pak ditë më parë, bënë një kërkesë për sigurim prove dhe trupi gjykues e ka marrë si të mirëqenë bisedën e zhvilluar mes qytetarit dhe gjyqtarit për dhënien ryshfet, me qëllim uljen e dënimit të një shtetasi nga Elbasani. Njohja si provë e kasetës ka shtuar shpresat e prokurorisë, e cila javën e ardhshme pritet të marrë të pandehur gjyqtarin Qani Hasa dhe ta dërgojë dosjen për gjykim në gjykatë. Ndërkohë, vetë Hasa nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e ngritura nga prokuroria. Hetuesit e çështjes thanë se gjyqtari pa imunitet, i pezulluar nga KLD-ja, ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë marrë ryshfet nga të afërmit e të dënuarit, Geron Toska. Ai ka deklaruar se akuzat janë një përbaltje e emrit të tij dhe i ka kërkuar organit të prokurorisë që ta çojë deri në fund këtë hetim. Sipas prokurorisë, hetimi për gjyqtarin Qani Hasa, është kryer si për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, pasi ai nuk gëzon asnjë lloj imuniteti. Krahas gjyqtarit të Elbasanit, Hasa, i cili akuzohet për mitëmarrje, hetuesit u përqendruan edhe në zbulimin e personit që i ka ofruar para gjyqtarit në fjalë. Ai ka regjistruar një emër të rremë në Prokurorinë e Elbasanit, por kërkimet e policisë kanë qenë të kota, sepse nuk ka identifikuar asnjë person me atë emër. Disa javë më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka hequr imunitetin gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, me kërkesë të Kryeprokurores Ina Rama.
#