E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Hetimet për Gërdecin risjellin në skenë projektin e drejtë të shumicës për kufizimin e imunitit parlamentar

Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për nisjen e hetimit penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me ngjarjen e Gërdecit, ka rihapur debatin për çështjen e kufizimit të imunitetit të deputetëve në rastet e akuzave për korrupsion. Rreth tre vjet më parë, maxhoranca e djathtë, e ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme të 3 korrikut 2005, inicoi nismën ligjore Për kufizimin e imunitetit të deputetëve, me qëllim luftën pa kompromis kundër korrupsionit. Kjo nismë, e paraqitur në Kuvend në nëntor 2005, u shty pas debateve maxhorancë-opozitë, ku kjo e fundit kërkoi një ekspertizë ligjore të draftit nga Komisioni i Venecias, pasi sipas saj, kishte probleme "me kushtetueshmërinë". Për të vlerësuar shqetësimet e opozitës së majtë, në mars 2006 p/ligji iu dërgua Komisionit të Venecias, si një institucion i rëndësishëm në Europë i ekspertizës ligjore. Pas shqyrtimit të projektit, Komisioni sugjeroi që ndryshimi të bëhet me 84 vota në Kuvend dhe pa ndonjë përcaktim nëse për të duhej ndryshimi në Kushtetutë, sikurse pretendohej nga opozita. Në tetor 2007, drafti i shumicës, i cili reflektonte sugjerimet e bëra nga ekspertët e Komisionit të Venecias, paraqitet për miratim në komisionet e përhershme të Kuvendit. Përfaqësues të maxhorancës e konsideruan p/ligjin një angazhim të saj "për të ecur në hullinë e rezolutës së KE-së, që kërkon kufizim të imuniteteve të njerëzve me imunitet, në kuadër të luftës kundër korrupsionit”. Drafti i paraqitur për shqyrtim në komisionin e Ligjeve, sipas relatorëve, "ishte një përshtatje e plotë e praktikës gjermane, e cila lejonte zhveshjen e deputetëve nga imuniteti, vetëm për hetim. Në të gjitha rastet kur prokuroria fillon hetimin ndaj një deputeti Prokurori i Përgjithshëm është i detyruar të informojë paraprakisht deputetin dhe Kryetarin e Kuvendit për fillimin e hetimit. Drafti e kufizon veprimin e tij vetëm për veprat penale që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës", shpjegohej në p/ligj. Në tetor 2007, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e imunitetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, në kuadër të hetimeve për segmentin e rrugës Rrëshen-Kalimash, ku ai do të hetohej për periudhën kur drejtonte Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve (MPPTT). Kjo kërkesë e Prokurorisë u miratua me shumicë votash në Kuvend në dhjetor 2007. Pas kësaj, maxhoranca sërish i bën thirrje opozitës që "standardin e vendosur me heqjen e imunitetit të z. Basha, ta kthejnë në ligj bashkarisht" Ndërkohë, që dje Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke pohuar procedurat që do të ndiqen nga parlamenti lidhur me kërkesën e Prokurorisë "për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu", mbrojti kërkesën e bërë më parë nga PD për heqjen e imuniteteve të deputetëve, sa herë kjo të kërkohet nga organi i akuzës. "Është rasti për të thënë sesa të drejtë kemi pasur kur kemi kërkuar në fillim të 2005-s heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët", u shpreh kryeparlamentarja për mediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›