E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohen 17 protestues të PS-së



Armand Bajrami

Gjykatat në Tiranë dhe në Pogradec, kanë lënë të lirë dje 17 protestues të Partisë Socialiste, të ndaluar nga policia me akuzën e bllokimit të qar-kullimit rrugor në disa akse të vendit. Në Gjykatën e Tiranës dhe të Pogradecit u zhvilluan dje seancat e vlerësimit të masës së sigurisë për protestuesit e Partisë Socialiste, të dërguar për ndjekje penale nga Policia e Shtetit. Gjykata e Tiranës liroi dje nga paraburgimi 13 personat e arrestuar pak ditë më parë, me akuzën për bllokimin për pak minuta të qarkullimit të automjeteve, tek "Ura e Peshkatarit" në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Gjykata caktoi për ta masën e sigurisë "detyrim për paraqitje" deri në përfundim të hetimeve. Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurit Shezai Sula, Sami Beshiri, Agim Balla, Gëzim Saliu, Gëzim Lila, Arben Fusha, Naim Karai, Bejdulla Ulliri, Edmond Tafa, Fatmir Koldashi, Shpëtim Tresa, Mustafa Xhixha dhe Festim Lulja, duhet të paraqiten në prokurori të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Vendimi i lirimit të 13 personave, u shoqërua me duartrokitje nga publiku në sallë, ku ndodheshin edhe deputetë të Partisë Socialiste. Por sipas pretendimeve të shfaqura në sallën e gjyqit, kishte edhe të pandehurit që nuk ishin "pjesë e protestuesve". "Nuk kisha lidhje me protestën. Isha me familjen duke udhëtuar me automjetin tim për punët e mia dhe u gjenda pranë protestës. Pas disa orësh erdhën më arrestuan", pretendoi para gjykatës i pandehuri Bejdulla Ulliri. Prokurori u shpreh para gjykatës se të pandehurit kishin kryer veprën penale të "pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit". Për këtë, përfaqësuesi i akuzës i kërkoi gjykatës vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të të pandehurve dhe caktimin e masës së sigurisë "detyrim paraqitjeje". Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës të të pandehurve pretenduan se arrestimi në flagrancë nuk ishte i ligjshëm. Avokatët pohuan për disa nga klientët se ata ishin simpatizantë të Partisë Socialiste dhe vetëm po protestonin paqësisht. Të pandehurit e tjerë u pajtuan me ato çka thanë avokatët dhe nuk shfaqën pretendime në sallën e gjyqit. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjyqtari Altin Abdiu vendosi deklarimin e ligjshëm të arrestimit në kushtet e flagrancës për të pandehurit dhe caktoi për të gjithë ata masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje". Të pandehurit ishin shoqëruar nga policia pas protestës të organizuar nga opozita ditën e martë, në të cilën protestuesit paralizuan qarkullimin për disa minuta në disa akse rrugore të vendit. Ditën e djeshme, Gjykata e Shkallës së Parë në Pogradec ka vendosur masën e lirimit nga paraburgimi edhe për katër protestues të tjerë, që ishin arrestuar gjatë tentativës për bllokimin e rrugës Korçë-Pogradec.

Të liruarit

Shezai Sula
Sami Beshiri
Agim Balla
Gëzim Saliu
Gëzim Lila
Arben Fusha
Naim Karai
Bejdulla Ulliri
Edmond Tafa
Fatmir Koldashi
Shpetim Tresa
Mustafa Xhixha
Festim Lulja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›