Epoka postindustriale dhe etnosi shqiptar
Sajber (Cyber) epoka është gjë e mrekullueshme. Nuk duhet të hulumtosh nëpër biblioteka duke i humbur ditët e ditët në kërkim të ndonjë titulli, i cili më në fund nuk e përmban atë që e kërkon ti. Po ashtu, sajber epoka ta mundëson hyrjen në të gjitha galeritë e botës pa lëvizur nga karrika. Të gjithë popujt e rëndësishëm të këtij rruzulli tokësor i kanë formuar thesarët e tyre virtualë. Ku jemi ne? Nuk ka shans që, duke hulumtuar online të gjesh ndonjë sajt të tillë që ka të bëjë me shqiptarët.
Kjo nuk është epoka e parë teknologjike që po na kapërcen. Para kësaj ka qenë ajo e shoqërisë industriale e cila e krijoi, mes tjerash, edhe pop-kulturën, e cila as që na ka prekur. E para asaj epoke kaluan edhe shumë epola të tjera. Ku jemi ne sot? Askund. Ne gjendemi ende në fazën religjioze të cilën popujt e Perëndimit (nëse nuk gaboj, më duket se, së paku, deklarativisht, jemi nisur për tzu kthyer në Perëndim!) e kanë tejkaluar me shekuj përpara.
Gjithmonë më ka ardhur çudi, duke i shfletuar veprat ose fragmentet e veprave të autorëve antikë si dhe veprat e autorëve modernë që kanë të bëjnë me historinë antike, se si është e mundur që Luftërat iliro - romake të mos e zënë as gjysmen e faqes të ndonjë vepre voluminoze mbi historinë e botës. Ne nuk kemi shkruar për vetveten. Kemi pritur që për ne shkruajnë të tjerët.
Sot, në një epokë krejtësisht tjetër kur dija qarkullon me një shpejtësi virtuale, po ndodhë e njëjta gjë. Me atë dallim që, ndryshe nga epokat e përparshme, nuk do të ketë kohë më për riprovim. Sepse, ose do të kyçemi në rrjedhat botërore të civilizimit, ose do të bijmë në harresë definitive. Mund të kemi iluzione për vetveten, por, duhet të jemi realë dhe të konstatojmë se, realisht, nuk gjendemi as në skajin, të mos them bishtin, e civilizimit bashkëkohor.
Një ditë, e kërkova një term indoeuropian --berg- dhe paralelet e tija -breg, brig- në gjuhët e ndryshme indoeuropiane. Mungonte vetëm një krahasim, dihet cili, ai iliro - shqiptar. Jo sepse nuk ekziston, e përdorim çdo ditë, por, nuk kishte kush të merret me këtë çështje. Sepse ne kemi çështje shumë më të "rëndësishme". Ne nuk e kemi braktisur ende stadiumin e vetëdijes. Nuk na brengos fare problemi qenësor e ky është se a do të mbijetojmë ne si identitet etno - kulturor. Ne jemi, ndoshta i vetmi etnos i cili nuk ka pasur shtresë intelektualësh disidentë në kohërat e diktaturave që e kanë asgjësuar fizikisht dhe intelektualisht etnosin tonë. Intelektualët tanë më të njohur i kanë ndërtuar karrierat të mbrojtur nga hija e shinjellave totalitaristë. Dy disidentë të vetëm me të cilët mund të mburremi para botës, Fan Noli dhe Gjergj Fishta, gati janë dëbuar në ilegalitetin e vetëdijes sonë kolektive. Është bërë thuajse krim vetëm të përmenden emrat e këtillë. Ne jemi i vetmi popull (mendoj për popujt e qytetruar) i cili sot bën garë me vetveten sa kisha e xhamia do të ndërtojë. Thuajse, jemi izoluar plotësisht nga bota reale ku njerëzit qysh tani përgatiten ti themelojnë komunitetet e para në Gjithësi.