E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apoloni, 8 mijë vizitorë në sezonin veror

Parku kombëtar arkeologjik Apolonia në Fier ka shënuar një numër rekord vizitorësh gjatë sezonit veror që sapo u mbyll. Vetëm gjatë tre muajve qershor, korrik e gusht është regjistruar një numër i madh turistësh të huaj dhe vendas. Të dhënat që vijnë nga drejtues të parkut kombëtar arkeologjik, tregojnë se gjatë këtyre tre muajve numri i turistëve ka shkuar në tetë mijë. "Në krahasim me një vit më parë, ky numër është dyfishuar. "Apolonia" sot po tërheq vëmendjen e të gjithë atyre që hyjnë në Shqipëri", ka thënë drejtori i parkut, Marin Haxhimihali. Sipas tij, më së shumti kanë qenë turistë të huaj. Turistët që kanë preferuar Apoloninë gjatë stinës së verës kanë qenë nga vende të ndryshme të Europës, por edhe nga Kina e largët. Madje, këta të fundit kanë shënuar numër rekord turistësh në Apoloni. Masat për pastrimin e territorit të parkut në fjalë, si edhe guximi për përmirësimin disi të infrastrukturës së brendshme të parkut, vetëm në ato pjesë të vizitueshme shihen si faktorë që kanë çuar në rritjen e numrit të turistëve. Ndërkohë që një ekspeditë shqiptaro-gjermane ka nisur prej dy ditësh gërmimet e saj në territorin e këtij parku. Ekspedita udhëhiqet nga specialisti Bashkim Lahi. Ai ka shpjeguar se ekspedita shqiptaro-gjermane që nisi punimet dy ditë më parë, do të vijojë të qëndrojë në Apoloni deri në fund të muajit tetor. "Do të gërmohet në pjesën më të rëndësishme të parkut, pikërisht te teatri, që tregon për nga zbulimet e deritanishme se i përket periudhës romake. Mendohet që gërmimet e këtij sezoni të mundësojnë jo vetëm zbulimin e një pjese të mirë të teatrit, por edhe të restaurojë objektet e nxjerra deri më tani", është shprehur specialisti Bashkim Lahi.

Gjithashtu krahas gërmimit dhe restaurimit kjo ekspeditë do t‘i kushtojë rëndësi të veçantë edhe pastrimit të mjaft objekteve të zbuluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›