E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apokalipsi në Siri

Konflikti në Siri po bëhet gjithnjë e më brutal, me dëshmitarët të cilët përshkruajnë skena të tmerrshme të dhunimeve dhe të masakrave. Të dy palët kanë ndjenjën se loja përfundimtare po afrohet, por askush nuk e di se si ta luaj atë. Opozita ka filluar të diskutojë se çfarë lloj Sirie e dëshiron në të ardhmen, por disa nuk po e ndjejnë vetën mirë për shkak të fuqisë në rritje të Ushtrisë së Lirë të Sirisë.

Një helikopter po vazhdon të qarkullojë, si një insekt i tërbuar në nxehtësinë e mesditës. Më pas, helikopteri ulët më poshtë dhe shkrepë katër raketa. Më pas ai zhduket.

Shtëllungat e tymit ngritën në ajër. Një fushë është kapluar nga zjarri. 11 pjesëtarë të Ushtrisë së Lirië të Sirisë (FSA) dalin nga një shtëpi. Asnjë nga raketat nuk kishte qëlluar shtëpinë, apo automjetin e luftëtarëve, të parkuar afër shtëpisë.

Më vonë gjatë mbrëmjes, luftëtarët bisedonin për dorën mbrojtëse të Zotit, por piloti i helikopterit me gjasë ka pasur arsyet e tij për të mos vrarë kryengritësit, duke dërguar njëkohësisht një porosi të qartë: E di se jeni aty. Në fund, askush nuk e di se çka kishte menduar piloti më 10 qershor, kur kishte fluturuar mbi fshatin Harbal, në afërsi të qytetit Aleppo, në veri të Sirisë. Po të kishte vendosur piloti ndryshe, kryengritësit me gjasë do të kishin qenë të vdekur.

Është ky një moment i çuditshëm në makthin e dezintegrimit, të cilin aktualisht po e përjeton Siria. Pas 15 muajve që nga fillimi i revolucionit kundër diktaturës në vend, një kryengritje që u shndërrua në luftë, askush nuk është në gjendje të jap një përshkrim unik të situatës në këtë vend.

Në anën tjetër, ekziston një apokalips në formën e njësive të regjimit, të cilat po vazhdojnë fushatën e tyre vrastare nëpër fshatra, të ndihmuara nga forcat e qeverisë dhe “forcat e sigurisë”, të cilat japin urdhrat. Në raportin e publikuar javën e kaluar nga OKB-ja flitet për torturë, ekzekutime dhe përdorim të fëmijëve si mburojë të gjallë.

Në veri të vendit, fshatrat në afërsi të Aleppos janë sulmuar në vazhdimësi me artileri që nga fillimi i qershorit, e gjithashtu edhe nga helikopterët dhe aeroplanët luftarakë. Por në të njejtën kohë, ka pilotë, të cilët me qëllim nuk godasin shënjestrat e tyre. Prapa skenës së betejës, po bëhen marrëveshje diskrete. Pronarët e bizneseve në Aleppo po paguajnë si regjimin, ashtu edhe kryengritësit, për të qenë të mbrojtur.

Të gjithë këtu janë të sigurt se po afrohet loja përfundimtare, por askush nuk e di se si ta luaj atë. Këtu, në fshatrat dhe fushat mes Aleppos dhe kufirit me Turqinë, qeveria e Sirisë ka pushuar së ekzistuari.

Në një fshat, të quajtur Dabik, përfaqësuesit e nëntë qyteteve zhvilluan një debat, për herë të parë në jetët e tyre, për atë se si duhet të duket ardhmëria e Sirisë.

32 meshkuj tubohet në një zyre të braktisur të partisë Baath, e cila ende është në pushtet në Siri. Që të gjithë të pranishmit pajtohen se vendi ka nevojë për një kushtetutë qytetare, në të cilën njerëzit nuki do të definohen duke u bazuar në sfondin e tyre etnik apo religjioz, por duhet të definohen si qytetarë të Sirisë.

Por fillimi i ri delikat ngecë, kur njëri nga të pranishmit ngrit pyetjen se a duhet të lejohet kthimi i familjes së një mësuese alavite, e cili është larguar nga fshati para disa muajve.

“Natyrisht”, insistojnë disa. “Ajo nuk i ka bërë asgjë askujt”. Por fytyrat e disa të tjerëve ngrysen. “Ata kanë shumë gjak në duart e tyre”, thonë ata.

Vazhdon debati për çështjet tjera. “I jemi mirënjohës FSA-së, ajo na ka mbrojtur”, thotë një pjesëmarrës, “por nuk dëshirojmë që FSA të marrë pushtetin”. Një pjesëtar i FSA-së, i pranishëm në takim, e ndien vetën të fyer.

Ekziston një ndjenjë e pakëndshme sa i përket rritjes së fuqisë së kryengritësve, shpjegon Yassir Al Hajji, pjesëmarrës në takim. “Natyrisht se kemi nevojë për ta, por edhe kemi frikë nga ta”, shpjegon ai.

“Armatë e lirë-po çfarë nënkupton të jesh i lirë? I lirë të bësh çfarëdo që dëshiron?”, pyet Hajji.

Se çfarë lirie kanë pjesëtarët e FSA-së, kjo më së miri mund të shihet në burgun e improvizuar në Maraa. Këtu janë sjellë njerëz, të cilët akuzohen për dhunime, torturë dhe vrasje. Ata janë arrestuar në bazë të identifikimit nga ana e dëshmitarëve.

Përgjegjës për burgun është një ish-rreshter, i cili ka dezertuar nga ushtria, i njohur me nofkën Janbu. Ai thotë se është synuar të vendoset një sistem i drejtësisë në burg, por në fund thotë:”Në fund, ose mund t’i lirojmë, ose t’i vrasim”, duke shtuar se rreth 100 të burgosur janë liruar gjatë disa muajve të fundit.

“Po sa janë vrarë?

“Vetëm disa”.

“Po a rrahën të burgosurit?”

“Jo. Mirë, vetëm Falaka-goditje me shkop në këmbë”.

“Po shok elektrik?”

Janbu shpërthen. “Jo. Nuk jemi ne si ata. Nuk jemi si ata, ne nuk torturojmë”.

Një mashkull 21 vjeçar, i burgosur, futet në dhomë. Ai thotë se ishte i pranishëm, kur ushtria sulmoi qytetet Jisr Al Shughour dhe Idlib, verën e vitit të kaluar. Ai fillon të flas. Është vështirë të përcaktohet se a po fliste ai të vërtetën, apo thjeshtë po tentonte të shpëtonte lëkurën e tij. Në fund, dëshmia e tij përputhet me atë, të dhënë nga dëshmitarët tjerë.

“Koloneli i shërbimit të inteligjencës me zgjodhi mua dhe 14 të tjerë për një operacion, kinse si shpërblim për ne, por ishte një urdhër”, thotë ai.

“Dhe cili ishte operacioni?”

“Urdhër për të dhunuar femra, të cilat i kishin sjellë aty. Fillimisht ishin tri. Pjesëtarët e sigurisë i zhveshën ato dhe i dhunuan. Më pas ishte radha jonë, në dy ndërrime. Na thanë se do të na vrasin, nëse nuk e bëjmë”.

Gjykata do të marr vendimin për këtë njeri, thotë rojtari i tij.

Është ky realiteti aktual ekzistues në Siri, të cilin momentalisht askush nuk është në gjendje ta përshkruaj me një fjalë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›