E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre grevistë dërgohen në spital, festohen dy ditëlindje në çadër



Gjendja shëndetësore e grevistëve vazhdon të jetë e rënduar, ndërsa tre grevistë u detyruan të lenë çadrën e ngujimit për t'u dërguar me autoambulancë në qendrën spitalore "Nënë Tereza". Ferit Leka, vëllai i deputetit Agim Leka nga Elbasani u detyrua dje paradite të lerë grevën, për shkak të komplikacioneve të shëndetit të ardhura nga mosushqyerja për dy javë rresht. Ndërsa rreth orës 14:00 një tjetër grevist, Astrit Cengu nga Kukësi, u dërgua në spital, pas komplikacioneve në stomak. Ndërsa pak minuta para se të fillonte protesta e opozitës, u dërgua në spital grevisti i 35-të, Përparim Metaj, 39 vjeç. Mjekët që kujdesen për grevistët kanë vendosur ta largojnë 39-vjeçarin pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore. Luhatje tensioni, dhimbje të forta stomaku, kanë qenë simptomat që kanë detyruar stafin mjekësor ta dërgojnë atë menjëherë drejt spitalit infektiv në QSUT. Sipas stafit mjekësor të grevës, edhe grevistë të tjerë janë në gjendje të rënduar, ndërsa po mbahen nën kontroll të rreptë përmes analizave që bëhen vazhdimisht. Por dita e djeshme në çadrën e grevës së urisë nuk pati vetëm lajme të shëndetësore. Dy grevistë kanë pasur dje ditëlindjen, njëri prej të cilëve deputeti i qarkut të Tiranës, Artan Gaçi 41 vjeç dhe tjetri shtetasi, Bujar çela, aktivist në PS nga Lushnja. Për këtë arsye kreu i PS, Edi Rama, vizitoi dje çadrën e grevistëve, duke u dhuruar atyre lule dhe duke u uruar ditëlindjen. Po dje, Ermonela Felaj, deputetet e qarkut të Beratit ka pasur 2-vjetorin e vajzës, por ajo nuk ka mundur ta festojë me familjen e saj për shkak të ngujimit. Ajo i ka dërguar të bijës një tufë me lule, ndërsa një urim special ajo ka marrë nga kryesocialisti, i cili gjatë fjalimit të tij të pasdites, ia uroi ditëlindjen e vajzës publikisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›