E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur baltosja e policisë na vjen bash nga Komiteti i Helsinkit

Policia është me Ne

Një raport rrufé të Komiteti Shqiptar të Helsinkit na bën të ditur se afërsisht 969 ankesa janë paraqitur nga ana e qytetarëve për ushtrim dhune nga ana e punonjësve të policisë shqiptare. Mirë. Gjithçka në këtë raport është e qartë si mjegulla. Kjo është një anë e medaljes. Po anën tjetër që nuk duket nuk do ta thotë njeri? Ta provojmë. Në të gjitha kuptimet. Nuk ka dyshim se në polici ka njerëz që nuk zbatojnë rregulloren e Galateut në konfrontime e ndalime. Por ai doracak sjellje është shkruar pikë për pikë për aristokratë e shekullit XVI-të. Dhe ne e dimë shumë mirë se në disa gjëra Tirana e shekullit XXI-të nuk është si Helsinki, por si Kabuli i Karzait.
Në ankesat e paraqitura qytetarët, simbas tyre, kanë pretenduar për veprime “të padrejta” nga organet e policisë, si ndalime të pajustifikuara, mbajtje pa të drejtë në dhomat e ndalimit/ shoqërimit, qëndrim jashtë afateve të parashikuara në ligj, mosvënia në dijeni për të drejtat e tyre në momentin e ndalimit/shoqërimit, kushte të këqija të dhomave të ndalimit etj. Kjo është puna e forcave të sigurisë. Ku dyshojnë ndalojnë. Kur iu bërtet nuk pyesin. Të fusin brenda. Sidomos ne shqiptarët nuk jemi engjëj në sjellje dhe kemi një edukatë që krijon herë pas herë aksidente me uniformën e shtetit. Mos të jemi hipokritë. Një shembull.
Pardje mediet na informuan se një qytetare (shqiptaro-) Franceze ishte abuzuar nga policia rrugore e qytetit të Gjirokastrës. Helbete edhe kësaj here njerëzit u eksituan dhe u manipuluan njëkohësisht nga lajmi bombastik. E dikujt i erdhi edhe keq për vajzën shqiptare tashmë franceze që ishte “kinse” dhunuar. Por më pas zbuluam se Madame Bonett kishte thyer rregulloren e kodit rrugor. Pra ishte ndaluar sepse qarkullonte me shpejtësi nëpër qytet dhe është shoqëruar në komisariat sepse nuk ka pranuar të tregojë dokumentet. Herën e dytë ajo është ndaluar sepse është kapur duke ngarë makinën, edhe pse leja e drejtimit i ishte pezulluar. Këtu është Shqipëri dhe Madame Bonett është franceze, por pjesa e saj shqiptare “Karagjozi” kujton se është në Francë. Dhe me sa di unë për Francën, njerëzia që shkel rregulloren rrugore ndalohen dhe u tërhiqet patenta të paktën për 5-vjet. Por këtu jemi në Shqipëri e jo në Francë. Kështu pra ja kuptoni sesi bëhet një raport nga Komiteti shqiptar i Helsinkit, duke marrë vetëm versionin e Madame Bonett (Karagjozi). E kuptoni si shkojnë gjërat? Nuk ka bardhezi, por ka zona gri, të kuqe, ylberake, të tejzhveshura. Pra zot hiqna hipokrizinë.
Mos të harrojmë se këta burra e gra të veshura me blu na sigurojnë qetësinë ditën e natë. Në festa e në shi. Në diell e në protesta. Paguhen pak. Qarkullojnë me mjete të vjetërsuara e me gallona nafte të numëruara. Nuk dua të bej apologji forcave të rendit, por si thonë jepi çesarit atë që është e çesarit dhe Helsinkit atë që është Helsinkit. Në këtë rast pak ose fare aspak.
Thuhet, nëpër muhabete kafesh kuptohet, se në kohën e Monarqisë mjaftonte një Xhandar për të mbajtur lepe e peqe 13 fshatra njëherësh. E pabesueshme. Por ja që është e vërtetë. Sot gjërat kanë ndryshuar. Njerëzit janë bërë më të sofistikuar, më të egjër, në përdorimin e anashkalimit dhe mbizotërimit të ligjit. Sot me mendjemadhësinë që të jep sidomos paraja, i cila të jep fuqinë të poshtërish, të hedhesh baltë, të fyesh çdo lloj uniforme që vesh njeriu në Shqipëri. Qoftë kjo uniformë e blu, jeshile, të bardhë, të zeza, me quadrata, nuk ka rëndësi mbifuqia nganjëherë certifikohet me dylbi edhe nga komiteti, edhe Helsinki.
Nuk shohin drejtpërdrejt jetën që uniformat japin djersën për këtë vend, por liria e fjalës është për të gjithë edhe për ata që flasin përçart. Nuk shohin përuljen e shërbimit që u ofrohet dhe që paguajnë pak, por duan shërbëtorë.
E pra përpara se të flasim për ankesat, që ndoshta ndonjë prej tyre mund të jetë ashtu siç thonë ata, nuk duhet të harrojmë se uniforma blu është kjo që është, e keqtrajtuar në të gjitha kuptimet, edhe nga një herë me mjetet që kanë në dispozicion është më se heroike.
Patologjia e baltosjes në Shqipëri nuk ka lënë kërrkënd pa lyrë. Disa më shumë e disa më pak. Ka gjasa të ketë rëndësi, në mendjet tona, që ne jemi bojaxhinj e lustraxhinj të mirë dhe jo artistë të mirëfilltë. Ne përlyejmë sipërfaqe shpirtrash me non-chalancën e një klouni që bën trukun përpara shfaqjes, por s’jemi në gjendje të kemi prospektivën shumëpashme të një micro-kozmi shoqëror që quhet Shqipëri. Lere mos e pyet ketë të komitetit shqiptar të Helsinkit. Edhe një fjalë se harrova. Helsinki ndodhet në Finlandë. Vend Skandinav. Atje bën akoma shumë ftohtë, kurse në Shqipëri ka ardhur pranvera.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›