E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia-Pogradeci 2-3, krizë fierake

/* */

Apolonia po përjeton një krizë të thellë rezultatesh me fierakët që humbën 3-2 me Pogradecin në “Loni Papuçiu”.

Një sukses i merituar i liqenorëve të Ylli Çekiçit (i dytë rresht), në fitoren e tyre të parë në transfertë, edhe pse luajtën nga minuta e 58-të me dhjetë lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Andi Çelës, për një ndërhyrje të parregullt ndaj mesfushorit brazilian të Apolonisë, Fernando da Silva. Pogradecarët në transfertat e mëparshme kishin regjistruar pesë humbje në pesë ndeshje.

Maqedonasi Nedzat Drazhanin edhe një herë tjetër u tregua faktor për liqenorët, falë golit të tij në minutën e 6-të, duke befasuar edhe publikun e pakët.

Mbrojtësi 22-vjeçar i Apolonisë, Kostandin Ndoni barazoi rezultatin 1-1 në minutën e 79-të, por katër minuta më pas, mesfushori 24-vjeçar, kosovari Isa Emihazeri sërish i siguroi avantazhin Pogradecit.

Minutat e fundit dhe ato shtesë ishin dramatike. Saimir Jahaj shënoi me penallti golin e tretë për Pogradecin në minutën e 93-të, ndërkohë që kapiteni i Apolonisë, Julian Gërxho fiksoi përfundimisht shifrat 2-3 në minutën e 95-të, por me fierakun që realizoi golin e tij të gjashtë personal në këto 11 javë.  

Për ekipin fierak kjo ishte humbja e tretë rresht, ndërkohë që bardhejeshilët e drejtuar nga dyshja Stavri Nica-Dhimitër Papuçiu bëhet fjalë për ndeshjen e shtatë pa fitore.

Pika e fundit e marrë është jo ndaj Flamurtari në Vlorë, në barazimin 1-1 në javën e 8-të, ndërkohë që fitorja e fundit është edhe më e largët në kohë, ajo 1-0 me Kamzën (1 tetor 2010), e fituar çuditërisht në transfertë, në javën e 4-t.

Apolonia mbeti në kuotën e 8 pikëve (vendi i 12-të), ndërkohë që Pogradeci ka dyfishin e tyre, 16, duke u pozicionuar në 7-të, po aq sa Laçi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›