E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimet, 30 kërkesa për diploma e nivelit të dytë

29/10/2009   Universiteti i Gjirokastrës “Eqrem Çabej" çel aplikimet për master

Programi i studimit do të jetë dyvjeçarë dhe duhen rreth 120 kredite

GJIROKASTËR - Mbi 30 kandidatë kanë treguar interes të aplikojnë për diplomën e nivelit të dytë (DND) në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër për programin e studimit “Arkeologji dhe administrimit të pasurive arkeologjike dhe kulturore”.

Roland Zisi, dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore, tha se në zbatim të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës prej një jave ka nisur regjistrimi i kandidatëve që dëshirojnë të vazhdojnë ciklin e dytë të studimeve universitare për specialistë të arkeologjisë dhe administratorë të pasurive të kulturës kombëtare. “Kjo është një ngjarje e shënuar në jetën e Universitetit të Gjirokastrës, por edhe një ngjarje po kaq e shënuar në Jug të vendit, pasi ky institucion do të diplomojë studentët në bashkëpunim me profesorët italianë të Universitetit të Maceratës, gjë që do të mundësojë për herë të parë burime njerëzore të specializuar për të administruar resurset arkeologjie që në rajonin jugor janë të konsiderueshme”,- tha Zisi. Ai e ka cilësuar këtë mundësi si një organizimi i jetës universitare më të rëndësishme në Jug të vendit. “Departamenti i histori-gjeografisë aktualisht i ka të gatshme dhe të miratuar planet mësimore, programet e lëndëve si dhe profesorët që do të zhvillojnë lëndët me kandidatët fitues”, - pohoi Zisi, duke nënvizuar se gjuha e studimeve do të jetë gjuha italiane dhe shqipe me kohë të plotë. Sipas tij, programi i studimit të DND do të jetë dyvjeçarë dhe në përfundimit studenti do të përfitojnë 120 kredite. “E gjithë procedura e parashikuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të kryhet me korrektësi dhe transparencë të plotë, pasi qysh në vitin e parë të studimeve është shfaqur një interes i lartë i kandidatëve studentëve që dëshirojnë të specializohet në një fushë të caktuar”, - tha prof. Zisi. Pas aplikimit me sukses për DND Universiteti i Gjirokastrës synon që vitin e ardhshëm të aplikojë pranë qeverisë shqiptare për studime më të thelluara, që janë master i nivelit të dytë dhe doktoraturat”, - shtoi ai.

E. Molla

Kreditet /Degët

Aktualisht në Universitetin "Eqrem Çabej" ka dy fakultete – Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Fakulteti i Edukimit dhe Shkencave Shoqëror – dhe studiojnë me kohë të plotë mbi 3000 studentë në 14 degë mësimore. Degët më të preferuara në këtë universitet janë ekonomia, histori-gjeografia dhe infermieria. Sipas dekanit, programi i studimit për marrjen e diplomave të nivelit të dytë do të jetë dyvjeçarë dhe në përfundimi të tij studenti duhet të ketë grumbulluar rreth 120 kredite.

Kanceri i gjirit

Seancë parlamentare mbi parandalimin

Alarmi i lëshuar nga specialistët e shëndetit për rritjen e rasteve të pacienteve të prekura nga kanceri i gjirit ishte tema kryesore e seancës së veçantë parlamentare që u zhvillua dje në kuadër të sensibilizimit për masat parandaluese. Sipas statistikave të publikuara, rezulton se çdo vit në vendin tonë zbulohen 400 raste të reja nga kanceri i gjirit, por situata problematike nuk mbetet me kaq, pasi mjekët pohojnë se fatkeqësisht tendencat e përhapjes janë në rritje. Lidhur me masat parandaluese Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur se shëndetësia do të jetë një ndër prioritet e këtij kabineti qeveritar, ku lufta kundër kancerit të gjirit do të jetë në maksimum. “Beteja kundër kancerit është një betejë që mund të fitohet. Është një betejë që ne nuk ia detyrojmë vetëm vetes, por ua detyrojmë fëmijëve tanë, ua detyrojmë të gjithë atyre që na duan fort. Ne do ta fitojmë këtë betejë", - ka pohuar Topalli para të ftuarave të veçanta të seancës. Sipas saj, në buxhetin e vitit të kaluar së bashku me deputetët e Komisionit të Shëndetësisë u arrit vendosja e një zëri të veçantë në buxhet për blerjen e mamografive dhe për trajtimin e kësaj sëmundjeje. “Unë jam këtu për t’ju siguruar se beteja jonë vazhdon. Ne do të dyfishojmë numrin e aparateve të mamografisë dhe mamografia dhe paptesti në spitale do të jenë falas, ashtu siç premtoi Kryeministri Berisha në programin e qeverisë. Unë nuk jam mjeke, por u bëj thirrje të gjitha nënave dhe vajzave që 10 minuta nga jeta juaj mund të shpëtojë jo vetëm të ardhmen tuaj, por të familjes dhe fëmijëve tuaj”, - ka përfunduar Topalli. Kanceri i gjirit tashmë është një sëmundje që mund të parandalohet e që mund të kurohet, ndërgjegjësimi mbetet kura më e mirë. Mjekët këshillojnë kryerjen e vizitave sa më të hershme në mënyrë që të zbulohet sëmundja që në fazat e para, kur edhe mund të trajtohet më lehtë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›