E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi për strehim në bashki apo njësi bashkiake

19/08/2011  Cilat janë normat e strehimit dhe niveli i të ardhurave që duhet plotësuar nga familjari

Kushdo mund të aplikojë për strehim pranë bashkive ku banon. Mjafton që për t’u shpallur fitues të dhënat t’i kenë në përputhje me kërkesat ligjore për pajisjen me banesë nga shteti. Ndaj ajo që duhet të bëni është një verifikim i të dhënave tuaja, të cilat duhet të jenë në përputhje me kushtet mbi gjendjen e strehimit. Aplikimi për strehim bëhet pranë bashkisë ku jeni të regjistruar.

Plotësimi i formularit

Ju duhet të plotësoni formularin për fazën e parë të aplikimit. Në këtë fazë, nuk është e nevojshme të dorëzoni dokumentacion verifikues, por vetëm një deklaratë mbi vërtetësinë e të dhënave tuaja. Ju mund të përcaktoni programin ku doni të përfshiheni, si banesa sociale me qira, bonus i strehimit, banesa me kosto të ulët, apo truall i pajisur me infrastrukturë. Trajtimi juaj me njërin prej programeve varet nëse në bashki ka programe strehimi në zbatim ose jo, nëse programi është i përballueshëm financiarisht për ju ose jo, nga numri i kërkesave që e bën të nevojshëm seleksionimin me sistem pikëzimi. Nëse jeni përzgjedhur në fazën e parë, do t’ju vijë njoftimi nga Bashkia për t’u paraqitur për plotësimin e fazës së dytë të formularit. Në këtë fazë të gjitha të dhënat duhet të jenë të mbështetura me dokumentacion. Nëse nga dokumentacioni rrjedhin fakte të ndryshme nga ato të deklaruara, bashkia mund t’ju skualifikojë. Nëse nuk jeni përzgjedhur dhe keni pretendime mbi procedurën e përzgjedhjes, mund të ankoheni pranë strukturave vendore. Kushtet që mund t’ju çojnë në përjashtim janë gjendja e strehimit do të thotë kur ju nuk dispononi banesë në pronësi dhe banoni me qira, ose në ndonjë formë tjetër, kur dispononi banesë në pronësi, por banoni nën normat e strehimit. Gjithashtu kusht përjashtimi mund të jenë edhe të ardhurat familjare. Niveli maksimal dhe minimal i të ardhurave të familjes përcaktohet për çdo program që zbatohet dhe bëhet publik nga bashkia përpara se të fillojë procedura e përzgjedhjes së aplikantëve. Nëse të dhënat tuaja nuk janë brenda kufijve të normave të strehimit dhe nivelit të përcaktuar të të ardhurave familjare mund të përjashtoheni automatikisht. Sa i përket statusit social është njëri nga statuset e përcaktuar në nenin 5 të ligjit nr. 9232/2004 dhe ky kusht përbën kriter pikëzimi.

Përzgjedhja

Struktura në bashki, siç është Drejtoria e Strehimit, ose sektori i shërbimeve bën evidentimin e aplikimeve që janë dorëzuar. Më pas miratohet sistemi i pikëzimit. Ngrihet Komisioni i Strehimit, në përbërje të të cilit duhet të ketë përfaqësues të shoqatave që mbrojnë interesat e grupeve të veçanta, siç janë jetimë, të verbër, paraplegjik. Komisioni, çdo personi që ka aplikuar për banesa sociale, i vendos pikët e grumbulluara dhe bën radhitjen. Struktura në bashki harton materialin me renditjen sipas pikëve dhe e vendos në një vend të dukshëm për të pritur ankesat. Më pas, lista përfundimtare i kalohet Këshillit Bashkiak për miratim.

Rregullat

Aplikimi për banesë sociale apo për banesë me qira kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës, ose në njësitë bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës. Kriteret që duhet të plotësohen për t’u klasifikuar dhe për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë disa dhe tregojnë pamundësitë e familjeve për të jetuar. Kështu, familjet që me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus qiraje për qytetarët që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh (familje, të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar te aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan kjo e fundit.

Përcaktimi i qirasë

Kur banesat sociale me qira financohen nga buxheti i shtetit ose buxheti i bashkive apo kombinimi i të dyjave, masa e qirasë, e shprehur në lekë/m2 sipërfaqe ndërtimi, llogaritet nga zyra përkatëse në bashki, brenda kufirit dhe miratohet me vendim të Këshillit Bashkiak, sipas metodikës që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Qiraja mbulon kostot e administrimit dhe të mirëmbajtjes. Qiramarrësi, përveç qirasë, paguan për të gjitha shërbimet e tjera që lidhen me shfrytëzimin e banesës. Këshilli Bashkiak miraton rregulloren për shfrytëzimin e banesave sociale me qira nga qiramarrësit, ku përcaktohen, me hollësi, të drejtat dhe detyrat e qiramarrësit dhe të entit menaxhues. Masa e qirasë vjetore nuk duhet të jetë më e madhe se 4 për qind e kostos së ndërtimit të banesës nga shteti, për banesat e reja, apo 4 për qind e vlerës së banesës të blerë në treg. Për objektet e dala jashtë funksionimit dhe ato të kthyera në fond banesash sociale me qira, masa e qirasë përcaktohet nga këshillat bashkiakë, bazuar në vlerën kapitale të transferuar dhe kostot e ndërhyrjes për përshtatjen e tyre. Kur banesat sociale me qira financohen nga burime të tjera, masa e qirasë, e shprehur në lekë/m2 sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet për çdo rast specifik, në bashkëpunim ndërmjet subjekteve që kanë financuar dhe bashkisë ku zbatohet projekti dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›