E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dragostunja, "kryeqendra" islame me dy mijë agjërues

Ndryshe nga sa është thënë e shkruar për fshatin Dragostunjë të Rrethit të Librazhdit, realiteti në këtë fshat me besim absolut mysliman, është krejt tjetër. Jo rrallëherë është lakuar në media si komuniteti më fanatik i fesë myslimane, si fshati që në çdo lagje ka nga një hoxhë e nga një xhami. Si fshati që nuk njeh dashurinë, nuk lejon orkestrën në dasmë apo dhe nuk dëgjon muzikë nga televizori, e për më tepër që kushërinjtë e parë të gjinive të ndryshme nuk i japin dorën njëri-tjetrit. Panorama i ngjan një filmi bardhezi, por sot larmia e jetës dhe "fijet" e emancipimit kanë ndryshuar kryekëput banorët e fshatit. Qëkurse linja radikale e fesë islame hyri në "luftë" me atë tradicionalen të moderuar, duket se kjo e fundit ka fituar dhe e ka rreshtuar Dragostunjën ndër fshatrat e tjerë të këtij rrethi që nuk përcjellin mesazhet e besimtarëve ekstrem. "Gëzuar Bajramin e më mirë na gjettë mot"! Kjo është përshëndetja nga cilido që ndeshëm dje rrugës kur hymë në fshatin Dragostunjë. Dita e djeshme ka qenë më festivja për të gjithë. Burrat, të veshur të gjithë me kostume gri e blu, këmisha të bardha, ndërsa gratë me shami të bardha në kokë. Falja e mëngjesit sapo kishte mbaruar, teksa arritëm në qendër të këtij fshati. Aty ishte edhe xhamia. Edhe shtëpia e hoxhë Faikut, po në qendër. Në një vilë të madhe e trekatëshe e me arkitekturë karakteristike, hyjnë e dalin burra që përqafohen me njëri-tjetrin.
Konflikti
Vite më parë, në këtë fshat, do të përplaseshin fort dy rryma të fesë islame. Ajo tradicionale, e përfaqësuar nga Faiku me shumë besimtarë të tjerë, dhe ajo "moderne" e përfaqësuar nga besimtarë arabë. Këta të fundit ndërtuan edhe xhaminë në lagjen më lindore të fshatit. Kurse më të shumtat, me paratë e tyre bënë rikonstruksionin e xhamisë së vjetër, që fatmirësisht nuk u prish në kohën e komunizmit, edhe pse shërbeu për dhjetëra vite magazinë kooperative. "Feja jonë myslimane ka në themel besimin tek Allahu, që është i të gjithë njerëzimit, tolerancën ndërfetare dhe respektin për njeriun, punën e nderin", shton hoxhë Faiku. Si shumë të tjerë, ai ka agjëruar fshehurazi edhe në kohën e diktaturës. - "Mua më ka mbrojtur pylli, atje kam punuar për shumë vite, ndaj dhe nuk e mori vesh kush se agjëroja, por disa shokë të mi, e patën pisk, ku u mor vesh se mbanin Ramazan. Edhe kur punoja si hamall në stacionin e trenit, e ruajta si sekretin më të madh mbajtjen e Ramazanit", tregon ai. Sot në fshat besojnë të gjithë dhe agjërojnë po ashtu. Edhe gratë, edhe fëmijët e shkollës. Mbi dy mijë është numri i banorëve që kanë agjëruar në këtë ramazan. Dje kanë festuar të gjithë Bajramin e Madh. Edhe të varfrit dje janë ndjerë të pasur. Rreth një mijë besimtarë kanë dhuruar nga dy mijë lekë të vjetra për familjet e varfra. Kësisoj, dragostunjasit janë ndjerë të barabartë, jo vetëm para Zotit. Hoxha, ndërsa është kundër veshjeve ekstreme të femrave, kundër parasë që shkelet me këmbë në dasma, kundër alkoolit të tepruar, kundër amoralitetit, bën apel kundër rrymave ekstreme në fenë islame. "Vetëm dhjetë vetë shkojnë te xhamia arabe, siç i themi ne, të gjithë të tjerët vijnë te xhamia në qendër të fshatit. Gratë falen në shtëpi, se nuk ka vend në xhami, por nuk jemi që ato të mbulohen me "thes" në kokë siç më ka parë syri në disa zona, po më shumë në qytet", ka shtuar hoxhë Faiku. Me tej ai na tregon se në të gjithë fshatin, vetëm tetë gra kanë mbetur të mbuluara me ixhabën, të tjerat kryejnë normalisht ritet e fesë islame, por dhe dalin në ara për të punuar krah burrave. Në "kryeqendrën" e besimit islam të të gjithë Qarkut të Elbasanit, të gjitha dasmat bëhen tradicionalisht me orkestra, madje në shumë prej tyre pihet rakia, birra ose vera, paçka se këshillat e fesë janë për "karar në pije e në çdo gjë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›