Tre faktorët e shpëtimit
A e ka tradhëtuar Gruevski PDSH-në për 18 muaj sa e bashkëqeverisën vendin? Vetëm shtrimi i kësaj pyetje në këtë formë, apo edhe përgjigja "nuk e kam tradhëtuar", "nuk ia kam ngulur thikën pas shpine", flet se kemi të bëjmë me një karakter i cili, në çdo moment mund të të tradhëtojë apo edhe të të lëndojë deri në eliminim nga skena! Këto afinitete jo njëherë i shpreu Gruevski, duke filluar që nga koketimi me partinë opozitare të atëhershme (BDI-në) e deri te prishja e votimeve në mbi njëqind vendvotime ku kishte fituar PDSH-ja. Ndryshe, nuk do të ndodhte reagimi i kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçit, i cili, përgjatë tetëmbëdhjetë muajve tri herë i ngriu marëdhëniet me Gruevskin duke ia kumtuar daljen nga bashkëqeversija. Se sa është duke e tradhëtuar tani partnerin e vet, z. Ali Ahmetin, kjo nuk do ndonjë analizë të thuktë, sepse, sot, tradhëtia e Gruevskit ndjehet në çdo orë e në çdo hap. Pa dyshim, këtë strukturat e BDI-së e pranuan këto ditë por, nuk po pranuakan të dalin nga qeveria për shkak se po dashkan t'i mbrojnë votat e shqiptarëve që kanë votuar për këtë Parti! Ky qenka prioriteti i kësaj partie paçka që deri në palc mund të degradohet dinjiteti shqiptar?! Nga kush po i mbrojnë këto vota? Si po i mbrojnë? Kush i ka caktuar si mbrojtës të votave të një grupi të caktuar? Nuk është në pyetje vota! Në pyetje është degradimi i çdoditshëm i dinjitetit shqiptar! Në këtë rast humb kuptimi i ruajtjes së votës! Në këtë rast kemi të bëjmë ose me kolaboracionim vullnetar, ose me kapjen në rrjet të shantazhimit, ose me lakminë primitive për "t'ju dalur zot" kolltuqeve dhe benifiteve, mbi të gjitha, korruptive. Përulja para votës që të siguron pjesëmarrjen në pushtet do të thotë miratim të një dyzinë aktesh antishqiptare që u morën e që po merren akoma: ligjet kundër pozites së meritueshme të gjuhës sonë, ligjet kundër pozitës së gruas shqiptare, ligjet kundër arsimit, shëndetësisë, aktet kundër kulturës shqiptare, ligjet kundër nëpunësve shqiptarë, kundër dëshmorëve dhe familjeve të tyre! "Ruajtja" e votës që të siguron pushtetin dmth shitje e të gjitha interesave kombëtare në të mirë të mbetjes në kolltukun qeveritar!
Emri i një paqete ndryshimesh/A tradhëton kryeministri i Maqedonisë, z. Nikolla Gruevski! Pa dyshim që po, sepse, manipulimet e tij, të cilat ai mundohet t'i hedh në tregun nacional si truqe dhe manovrime diplomatike, apo, si aftësi intelektuale dhe hapa patriotike, janë kryekëput tradhëti! Me këtë miopi politike, edhe kombi, por edhe shteti, po orientohen drejt një ambisi të pafund. Edhe në rrafshin ndërkombëtar Gruevski ka plotë gënjeshtra e tradhëti! Politika e tij populiste, e shprehur përmes qëndrimit që problemi me emrin të zgjidhet me referendum, përmbanë esencë të konsiderueshme të gënjshtrës! Kujt dëshiron t'ia hedhë kryeministri Gruevski kur dihet fare mirë se problemi me emrin nuk është problem i Greqisë por i vetë Maqedonisë! Zgjedhjen e problemit sipas standardeve ndërkombëtare Gruevski do ta pranuaka por, ja që duhet ta thotë edhe populli fjalën e vet! Gruevski thotë po e populli jo! Gënjehet populli tradhëtohen ndërkombëtarët. Gruevski nuk duhet ta gënjëjë popullin e vet. Sinqeritet dhe guxim patriotik do të thotë t'i drejtohesh popullit dhe t'ia kumtoshë të vërtetën! Cilën?
Tre janë faktorët e shpëtimit të Maqedonisë: të respektohet durimi i shqiptarëve dhe, si rrjedhojë e kësaj, të ndërrohet emri dhe, si rrjedhojë e kësaj, Maqedonia të futet në NATO. Gruevski duhet t'ju thotë patriotëve të vet se, shqiptarët e Maqedonisë nuk do të heqin kurrë dorë nga pjesa e etnisë së vet tashmë nën ombrellën e NATO-s!
Gruevski duhet t'ua thotë të vërtetën patriotëve të vet se, ndërrimi i emrit është, mbi të gjitha, problem maqedonas dhe se, ky fenomen në vete ngërthen një paketë të tërë "standardesh"! Nuk është problem vetëm emri i shtetit, por edhe i çdo gjëje që ka sufiksin maqedon, maqedone, maqedonase dhe maqedonisht: identiteti kombëtar, gjuha, kushtetuta, denari, librat, kushtetuta, ligjet, dokumentacionet e udhëtimit, targat etj. etj. Kjo është sfida maqedonase me të cilën do të ballafaqohen qytetarët e këtij shteti dhe para të cilës sfidë do të gjunjëzohen! Nëse populli mbahet me shpresë dhe nuk i thuhet kjo e vërtetë - atëherë çka është kjo nëse jo tradhëti! Rrjedhimisht, do të ndodhë edhe inkuadrimi i Maqedonisë në NATO dhe në BE. Politikani patriot duhet ta dijë se strukturave perëndimore fare nuk u intereson emri, mbiemri, denari, problemet nacionale as maqedonase, as shqiptare, as turke por, thjesht, u intereson realizimi i synimeve gjeostrategjike të tyre si dhe zgjërimi eventual i kufirit të Evropës të jetë sa më i sigurtë. Me vjedhje të lashtësisë greke dhe me nëpërkëmbje të dinjitetit të një pjese të shqiptarëve, Evropa është e vetëdijshme se nuk do të kishte kufi stabil!
Kontestet që mund të mos mbyllen kurrë, deri në zgjidhje/Ditë më parë, kur Gruevski shpresonte se BE do t'i heq vizat për qytetarët e Maqedonisë, ndërkombëtarët relevantë i thanë: po troket në derë të gabueshme! Kusht është emri! Oli Ren do të shtojë edhe këtë: mos harroni, kusht janë edhe marëdhëniet e mira ndërfqinjësore! Pra, përfundimisht, zgjërimi eventual i Evropës kërkon kufij stabil! Pra, përkrahje ka por duhet të plotësohen kushtet e BE-së: marëdhëniet e mira ndëretnike, ndërfqinjësore, zgjedhje fer dhe demokratike dhe, e fundit dhe më e rëndësishmja - dialog politik me faktorët e politikës pa garancën e të cilëve nuk ka as mirëqenie, as stabilitet, as paqe e as inkuadrim të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Me këtë kusht të fundit, Maqedonisë iu bë me dije se, për çdo reformë, për çdo zgjidhje të kontesteve politike, për çdo ndryshim, për çdo miratim të ligjeve, duhet koncensus më i gjërë, dmth miratim edhe nga opozita. Pa dyshim, pengesë për realizim të këtij kushti do të dalë, qoftë në pushtet apo edhe në opozitë, PDSH-ja! Sepse, e vetmja parti shqiptare në rajon, me këtë format politik që e ka si dhe me numër të madh simpatizantësh, ka një platformë politike që nuk mund të ndryshohet pa realizim të të gjitha të drejtave kombëtare shqiptare në Maqedoni! Partitë shqiptare në Shqipëri nuk kanë platformë të tillë sepse nuk kanë konteste kombëtare me peshën e degradimit, nënshtrimit dhe të asimilimit kombëtar! Edhe partitë politike në Kosovë tashmë janë shliruar nga kontestet e tilla politike! Mbeten vetëm Shqiptarët në Maqedoni dhe Partia e tyre me zero kompromis në këtë drejtim! Detyrimisht, partitë maqedonase, sidomos kryeministri Gruevski, duhet ta ketë të qartë se ai, patjetër duhet të shndërrohet, thënë metaforikisht, në një dry i cili mund të hapet e të mbyllet jo me Pasokun grek, jo me demokracitë e reja serbo-maqedonaso-greke por, vetëm me PDSH-në si çelës! Nëse BDI-ja ka ndërmend t'i mbrojë votat e shqiptarëve, atëherë PDSH-ja ka ndërmend pa pardon t'i mbrojë dhe t'i zgjidhë problemet kombëtare. E ato zgjidhen vetëm ashtu siç thotë platforma dhe politika e PDSH-së, respektivisht, e Menduh Thaçit, i cili këmbëngul: gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase, gjuha shqipe të shtrihet në tërë territorin e Maqedonisë, në të gjitha dokumentet dhe mbishkrimet të figurojë edhe gjuha shqipe, të binden maqedonasit se shqiptarët në këtë vend janë faktor stabilizues dhe, si i tillë, të ngritet në nivelin politik, ekonomik, social e kulturor me popullin maqedonas, propozimet e tyre që kanë karakter të zgjidhjes së çështjeve kombëtare të pranohen si probleme të bashkëqytetarëve të Maqedonisë, për zgjidhjet e kontesteve shtetërore të angazhohen edhe shqiptarët e vendit, thjesht, të respektohet dinjiteti shqiptar, pa pretendime për të bërë pazarllëqe politike në dëm të shqiptarëve!
Vetëm respektimi i shqiptarëve e shpëton Maqedoninë/Këto ditë ndodhën sërë bastisjesh policore nëpër vendbanime, lagje e shtëpi shqiptare. Natyrisht, si çdo herë, të cytyr nga urrejtja patologjike kundër shqiptarëve, këto bastisje u përcollën me keqtrajtime, me rrahje, me burgosje. Mbi 2000 shqiptarë brenda katër muajve. Më së shumti shtëpitë dhe familjet e ish-komandantëve nga lufta e 2001-shit. Mesazhi qe i qartë: "ne (policët maqedonase) jemi zot të kësaj toke"! Aksioni i fundit policor ishte në funksion të kapjes së vrasësit të një polici shqiptar! Ky aksion u shtri në dhjetra shtëpi e familje! Është për t'u çuditur se si nuk u shtri në të gjitha shtëpitë e shqiptarëve në Maqedoni! Këto ditë, në Itali, pas një përcjellje gjashtëmujorshe, policët italianë në mënyrë spektakularë burgosën 99 anëtarë të familjes "Cosa Nostra"! Mbi njëmijë policë qenë super të saktë! Hynë dhe i kapën të gjithë, pa e shqetësuar as më të voglin qytetar sicilian të pafajshëm. Policët maqedonasë, marrin lajmin se një i dyshuar u pa në një lagje dhe, o burra, tërë lagjja bastiset! Sipas premierit Gruevski, kështu paskëshin kërkuar gjykatësit! E këta në bazë të çkafit i ngritën aktpaditë nëse jo në bazë të informatave të mbledhura nga instrumentet policore! Pra, ka qenë kërkesë e policisë maqedonase dhe jo edhe e gjykatësve të cilët, në këtë rast kanë qenë vetëm shkronjës teknik të fletave për arrest. Kjo metodë, pa dyshim, nuk është e mirë për t'ju dëshmuar qytetarëve se çfarë pjesëtarë të sigurimit kemi! Kjo sjellje iriton qytetarët, deri në shtim të dëshirës për t'u hakmarrur dhe për ta zhbërë këtë realitet politik e shtetëror. Numri i atyreve që mund të iritohen është shumë i madh! Rreth 700 mij shqiptarë! Mjaft sa për ta destabilizuar një shtet dhjetëfish më të madh se Maqedonia. Apo, mbase ky është synimi i koniukturave politike maqedonase! Problemet politike nuk mund të fshihen dhe nuk mund të mbahet në intenzitet nacionalizmi dhe patriotizmi maqedon duke ushtruar dhunë mbi shqiptarët. Është e kotë dhe shumë e dëmshme zgjedhja e metodës për zgjidhje të problemeve: të ngjallet mëshira duke u shndërruar në viktimë. Viktima eventuale mund të rehabilitohet e jo të shndërrohet në boss! Historia thotë: maqedonasit ia kanë dalur mbanë vetëm kur kanë qenë të ndihmuar nga shqiptarët! Është patriotizëm të bashkëpunohet ngusht me shqiptarët dhe shteti të nxirret nga kjo gjendje e palakmueshme. Asnjë shqiptar nuk është kundër ndërrimit të emrit të Maqedonisë, dhe të eliminimit të sufiksave maqedon, maqedone, maqedonisht, asnjë shqiptar nuk është kundër prezantimit të atij paqeti që ngërthen në vete ultimatumi i ndërrimit të emrit të shtetit, asnjë shqiptar nuk është kundër avansimit të pozicionit të vet, kundër barazisë, respektimit dhe bashkëjetesës.
Për maqedonasit, shqiptarët janë aleati më i përkryer për realizim të politikave që synojnë inkuadrimin e Maqedonisë nëpër strukturat euroatlantike. Përfundimisht, kryeministri duhet të jetë më shumë vizionar se sa nacionalist! Ecja nënkupton lëvizje në një drejtim! Kjo lëvizje bëhet me hapa! "Rilindja në njëqind hapa"! Kah po drejtohet kjo rilindje maqedonase! Pa dyshim, duhet të orientohet kah platforma kombëtare e PDSH-së! Pa këtë platformë si çelës i mirëqenies dhe i prosperitetit, dryri mund të ndryshket!