Aplikimi për në BE, Berisha: Do të dorëzohet në fund të qershorit

Shqipëria do të aplikojë deri në fund të qershorit për statusin kandidat për në Bashkimin Europian. Kështu është shprehur Kryeministri shqiptar Sali Berisha për agjensinë France Press. Sipas tij Çekia që mban edhe presidencën e BE-së, në parim ia ka dhënë "ok" Shqipërisë, që deri në fund të qershorit të aplikojë për statusin e vendit kandidat, edhe pse data nuk është caktuar ende. Kryeministri Berisha ka shtuar gjithashtu se vendet anëtare të BE-së, duke e frenuar kandidaturën e Shqipërisë, mund të zhgënjejnë shqiptarët. Sipas kryeministrit shqiptar, 96 përqind e qytetarëve mbështesin hyrjen në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian në deklaratat e tij gjithmonë është shprehur se mbajtja e zgjedhjeve të lira është një nga prioritetet që Shqipëria të konkurrojë për statusin e vendit kandidat.