Aplikimi i Malit të Zi për në BE, një hap i guximshëm diplomatik
Liri do të thotë t`i thuash njeriut, "pasi t`i rrish besnik idesë së të drejtës e të mos u sjellësh dëm të tjerëve, mund të bësh ç`të duash". Kjo liri është ajo që i takon një vendi për të marrë hapa konkretë në vënien e të drejtës qytetare shtetërore siç bëri Mali i Zi me aplikimin për statusin e shtetit kandidat të BE-së, me çka diplomacia malazeze u tregua e guximshme për të qenë pjesë e saj. U tregua e guximshme sidomos në aspektin diplomatik dhe ajo ëfarë e bën realisht të qëndrueshëm këtë vend është fakti se edhe pse një vend i vogël e me një numër të paktë të popullatës, dëshmoi para opinionit ndërkombëtar se nuk mendon se duhet pritur të tjerët për një veprim të tillë. Bile jo në këto momente kur aleati i tyre i deridjeshëm, Serbia, një veprim të tillë e hodhi poshtë duke u shprehur qartë se nuk është e interesuar që t`i bashkohet kësaj aleance.
Tani kur një hap të tillë e kanë marrë shumë vende të Ballkanit, është plotësisht i arsyeshëm hapi që ndërmori Millo Gjukanoviqi dhe qeveria që ai drejton, për të qenë e pranueshme dhe e pëlqyeshme së pari liria qytetare e për t`u shërbyer vlerave të tij, gjë që heret e vonë do të reflektohet në pasuri materiale, dhe kjo bën që aplikimi në BE të jetë diçka që hedh shtat e zhvillohet bashkë me vendet ku kultivohet shkenca dhe teknologjia e Perëndimit si dhe filozofia e besimit në mes popujve. Ka pak rëndësi se a i ka kërkuar BE-ja Malit të Zi që të aplikojë në këtë familje të madhe evropiane edhe përkundër sugjerimeve të disa diplomatëve evropianë se gjoja një veprim i tillë është i hershëm, duke bërë kështu përpjekje që Mali i Zi të aplikojë në të njëjtën kohë kur një hap të tillë ta marrë edhe Serbia. Podgorica u tregua e mençur që t`i drejtohet kryesuesit të radhës të BE-së, Francës, për të lobuar në Bruksel për një të drejtë sa të guximshme aq edhe diplomatike duke refuzuar që ai vetë të dakordohet me qëndrimet e Serbisë. Kështu Mali i Zi tregon se nuk ka ndërmend që fatin e vet ta lidhë me atë të një vendi tjetër, siç është Sërbia dhe kjo e bën atë të shikojë vetëm interesat e veta shtetërore dhe konsideratat e dobishme për sistemin e vet.
Çdo përparim shfaqet në fillim si një projekt dhe ide, këtë tashmë Mali i Zi e realizoi duke u bërë kështu i pranueshëm edhe për vendet e tjera, anëtarë të BE-së dhe në planin ideor ky projekt ka marrë vizën me çka mbetet të besohet se do të ketë rezultate. Kjo të bën të mendosh se ajo që është madhështore në këto momente për vetë Malin e Zi është se duke kapërcyer e tejkaluar atë që ke mundur të besosh se ke një të ardhme, ke një përparim i cili bëhet rezultativ në atë masë sa të japë një vlerësim të mirë të gjendjes aktuale.
Në të gjitha kohërat, vendet i kanë drejtuar politikanët, njerëz të aksionit dhe këtë në këto momente e bëri Mali i Zi, pavarësisht nga disa kundërshti, duke iu bashkuar kështu vendeve fqinje, Shqipërisë, Kroacisë e Maqedonisë. Ky hap i guximshëm në politikën e jashtme malazeze është shumë i rëndësishëm në këto momente, por edhe ndjenjë përgjegjësie për punët e rënda dhe të vështira që duhet ndjekur për të mbështetur aplikimin e Mali të Zi në BE. Me një hap të tillë Qeveria malazeze ka treguar pjekurinë e vet për integrim në BE ashtu siç vepruan shume vende të Ballkanit Perëndimor, me çka zotërimi i mendimeve të ndryshme është punë e një pjekurie politike dhe kjo nuk lë mundësi që vendet e Ballkanit të ecin si paketë. Çdo vend duhet të dijë të përfitojë dhe këtë Mali i Zi e shfrytëzoi në momentin më të përshtatshëm.
“Koha Javore”