E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia, drejt Kategorisë 1



Leonard Karaj

Apolonia humbet në fushën e vet, duke iu drejtuar Kategorisë së Parë, Teuta mund Flamurtarin, ndërsa Tirana dhe Laçi zyrtarizojnë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës.Java e 32-të e Superiores ka rivijëzuar disi renditjen, duke dhënë verdiktet e radhës, kryesisht në krye të tabelës. Kështu, Tirana dhe Laçi, pas fitoreve të arritura dje respektivisht ndaj Dinamos dhe Skënderbeut, janë zyrtarisht dy skuadrat e tjera që do të marrin pjesë në Ligën e Evropës që nga turi i parë pre-eliminator. Ekipi tjetër është Besa, që do marrë pjesë si fituese e Kupës së Shqipërisë dhe do të nisë aventurën e saj evropiane nga turi i dytë pre-eliminator. Që të tria këto skuadra fituan në fushat e tyre, por vetëm kurbinasit e patën disi më të vështirë marrjen e 3 pikëve, pasi përballë kishin një Skënderbe, i cili kërkonte me patjetër të paktën një barazim. Faktikisht goli i Norës u ka krijuar jo pak probleme korçarëve, të cilëve mund edhe të mos u mjaftojë fitorja ndaj Tiranës në javën e fundit të kampionatit për t’i shpëtuar “play out”-it me një skuadër të Kategorisë së Parë. Gjithsesi, Skënderbeu ka shanset e veta, pasi një barazim ose humbje e Teutës në Shkodër do t’i çonte pikërisht bregdetarët në “play out” së bashku me Kastriotin (gjithnjë, nëse krutanët fitojnë ndaj Laçit). Këta të fundit humbën në Peqin, duke mos iu larguar zonës së ftohtë. Por gjithsesi fakti se Vllaznia mori tri pikë në fushën e Apolonisë i ndihmoi shumë edhe krutanët, të cilët tashmë me 99.99 për qind mund të mos bien direkt nga kategoria. Do të mjaftonte që skuadra e Ndreut të fitonte në javën e fundit në fushën e saj në Krujë ndaj Laçit, që pritet të jetë totalisht i pamotivuar, pasi kampionatin e vet ka përfunduar që këtë javë me pjesëmarrjen historike në Kupat e Evropës, që të shpëtonte nga rënia direkt nga Superiorja. Por gjithsesi, sipas parashikimeve Kastrioti nuk ka asnjë shans që t’u shpëtojë ndeshjeve “play out” ndaj Kamzës, e cila mban vendin e tretë në Kategorinë e Parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›