E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita s’e kalon dot krizën me telefonin e prishur

Apeleve të përsëritura nëpërmjet deklaratave mediatike, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i ka dërguar dje një letër kryesocialisti Edi Rama ku i bën edhe njëherë thirrje që të revokojë ndryshimet e mbështetura prej tij dhe deputetëve socialistë në Kushtetutën e vendit. Përvecse një dështmi e marrëdhënieve hermetike tashmë mes dy liderëve kryesor të së majtës shqiptare, letra e Metës përbën edhe një alibi shtesë për këtë të fundit kur të vijë edhe momenti final i divorcit të pashmangshëm dhe formalizimi i polit të tretë politikën vend. Duke theksuar se ka ndjekur me mjaft interes ftesat e herëpashershme që Rama ka lëshuar gjatë dialogut të tij në bazë për një bashkim të ri, Meta shkruan se në parim ato janë “përpjekje të lavdërueshme, por që, për fat të keq, kanë dhe shumë pika të errëta”. “Unë do t’ju pyesja: Mos po na thërrisni në këtë sezon të ri bashkëpunimi, që të përmbushim edhe çështjet e tjera të axhendës opozitare, përveç zgjedhjes së presidentit që me votat e partisë që drejtoni u mor nga Berisha, zgjedhjeve të parakohshme që nuk u realizuan kurrë, e reformes zgjedhore, që ju e bëtë përsëri vetëm me Berishën, çështje për të cilat kishim nënshkruar një “marrëveshje historike”, të vitit 2006, që ju e keni cilësuar si “më të qënësishmen e politikes së re” ? Apo, po na thërrisni për të koordinuar veprimin opozitar, për të larguar kryeministrin e korruptuar të Gërdecit, por këtë herë jo me protesta pa zë? Nëse është kjo e fundit, le t’ja nisim urgjent, që sot, pa humbur asnjë minutë, dhe më së pari me mbrojtjen e Kushtetutës së shembur e të përçudnuar në natën e errët të 21 prillit, në tradhëti të plotë nga 115 deputetë, të cilët përbaltën vullnetin e një milion shqiptarëve që e votuan atë në vitin 1998. Le të bashkohemi një orë e më parë, për të ndrequr atë që ju shkatërruat, nga naiviteti, moskuptimi apo shantazhi, së bashku me Sali Berishën, në një përpjekje të paprecedent në historinë e pluralizmit politik. Ne kemi rastin të materializojmë “Bashkimin e ri” që po kërkoni ju, në një inisiative konkrete, idealisht të denjë për çdo mision opozitar: Për t’i kërkuar përsëri popullit shqiptar të vendosë ai dhe vetëm ai për ligjin themeltar të shtetit. Le ta nisim “Bashkimin e ri”, zoti Rama, me bashkimin e firmave të deputetëve tuaj me kërkesën tonë për organizimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese! Kjo thirrje edhe mund t’ju verë në vështiresi, marrë në konsideratë rolin tuaj në këtë zhvillim, por nëse qetesisht vleresoni çfarë ka ndodhur dhe se çfarë ne kërkojmë, atëherë me siguri, nuk ka asnjë arsye parimore për ta kundërshtuar. Ne kërkojmë thjesht dhe vetem t’i japim demokracisë dhe qytetarëve një mundësi më shumë. Ne kërkojmë që aleatet tanë të mundshëm të së nesermës, të paktën, të pastrojnë ndërgjegjet e vrara e t’i kthejne popullit të drejtën me të ligjshme, atë të votes, t’i japin popullit të drejten të shprehet për Kushtetutën e tij” - shkruan në letrën e tij kreu i LSI-së. Sipas Metës duhet që te jetë populli ai që të vendosë nëse pranon, që Kushtetuta e vendit të tij të jetë e kundërta e asaj që fitoi në referendumin e vitit 1998, të përmbyset me qellimin e vetëm për të çimentuar pushtetin e qeverisë aktuale përmes “ndryshimit të neneve 104 e 105 lidhur me mocionin e besimit e mosbesimit të kryeministrit, nëpërmjet të cilëve parlamenti humbet kontrollin ndaj kryeministrit, dhe me ndryshimet që ju keni bërë, Kryeministri bëhet i paprekshem, i pandryshueshëm, dhe jo vetem kaq, por mban në çdo moment nën shantazh parlamentin, duke kërcënuar me shpërndarjen e tij”. ”Duke i shtuar këtyre ndryshimeve edhe sistemin zgjedhor të listave të mbyllura, si edhe ndryshimin e zgjedhjes se Presidentit të Republikës me një shumicë të thjeshtë partiake, ju i jepni mundësinë Sali Berishës, jo vetëm të gëzojë shkatërrimin e të gjithë sistemit demokratik të kontrollit e të balancës që kishte Kushtetuta e vitit 1998, por e shndërroni atë në kontrollues të të gjitha institucioneve të shtetit, ju asgjësoni thelbin e shtetit të së drejtës dhe instaloni një shtet partiak dhe sundimin kryeministror të Sali Berishës. Le të vendosë populli, meqënëse ju e hoqet Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve nga Kushtetuta, nëse është dakord për ta vendosur këtë Komision nën tutelën e Ministrit të Brendshëm, siç deklaroi Berisha, e nëse është dakord, që votat t’i numërojnë partiakët fanatikë të administratës berishiane” - përfundon letrën e tij Meta.
Rama në Bruksel: Opozita e vetedijshme për rëndësinë e imazhit pozitiv të Shqipërisë/Kryesocialisti Edi Rama, i ka kthyer në njëfarë mënyre përgjigje kësaj letre nga Brukseli, ku edhe ishte dje për një vizitë pune. Sipas Ramës, Shqipëria duhet të përfitojë nga momenti pozitiv i marrjes së ftesës për në NATO duke aplikuar për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. “Shqipëria ka humbur shumë kohë për shkak të një politike të vjetër sherresh për interesa të politikanëve që janë fshehur para syve te popullit, i cili është marrë peng. Opozita është e vetedijshme për rëndësinë e imazhit të Shqipërisë dhe për paraqitjen e interesave te shqiptarëve përtej interesave të ditës. Sot unë shpreha para një audience të rëndësishme bindjen time se ne duhet që ta nxisim procesin e integrimin duke përshpejtuar hapat dhe nxitur qeverinë që të aplikojë për statusin e kandidatit, duke filluar nga vjeshta e ardhshme” - deklaroi Rama.
Shkaqet kryesore të ndarjes dhe lufta e pashpallur për rrëmbimin e elektoratit/Marrëdhëniet mes kryesocialistit Edi Rama dhe kreu të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në këto 3 vite opozitë, nuk kanë qenë asnjëherë idilike. Pavarësisht se nuk ka kontestuar publikisht mënyrën e zgjedhjes së Ramës në kongresin e jashtëzakonshëm të 8-9 tetorit 2005, duke e cilësuar atë si një çështje të brendshme të selisë rozë, Meta ka qenë në tërësi skeptik nëse Rama do të mundte që të triumfonte mbi mentalitetin e ashpër antiLSI-së që mbizotëronte në PS sidomos pas humbjes së zgjedhjeve. Ka qenë pikërisht ky skepticizëm që bëri që LSI të ishte e vetmja forcë parlamentare e opozitës që nuk do t’i bashkohej marrëveshjes së parë opozitare firmosur në mesin e muajit prill 2006 në ambjentet e Hotel-Tiranës. Akt që do të plotësohej vetëm pas një muaji e gjysmë, gjithësesi mes shumë dyshimesh. Fryma e mosbesimit shoqëroi edhe negociatat tejet të vështira për ndarjen e zonave elektorale, formulë që dështoi në mënyrë të bujshme kryesisht në jug të vendit, duke bërë që në mjaft raste e majte të humbiste edhe në bastionet e saj historike. Zgjedhjet presidenciale, ishin një tjetër momenti i rëndësishëm në të cilën opozita dhe kryesisht boshti PS-LSI, dëshmuan një mungesë të theksuar kohezioni. Sigurisht që hedhja poshtë e kandidatit të LSI-së për President, Arian Zaimi nga Rama dhe nga Berisha, përbente edhe shkakun kryesor të konfliktit. Kjo kandidaturë ishte një shans më shumë për të majtën dhe LSI-në, por duket se nuk ia fali kryesisë së PS-së që nuk e mori në konsideratë propozimin e saj, i ashtuquajturi pakti PD-PS, në lidhje me reformën zgjedhore është proklamuar si molla e fundit e sherrit e cila nuk mundej që të tolerohej. Më shumë sesa një vendimmarrje e ngushtë, ajoq ë e shqeteësonte lidershipin e LSI-së ishin lsitat e mbyllura zgjedhore. Meta ishte shprehur vazhdimisht për lista të hapura, çka sipas tij i jepnin mundësinë të përzgjedhë deputetët që do ta përfaqësojnë partinë në Parlament pas daljes së rezultatit. Në një kohë që kryesocialisti Rama ngulmonte tek lista të mbyllura, duke e etiketuar sistemin aktual si të dalë mode. Dhe në takimin e fundit që Rama dhe Meta kanë pasur për këtë çështje, më 12 shkurt, kjo ka qenë dhe pika më kryesore e debatit. Ky takim përbën edhe ndarjen faktike mes dy liderëve. Që atë ditë, Ilir Meta kryen sulim e parë të ahspër ndaj Ramës, duke e cilësuar këtë të fundit si “tradhtarin e interesave të së majtës” dhe shpallur daljen nga koalicioni opozitar që garoi në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007.Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, reagoi menjëherë në mbrëmje duke e ka cilësuar pjesë të politikës së vjetër këtë vendim të LSI-së. “Kjo nuk është koha e ndarjeve të vjetra, por e një bashkimi të ri. Kjo nuk është koha e llogarive të vogla partiake dhe lojërave të vjetra politike, por e ndërtimit të një politike të re të qytetarëve të tradhtuar 17 vjet nga politika e politikanëve” - deklaroi Rama në reagimin e tij. Faktori “Gjinushi” ka qenë në mënyrë konsttrantye një katalizator tensionim mes dy forcave politike. Në zgjedhjet e fundit lokale socialdemokratët rezultuan që të ishin partia më e dëmtuar si pasojë e mosfunksionimit si duhet të koalicionit në bazë. Nëse ishte një prerje në besë nga socialistët apo vetë Meta fitoi pikë në terrenin e majtë, duke treguar se ishte partia e dytë e së majtës, kjo ishte një pyetjeje që kreu i PSD-së u përgjigj pak muaj më vonëkur deklaroi hapur pakënaqësinë ndaj LSI-së dhe në deklaratat e tij bënte opozitarin brenda opozitës. Në këtë pikë mes LSI-së dhe PSD-së ka pasur gjithmonë një luftë të pashpallur, për t'iu afruar sa më shumë vendit të dytë. Por jo vetëm kaq, drejtuesit e PSD-së ndonjëherë ishin dhe delfinët e kryesisë së PS-së për aleatët e tjerë të majtë. Aq sa në ndonjë moment deklaratat e Gjinushit për LSI-në dukeshin sikur dilnin nga zyra e kryetarit të PS-së. Dhe së fundi, ka edhe një arsye tjetër që çoi LSI-në dhe PS-në deri në humbjen e komunikimit normal me njëra-tjetrën. Deklaratat për rrugën Durrës-Kukës ishin jo vetëm të pakoordinuara, por edhe shprehnin sesa larg ishte PS nga LSI. Selia rozë e ktheu në kalin e betejës kundër qeverisë ndërtimin e kësaj rruge. Ndërsa LSI me një logjikë të ftohtë pranoi se, në radhë të parë rruga duhet të ndërtohet menjëherë, ndërsa për shkeljet të fliste drejtësia. Të gjitha këto tregojnë se mes së majtës ndarja kishte kohë që kishte nisur. Ndërsa deklaratat e fundit janë ato që nuk mund të mbaheshin dot më mbyllur në selitë të dy partive. Tani vetëm pritet të shihet sesi do të funksionojnë dy partitë, PS-ja pa LSI-në dhe LSI-ja pa PS-në. Një arsye më e fshehtë e ndarjes PS-LSI, që vetë Meta dhe të tijtë e perifrazuan vcetëm kohët e fundit, është mosndarja e pushtetit në Këshillat Bashkiakë kue majta ka shumicën. Ndarja e posteve në pushtetin vendor pas fitores, tregoi se aleatët vlejnë vetëm për të marrë votat. Socialistët preferonin t'i jepnin votat në Këshillin Bashkiak më mirë për demokratët e republikanët sesa për LSI-në. Ndërsa një gjë e tillë u përsërit dhe nga LSI, kur nuk gjetën mbështetjen e socialistëve. Një pikë që tregoi se e majta mund të punojë bashkë për të ardhur në pushtet, por kur vjen puna për ta ndarë atë, ndahen dhe vetë. Debati për postin e kryeministrit të ardhshëm, pavarësisht se është naatemtuar si nga Rama edhe nga Meta se është një problem real, ka dhënë gjithësesi kontributin në këtë marrëdhënie të vështirë. Në prapaskenë Në rast fitoreje, kush prej dy liderëve do të ketë fatin të ulet në karrigen e kryeministrit. Rama ka gjithë moralin e kryetarit të forcës politike më të madhe që ka fituar zgjedhjet. Ndërsa Meta, tashmë i sprovuar në zyrën e kryeministrit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ka dhe ai arsyet e veta. I tha lamtumirë pushtetit në 2003-shin dhe patjetër që prej 6 vitesh ka punuar për atë vend. Por debati nuk u la deri në fund. Deputetët e LSI-së kanë deklaruar në kohë të ndryshme se Meta meriton të jetë kryeministër. Aq më tepër që Rama ka dhe një kontratë me qytetarët e Tiranës si kryebashkiak. Ndërsa hapin e fundit, që nuk e prisnin as vetë një pjesë e deputetëve të PS-së, e bëri vetë Rama, teksa deklaroi në një intervistë televizive se ishte i gatshëm të bënte dhe detyrën e kryeministrit. Kjo deklaratë duket bëri dhe një tjetër krisje mes marrëdhënieve të Ramës dhe të Metës. Një krisje që është dhe më e rrezikshmja, pasi prekte ambiciet personale. Si rrjedhojë e kësja lufte të brendshme nervash, u evindeëtuar edhe një moskordinim kronik i luftë politike në Kuvendin e Shqipërisë për çështje të ndryshme dhe sidomos për çështjen e shpenzimeve për rrugën Rrëshen-Kalimash, pjesë e veprës kombëtare Durrës-Kukës- Morin. Shpesh, ajo që për socialistët ishte e papranueshme dhe nuk negociohej me Berishën ndonjëherë, për LSI-në mund të pranohej. Një rasti i pastër ishte ai i tryezës për roformën në sistemin problematic të drejtësisë. Por nuk munguan edhe raste të tjera kur kundërshtitë brenda kampit u shfaqën qartë, si në zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Që prej mesit të muajit shkurt, pavarësisht interferimit të ngjarjes tragjike të Gërdecit, PS-ja dhe LSI-ja kanë zhvendosur gradualisht në terren luftën për të marrë sa më shumë mbështetje tek elektorati i lëkundur. Me tezën e një “politike të re”, kryetari i PS-së, Edi Rama, u është rikthyer për të dytën herë takimeve të tij në komuna dhe qytete të vendit. Turi i Ramës, duket i programuar në mënyrë të detajuar, duke ndjekur një kalendar të veçantë për diskutimin e temave të ndryshme. Megjithatë, në lëvizjet e tij në rrethe, kryesisht në zonat e pashkelura, por dhe në ato ku ka patur takime të tjera, Rama i ka mëshuar vizionit të tij për një politikë ndryshe, “përtej të majtës dhe të djathtës”. Dialogu për tema të ndryshme më shumë duket i fokusuar në tryezat e ngritura nga strukturat, sesa gjatë takimeve të kryetarit Rama. Megjithatë, ai ka preferuar që në këtë rast, përveç mesazheve për një vizion politik ndryshe të PS-së, të ketë mundësinë e takimeve direkte me banorët e zonave dhe prekjen nga afër të situatës në strukturat e PS-së. Mesazhet kryesore të tij janë përqendruar tek tranzicioni i gjatë politik dhe tek filozofia e vjetër politike e së shkuarës. Në bazë kryesocialisti ka shfaqur rolin e një drejtuesi të barabartë me popullin, “të pakënaqur” nga mënyra e bërjes politike deri më tani. Në këtë rast, duke shfrytëzuar perceptimin e qytetarëve, Rama ka një qëllim kryesor, rritjen e mbështetjes. Edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka shpeshtuar takimet e tij në rrethe, duke i kushtuar një pjesë të mirë të axhendës së tij politike. Së bashku me drejtues të tjerë të LSI-së, ai ka shkelur gjatë kësaj kohe në një pjesë të mirë të zonave ku forca e drejtuar prej tij ka një mbështetje të konsiderueshme të elektoratit të majtë. Pas prishjes, de jure të marrëveshjes së koalicionit të majtë, Meta ka rritur akuzat në adresë të kryesocialistit, duke e akuzuar atë se po bashkëpunon me Berishën në dëm të interesave të vendit. Me të njëjtën strategji, por me argumente të tjera, Meta ka vendosur në njërën anë të peshores kryesocialistin Rama dhe Kryeministrin Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›