"Poeteka 5", nis sot rrugëtimi
"Poeteka" nis sot rrugëtimin e edicionit të pestë. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, përgjatë një jave do të mbledhë bashkë autorë nga rreth 20 shtete. Përveç veprimtarive tashmë të njohura të leximeve autoriale, intervistat, kafe-bashkëbisedim me poetët e ftuar, performancat poetike, përurimet e librave, koncertet, ekspozitat e artit dhe panairin e librit poetik, festivali i këtij viti do të organizojë tri mbrëmje të veçanta, të përmbledhura në një titull "Ballkon-Ballkan". Këto takime janë konceptuar si veprimtari e ndërthurur mes leximeve në gjuhën e tyre origjinale të autorëve të ftuar nga 12 shtete ballkanike dhe bashkëbisedimeve me publikun rreth tri temave qendrore: Ballkani… - Piter Pan i Europës…? Si të vajtosh e të këndosh "për tjetrin" dhe "E ardhmja ballkanike: përmes varrezave drejt plazheve? Një mbrëmje përkujtimore do t‘i kushtohet poetit nobelist polak Cesllav Millosh në 5-vjetorin e vdekjes, ku do të organizohet edhe përurimi i librit "Qyteti pa emër", për të cilin do të flasë Jaroslaw Mikolajewski. Ales Debeljak nga Sllovenia, portugalezi Americo Rodrigues, Kim Mehmeti dhe Bougmil Gjyzel nga Maqedonia, Cvetanka Elenkova nga Bullgaria, Ali Podrimja dhe Edi Shukriu nga Kosova, Dimostenes Agrafiotis nga Greqia, Sasa Iliç nga Serbia, Tom Sleigh nga Amerika etj., do të jenë disa nga të ftuarit e "Poetekës 5". Gjashtëmbëdhjetë poetë të tjerë janë ftuar nga Shqipëria: Besnik Mustafaj, Entela Kasi, Agron Tufa, Arian Leka, Parid Teferiçi, Iliriana Sulkuqi, Bardhyl Londo, Silvana Leka, Feride Papleka, Aleksandër Çipa, Natasha Bega, Viola Isufaj, Milianov Kallupi, Gladiola Busulla dhe Ledia Dushi. Përveç Durrësit, Beratit dhe Tiranës, si itinerar i përvitshëm do u shtojnë shtegtimeve të këtij viti edhe qytetin e Elbasanit. Çmimet për të cilat konkurrojnë poetët janë të njëjtat: Çmimi "Liburna", "Nositi", "Kriterion", "Unaza Poeteka" dhe për herë të parë çmimi "Pena e Beratit", ofruar nga Bashkia e Beratit në bashkëpunim me revistën "Poeteka".