Prokurori apo parti politike drejton Ina Rama?

Keqpërdorimi i institucionit të akuzës ka marrë një çertifikim ndërkombëtar me refuzimin e institucioneve homologe të disa shteteve të Evropës, për të marrë në shqyrtim kërkesën për hetimin e shtetasit britanik Damir Fazlliç për pastrim parash. Prokuroritë e Gjermanisë, Francës e Gjibraltarit e kanë cilësuar kërkesën e Ina Ramës si joprofesionale dhe tejkalim kompetencash
Çdo ditë që kalon, mbi prokurorinë bie hija ideologjike e politike e një partie politike. E veçanta e kësaj partie politike është e lidhur me gangsterë politikë, banditë, dështakë e paranojakë, të cilët janë grumbulluar nën egidën e kryeprokurores Ina Rama. E tamam me parametrat e një partie politike, këtu nuk po zbatohet ligji, por po bëhet e ashtuquajtura politikë penale mbi dosjet, mbi njerëzit apo mbi lidhjet e krimit. Kështu, kur dosjet bëjnë fjalë për kriminelë e banda që janë “me biografi të mirë”, pra janë miq të shkuar a të sotëm të anëtarëve të këtij komiteti partie, atëhere dosjet mbyllen, personat nuk ndiqen, madje u çohet edhe nga një haber i lehtë, që të ruhen, të kenë kujdes... Ndërsa, kur “Objekti” është me biografi të keqe, ndaj tij nuk kursehet edhe shpifja, pale abuzimi me ligjin.
Ina Rama, e sponsorizuar nga bota e krimit dhe e gangsterëve politikë, që përpiqen të mbeten në lojë, për sot e për nesër, e ka keqpërdorur prokurorinë në shkallën më të lartë që është shfrytëzuar ndonjëherë posti. Kretinët politikë e kanë futur atë në bashkëpunimin që ajo të heshtte për ekspertizën amerikane rreth vdekjes së Trebickës dhe t’i jipte zjarr veç sulmit të së majtës e vajtimeve të saj për këtë ngjarje. Por ndërsa këtë e realizuan me sukses, duke e nxjerrë edhe kryetarin e PS-së, edhe turma, ata nuk ia dolën me mashtrimin e tyre që ta rrëzonin versionin e ekspertizës amerikane e ta zëvendësonin atë me një ekspertzi, nga familjet e kriminelëve. Për 3 javë me radhë, Ina Rama e fshehu të vërtetën mbi vdekjen e Trebickës, pasi me porosi të ustallarëve ajo duhej të dilte nga ky dështim dhe skenari shpëtimtar u gjet, u shpif çështja “Fazlliç”. Biznesmeni Fazlliç, qytetar britanik, u ndje befasisht i sulmuar, krejt si nga një prokurori e diktaturave afrikane, edhe pse ai s’kish pasur kurrë ndonjë problem me bizneset e tij, në asnjërin prej shteteve ku kishte vepruar e punuar. Duke shpifur dhe shpikur çështjen “Fazlliç”, ustallarët që e mashtrojnë vazhdimisht, duke pretenduar se janë një klan i madh, i fuqishëm, që bëjnë ç’të duan në Shqipëri, ata kanë veç një qëllim, të garantojnë karrierën e tyre politike, por këtë ku e çon mushka, që po e zëvendëson moralitetin ligjor me zbatimin e urdhrit të komitetit të partisë.
Ajo ngriti akuzën për Fazlliçin si parelarës, paçka se këtë akuzë nuk e kishte bërë kurrë për Bandën e Lushnjes, që ajo e njeh mirë. Pra, ajo mori një porosi politike të menazherit të saj, dhe nga manipulimi i vdekjes së Trebickës kaloi në një manipulim të dytë, në manipulimin, shpifjen e përdorimin e institucionit të saj për një çështje pa çështje, si ajo e Fazlliçit. Mirëpo, akuzat për Fazlliçin si parelarës, ajo i dërgoi duke shfrytëzuar e keqpërdorur institucionin e prokurorisë, edhe në shtete të tjera, si në Zvicër, Gjermani, Serbi, Gjibraltar, Kroaci, Mali i Zi, Francë, etj. Sigurisht, të parën ia nisi autoritetit për parandalimin e pastrimit të parave, në Republikën e Shqipërisë, e cila zyrtarisht, në përgjegjësi të plotë ligjore, profesionale, me dinjitet dhe integritet, kërkesës së prokurorisë me numër protokolli 6059, datë 9 tetor 2008, i përgjigjet: “Nuk rezulton asnjë raport transaksioni të dyshimtë në bazën tonë të të dhënave, në emër të Damir Fazlliç dhe të personave të tjerë, fizikë apo juridikë, të listuar me kërkesën tuaj për informacion”. E po të njëjtën përgjigje, bile me nota fyese për prokurorinë - që e nxjerrin nga pikëpamja profesionale Ina Ramën, jo prej Durrësi, por prej Rrushkulli - japin homologët e këtij sektori nga Zvicra, Gjermania, Gjibraltari, Franca e gjetkë. Të gjitha shprehin se nuk ka asnjë raport të dyshimtë, madje disa thonë se kërkesat janë të hartuara në mënyrë joprofesionale, se u mungon interpretimi ligjor apo ka tejkalime në kërkesë, në raport me bazën e nisjes së procesit. Madje, Gjibraltari dhe homologët e atjeshëm të pastrimit të parave nuk kuptojnë pse u ka vajtur kërkesa, pasi atje ai ska asnjë kompani. E po kështu Qiproja, Italia, Mali i Zi...
Kjo kryeprokurorja që ka ngritur në këmbë tërë këto shtete, vetëm se i tha një politikan i lartë partiak, vetëm se i tha interesi i një partiaku të dytë, të tretë..., përse nuk ka kërkuar të dijë rreth Sudes së Durrësit, nëse ka pastruar para në Itali, përse nuk ka kërekuar të kuptojë e të informohet se nëna e Artan Gjermenit, që u gdhi normale, a ka pastruar para? A ka mbyllur ndonjë dosje kjo zonjë, të mafiozëve të Durrësit?
Ja pra, çështja Fazlliç doli ashtu siç e kemi thënë ne, një hiç. Për këtë dhe çështje të tjera, debati, dialogu dhe informacioni i gazetës me këtë temë, do të vazhdojë rreptësisht në numrat e ardhshëm.