Apologjia e përçartur e zonjës Leskaj
Zonja Valentina Leskaj, duke folur qetë dhe në mënyrë “arsyetuese” për ngjarjen fatkeqe të Gërdecit, përdori një shprehje që binte ndesh me arsyetimin e saj. Tha: “Berisha i vret njerëzit, pastaj i çon zjarrfikësit!”. Ka trajtën e një aforizme. Por është thjeshtësisht kontradiktore me logjikën më fillestare.
Çështja e Gërdecit i trishtoi të gjithë për 26 viktimat e saj dhe shumë e shumë të plagosur. Por shprehja e Valentinës ka kuptimin se është një ngjarje e qëllimtë. E. Hoxha, kur vrau me të pabesë Mustafa Gjinishin, a mos e deklaroi se ai dhe Miladin Popoviçi kishin dhënë urdhrin për vrasjen e Gjinishit? Aspak. Tjetër punë se në Pl.II të Beratit u detyrua të pohojë të vërtetën. A nuk ishte top sekrete ajo letra e Enverit që Llazar Fundon ta torturonin, pastaj ta vrisnin? Por ja që edhe ajo doli në fac símile. A nuk ngulmuan pasardhësit shpirtërorë të E.H.-s, se çështja e të ndierit Kosta Trebicka nuk ishte një aksident por ishte e qëllimtë? Ekspertiza amerikane e nxori aksident. Dhe që nga ai çast, kori i ngjarjeve „të qëllimta“ u shua. Dhe që nga ajo kohë Kasandrat e sotme e mbyllën sqepin.
Pyetja se kujt i interesonte politikisht aksidenti i Gërdecit, qeverisjes apo opozitës? – zonja Leskaj do t’i përgjigjej me vështirësi! Ashtu siç iu përgjigj zonjës Topalli me një mospërgjigje, për Delijorgjin dhe marrëdhëniet korruptive të Ramës me të! Dalja jashtë temës nuk është përgjigje, - siç e vuri në dukje, me të drejtë, zonja Topalli.
Një pyetje virtuale: - Sikur të mos kishte ndodhur ajo ngjarje, cilën do të gëzonte më tepër: Opozitën, apo qeverinë? Kjo pyetje nuk i bëhet Valentina Leskajt, por arsyetimit të shëndoshë të një të paanshmi. Kjo përgjigje, në këtë rast, do të merrte përgjigjen e natyrshme dhe të prerë: Fshirja e asaj ngjarjeje do t’i interesonte, në mënyrë kategorike e logjike, opozitës!
Edi Paloka i zuri mat pardje pjesëmarrësit e panelit, përballë Mustafa Nanos dhe Erion Veliajt, kur tha: “Sikur të sillnim, si në një film të xhiruar mbrapsht, gjer në çastin e disa sekonda para orës zero, e t’u thuhej një demokrati e një opozitari, “ta shkrepim apo jo?” - opozitari do të thoshte njëmijë herë po, ndërsa demokrati: në asnjë mënyrë!
E, në qoftë se do të shtrohej çështja, “kujt i interesonte”? - ajo përralla alogjike e vrasësit dhe e zjarrfikësit do të bëhej leckë nga La Fonteni, nga vëllezërit Grim apo nga Anderseni.
Në Poliçan, një grua ndezi një cigare në afërsi të municioneve për demontim dhe krijoi një shpërthim, viktimë e së cilës ishte ajo vetë, në radhë të parë. Në Qafë-Shtamë ndodhi një ngjarje si ajo e Gërdecit, në kohën kur ishin në fuqi ata që sot janë amatorë të shndërrimit të ngjarjeve të paqëllimshme, në të qëllimta. Të vrarët ishin dy, jo 26. Po sikur të ishin 27? Tipari i çmontimit të kapsollave është i njëjtë! Morali i fabulës, sikur Leskaj të ishte fabuliste, por me një përfundim logjik:
Shkaktari i vërtetë i këtyre ngjarjeve ishte Enver Hoxha i bunkerëve të panumërt, që la pa shtëpi kushedi sesa të pastrehë. Morali i fabulës ishte E, Hoxha, që e mbolli tokën tonë pëllëmbë e armatim, për të përballuar imperializmin amerikan (!). Morali i fabulës ishte E.H., një paranojak me mitomaninë e përndjekjes i cili, për të ruajtur karrigen e tij dhe të lakenjve të vet në piramidë, mbeti i vetmuar dhe tani mbahej nga flokët e vet, për të mos u mbytur!
Fatkeqësia është se kjo psikologji dhe kjo nostalgji shkatërrimtare iu përçua bijve, nipave dhe stërnipave të vet!