Topi: Është momenti i kthimit të besimit te Prokuroria, që për shumë vite ka qenë e politizuar
Presidenti Bamir Topi komentoi dje punën e organit të akuzës, pas kërkesës së bërë për heqjen e imunitetit të ish ministrit Mediu, duke besuar në paanshmërinë e këtij instirucioni. Kreu i shtetit i ka bërë komentet dje pas urimit që u ka përcjellë besimtarëve ortodoksë në Kishën Ortodokse. Kreu i shtetit vlerësoi se Prokuroria po bën një punë korrekte dhe kjo vërteton dhe paanshmërinë e saj. “Nuk ka më ndikime nga politika, mendoj se është momenti i kthimit të besimit te Prokuroria”, tha Topi. Prokuroria e Përgjithshme është vënë në vëmendje të mediave dhe opinionit publik kohët e fundit për shkak të disa dosjeve shume të rëndësishme që prokurorët e saj kanë marrë përsipër të zbardhin.Bëhet fjalë për dosjen “Gërdeci”, për “Rrëshen-Kalimash” etj. Më parë, Prokuroria ka qenë në qendër të akuzave të shumicës parlamentare, gjatë periudhës që në krye të saj ishte Theodhori Sollaku i cili u shkarkua po me kërkesë të mazhorancës para disa muajsh nga detyra Prokurorit të Përgjithshëm. “Në këtë ditë unë pyetem për Prokurorinë, por gjithsesi do të jem korrekt me ju dhe do t’ju përgjigjem. Unë mendoj që Prokuroria po bën një punë korrekte. Jemi mësuar gjithmonë që t’i trajtojmë gjërat politikisht edhe për institucione, të cilat janë ligjore dhe kushtetuese, ku në radhë të parë nuk bëhet politikë, por punohet me profesionalizëm. Unë do të doja që të gjithë politikanët me radhë, që shtatëmbëdhjetë vjet i kemi dëgjuar duke u shprehur nga mëngjesi deri në mbrëmje për shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, në momentin kur fillon të funksionojë ligji, të gjithë duhet ta përgëzojnë dhe të mos paragjykojnë. Unë besoj që ky është momenti më i rëndësishëm që të kemi besim, sepse sapo u shpreha për domosdoshmërinë e rikthimit të besimit. Të kemi besim tek institucionet, s’duhet të paragjykojmë asgjë dhe të presim që gjërat edhe në rastin konkret të hetohen dhe të trajtohen me shumë profesionalizëm. E rëndësishme është që sot, në prillin e vitit 2008, të jeni të sigurtë që nuk ka absolutisht asnjë lloj influence politike mbi këtë institucion, asnjë lloj influence klienteliste. Dhe ky është momenti i rikthimit të besimit tek ky institucion, i cili për vite me radhë ka qenë mjaft i politizuar”, vuri në dukje Presidenti Topi.