E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurthi që po u përgatitet shqiptarëve

Këto ditë në kampanjën parazgjedhore çështja më e diskutueshme është se kush e rrezikon Maqedoninë në rast të mos anëtarësimit në NATO. Krerët maqedonas Cërvenkovski, Fërçkovski dhe Georgievski sikur u dakorduan se shqiptarët janë ata që do të kërkonin federalizëm apo dezintegrim të Maqedonisë. Kjo tezë, sado naive që duket, është shumë e rrezikshme. Ç'është e vërteta? E vërteta është se: në këtë moment nuk është nacionalizmi shqiptarë ai që e destabilizon regjionin dhe Maqedoninë. Rreziku për destabilizimi e regjionit e me te edhe Maqedonisë vjen nga ngecja në procesin e demiloshevizimit të Serbisë. Ja pse.
Nëse ekzistonte nacionalizëm shqiptarë deri më 1999, ai ishte i arsyeshëm dhe real. Fundja, ai nacionalizëm, e filloi procesin e demokratizimit të ish Jugosllavisë dhe e solli pavarësinë e Kosovës. Ai pati disa efekte edhe tek shqiptarët e Maqedonisë, por edhe më gjerë në regjion. Ai tanimë nuk ekziston i institucionalizuar. Ai edhe nëse është, është në kokat e intelektualëve dhe filozofëve. Nacionalizmi shqiptarë mbaroi me "okupimin", apo futjen nën protektorat të Kosovës. Nacionalizmi institucional që u promovua në UÇK u shpërbë. Pjesëtarët më të eksponuar të saj edhe pse mbetën në TMK, trashëgimtare e UÇK, ajo në esencë u demilitarizua dhe u transferua në forca të sigurisë që është nën kontroll të plotë civile. Kosova është nën monitorim të fort civil dhe ushtarak nga faktori ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, komunizmi i egër që sundoi Shqipërinë e topiti shumë nacionalizmin shqiptarë në këtë vend. Tani ky shtet bëhet anëtare e plotfuqishëm e NATO, me gjitha obligimet që dalin nga kjo aleancë. Reformat ushtarake që i paraprinë anëtarësimit të Shqipërisë në NATO e transferuan një ushtri ofensive në nivel shteti, në një ushtri moderne në funksion të sistemi të përbashkët të mbrojtjes kolektive. Aleanca kërkon rregulla demokratike të funksionimit të shtetit dhe kontroll civil mbi aparatin e dhunës. Andej nacionalizimi shqiptarë edhe nëse ekziston, nuk mund të prodhojë dhunë dhe destabilitet, por mund të jetë vetëm defansiv në funksion të mbrojtjes të vlerave kombëtare. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë promovuar asnjë opsion alternativ për Marrëveshjen e Ohrit. Konflikti i 2001, në mos tjetër, përdëfton se asnjeri prej komuniteteve nuk ka kapacitete për mposhtjen e komunitetit tjetër. Ky është një pozicion i mirë që në baza të barabarta, pa dhunë, të kërkohen opsionet më të mira për shtetin. Andej luajtja në faktorin frikë nga shqiptarët është një manipulim.
Nga i vjen rreziku regjionit? Pamundësia e demiloshevizimit të Serbisë është një problem serioz. Serbia sot është në një gjendje shumë komplekse politike. Atje veprojnë pushteti i kishës ortodokse, pushteti ushtarak, pushteti i mafioz, por jo edhe pushteti popullor. Në çdo vend demokratik pushteti civil e kontrollon pushtetin ushtarak dhe policor. Në Serbi ndodhë e kundërta, këta të fundit e kontrollojnë pushtetin civil. Si mund të shpjegohet ndryshe fakti që pushteti civil deklaron se është në kërkim të Mlladiçit, kurse këtë të fundit e ruan policia dhe ushtria. Ky është një argument që tregon se atje pushtete i kanë rolet e ndërruara. Si të shpjegohet fakti që 500 milion euro nga buxheti i Serbisë ndahen për pushtetin paralel të serbëve të Kosovës. Sigurisht se gjithë këto mjete nuk i harxhojnë për serbët e Kosovës. Ky është buxheti i pushtetit të mafies institucionale. Është fakt i pamohueshëm se gjatë luftërave që ndodhën në ish Jugosllavi krerët ushtarak the të sigurisë ishin thellë të involvuar në trafikimi me armë dhe shumë aktivitete jashtë ligjore. Kjo tregon se sa janë të ndërlidhur kriminelët me sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë. Dihet se Serbia ka hequr dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO dhe publikisht deklarohet për neutralitet. Ky neutralitet manifestohet në rritjen e buxhetit ushtarak dhe policorë. Atyre u duhet arsye logjike për këto veprime. Për ta arritur këtë qëllim, ata edhe nëse nuk gjejnë arsye do ta prodhojnë. S'do mend se teren më të mirë se Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën nuk kanë. Pushteti ushtarak edhe më tutje është shumë dominant dhe kjo oligarki ushtarake nuk tërhiqet lehtë nga këto privilegje. Reformat, sipas standardeve të NATO-së në mes tjerash kanë për qëllim kontroll të efektshme të pushtetit civil mbi atë ushtarak. Andaj, edhe ata nuk e duan NATO-n. Problem tjetër është pushteti i kishës. Forcën e vetë ky institucion e tregoi me rastin e iniciativës së qeverisë për aprovimin e ligjeve kundër diskriminimit. Këto ligje u tërhoqën nga seancat e parlamentit me intervenim të Kishës ortodokse serbe. Thuhet se vetë kryetari i serb Tadiç edhe se njihet si demokrat ka intervenuar. Kjo flet për atë se jo vetëm partitë popullore dhe nacionaliste janë nën ndikim të fortë të kishës, por gjitha institucionet shtetërore. Në një shtet ku nuk dihet se cili pushtet dominon është shtet i pa parashikueshëm dhe i rrezikshëm. Andaj, NATO-ja vetëm në Kosovë sot ka të stacionuar më tepër se 15.000 trupa, kurse në tërë regjionin mbi 20.000 trupa. Kjo duhet të identifikohet si rrezik, por jo nga shqiptarët.
Ky rrezik nuk do të ishte kaq i madh sikur Evropa të mos ishte konfuze sa i përket regjionit dhe pozitës së Serbisë në te. Evropa nuk ka strategji për demiloshevizimin e institucioneve të Serbisë dhe demokratizimin e shoqërisë serbe. Ky sistem i kapur në prangat e krimit, militantizmi dhe ortodoksizmit lejon të ndërrohen pushtete dhe o i vë në funksion të vet o i rrëzon. Kjo situatë i mban të ngulfatur proceset demokratike dhe nuk lejon të vijë në shprehje pushteti civil. Serbët, fatkeqësisht, nuk kanë forca të veta që ta kryen këtë proces. Më kujtohet në një konferencë në Oslo ku merrnin pjesë shumë intelektual serbë dhe ekspert të regjionit me temë "Serbia pas Milosheviqit", i cili tha: ne nuk ishim fatlumë si gjermanët. Pas Luftë së Dytë Botërore, ato i okupuan forcat aleate dhe i denacifikuan. Neve nuk na okupuan forcat e NATO-së për të na çliruar, andaj jemi të okupuar nga shumë forca të errëta institucionale dhe jashtë institucionale. Do të ishte gabim i pa falshëm që politikën ndërkombëtare ta mbretërojë logjika pragmatike, gjërat që nuk i ndryshoni - legalizoni. Fatkeqësisht ka disa tendenca të tilla në qarqet e ndryshme diplomatike.
Nëse faktet janë këto, është për t'u habitur sesi këta politikan nuk e shohin rrezikun e vërtetë, por tentojnë të krijojnë një rrezik imagjinar, i cili në realitet nuk ekziston. Edhe më e keqja është se disa intelektualë shqiptarë me vetëdije apo pa vetëdije japin argumente në favor të forcimit të kësaj teze. Mendoj se i bëjmë një shërbim shumë të keq situatës aktuale në vend. Në situatë kur rruga drejt NATO-s është bllokuar nga Greqia, fabrikimi i frikës nga shqiptarët është qëllimkeq. Ajo në lojën e pingpongut Greqi, Serbi me Maqedoninë mund shqiptarët t'i nxjerrë humbës. Do të ishte e pa arsyetueshme të lejohet që maqedonasit të hidhen në kraharorin e "shpëtimtarëve" serbë për të shpëtuar nga shqiptarët. Mendoj se kjo është një kurth në të cilën nuk duhet të bimë. Në NATO nuk anëtarësohen shtetet për të shpëtuar nga shpërbërja, por shtetet stabile. Nuk mund të jetë alternativa për NATO mbrojtja serbe. Topi është në këmbët tona. Goli i fitores për ne është Maqedonia në NATO dhe EU. Çdo rezultat tjetër është humbje. Mos besoni shumë në moralin politik të faktorit ndërkombëtar. E di se edhe njëherë si shqiptarë paguajmë çmim shumë të lartë për të. Ky është fati ynë. Nëse shqiptarët tregojnë kapacitet për ta nxjerrë Maqedoninë nga lloçi, mendoj se në fund mund edhe të shpërblehen. Kohë nuk ka. Vlen të rrezikohet.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›