E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Nuk ka ende draft për zgjidhjen



"Nuk kam ende një draft në tryezë, por po negociohet drejt zgjidhjes së krizës". Kështu ka deklaruar dje Presidenti Topi në emisionin "Zonë e Lirë" të Arian çanit në "Vizion Plus", ku kreu i shtetit foli mbi aktualitetin politik.
Do të donim të na thoshit një fjalë se si e konsideroni në parim grevën e urisë, jo thjeshtë për grevën e socialistëve?
Në parim jam për të drejtën e ushtrimit të një proteste, qoftë kjo edhe një grevë urie. Ndonëse në sensin personal, ose nëse do të shtrohej pyetja nëse unë ndonjëherë do të aplikoj ndonjë grevë urie, kurrsesi nuk do të doja ta realizoja këtë gjë. Me një parim që ka të bëjë me mundësi shumë të mëdha alternative për të shpalosur idenë e protestës, për të bërë betejën politike, por kurrsesi të lëndoj cilindo që e ka të drejtë absolute për të marrë pjesë në një grevë urie. E respektoj edhe në rastin konkret të drejtën të ushtrimit të një greve nga ana e opozitës. është një e drejtë demokratike dhe besoj se të gjithë ata që kanë një formim demokratik, nuk mund të jenë kundër një greve urie, pavarësisht se debati politik është i fortë, këndvështrimet janë të ndryshme, konteksti është i ndryshëm.
Zoti President, sot në Tiranë u përhap lajmi, ose më saktë një gjysmë e vërtete se do të hynte edhe Edi Rama në grevë urie, lideri i opozitës. Ju e dëgjuat këtë gjysmë lajm? Nëse do të kishte hyrë në grevë, do të ishte më e rëndë situata?
Nuk e kam dëgjuar këtë lajm. Gjithsesi ndoshta në ambientet mediatike lajmet merren me shpejt se në zyra. Unë besoj se një aktor i rëndësishëm politik apo institucional në situata të tilla, pavarësisht këndvështrimeve të ndryshe, do të ishte më mirë të ishte pjesë e mundësisë për të realizuar dialogun politik. Për të qenë gjithnjë i gatshëm, jo nga ambientet e grevës së urisë, por si aktor i vërtetë institucional që në kuptim e vërtetë të ishte i gatshëm që në çdo moment të hynte në biseda për të riinstaluar dialogun politik, gjë që në këto momente është shumë e rëndësishme.
Zoti President, pse nuk e merrni vetë iniciativën për të zgjidhur këtë krizë, siç e morët herën e parë? Ju mendoni se jeni faktor i zgjidhjes?
Kurrsesi nuk mund ta them. Jo të gjitha gjërat mund të bëhen publike, sepse i kërkon natyra e angazhimit zyrtar që Presidenti i Republikës në këto situata është gjithnjë i angazhuar. Në të tilla situata nuk besoj se kufizohet orari zyrtar me atë klasik. Njeriu është gjithnjë i angazhuar, madje i shqetësuar që situata të tilla të kalojnë sa më shpejt, madje me buonsensin jo thjesht politik, por edhe shpirtëror. Kështu që jam jo vetëm i angazhuar, por edhe i predispozuar që jo vetëm të frymëzoj riinstalimin e dialogut politik, por edhe i gatshëm atje ku duhet për të qenë protagonist së bashku me aktorët e tjerë politikë, për të vendosur dialogun politik në Shqipëri.
A ka një draft nga ndërkombëtarët që t'i rivihet para ashtu si Ramës, edhe Berishës?
Unë sot kam dëgjuar shumë zëra, madje edhe nga stacionet e medias aty ky ka pasur aktorë të politikës. Në dijeninë time, së paku në tryezën e Presidencës, nuk ekziston një draft i tillë. Me sa di unë, as në tryezat e aktorëve respektivë politikë të maxhorancës dhe opozitës.
Në media është thënë se nga ndërkombëtarët është propozuar që të ketë një kërkesë për interpretimin e hapjes së kutive në Gjykatën Kushtetuese e më pas në Komisionin e Venecias. Ju e konfirmoni këtë opsion?
Po. Ka pasur edhe një kërkesë nga ana delegacionit të Këshillit të Evropës, për mundësinë e futjes në lojë të Komisionit të Venecias.
Tani qarkullon mundësia që të hapen vetëm materialet zgjedhore. Pra, të mos digjen fletët e votimit deri në një këshillë nga Komisionit të Venecias. Ju jeni dakord me këtë?
Këto janë probleme aq të rëndësishme, serioze e delikate sa i takon tavolinës aty ku dialogohet me aktorët politikë. Unë sot mund të kem 1 mijë variante, por jam i detyruar të respektoj pozicionin e Presidentit të Republikës. Kjo është një çështje e vullnetit politik.
Ambasadorët në takimin me ju ishin më shumë të shqetësuar për fatin e grevistëve apo për fatin e Qeverisë?
Unë besoj se në të tilla raste ka një ndjeshmëri për dikë që lëngon fizikisht. Ajo është një ndjeshmëri, që natyrisht që vjen si reagim i parë i çdo njeriu. Ata kanë një shqetësim përtej kësaj, pasi në këto momente po diskutohen për çështje mjaft të mëdha, që kanë të bëjnë me fatin e Shqipërisë, si çështja e liberalizmit të vizave, apo e integrimit. Pra, janë çështje të stabilitetit politik në Shqipëri.
Duke qenë se jeni me profesion mjek. A është në gjendje një njeri që në ditën e 14 të grevës së urisë të mund të këtë fuqi të flasë? Ka pasur akuza nga pala tjetër...
Unë nuk dëshiroj të hyj në paragjykime të tilla. Gjermanët kanë një fjalë, aty ku nuk ke prova për të kundërtën je i detyruar të besosh. Unë besoj sot atë që flitet dhe nuk mund të merrem me fjalë.
Ju nuk do e merrni iniciativën për tryezën. A keni pasur kontakte orët e fundit me palët?
Jo, unë e marr iniciativën në momentin që ka një demonstrim. Institucioni i Presidentit do të jetë në rolin e moderatorit. Unë kam komunikimin tim dhe të siguroj që nuk mbetem në qetësi.

Rrëfimi për vdekjen e babait

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, foli dje në emisionin "Zonë e Lirë" edhe për lajmin e vdekjes së babait të tij. Ai u shpreh se lajmin e mori nga i vëllai, vetëm pak metra larg Kishës Ortodokse, ku ai po shkonte të uronte Pashkët. Topi tha se nuk e dha veten dhe lajmëroi bashkëshorten pas ceremonisë së Pashkëve. "Natyrisht, ky lajm erdhi jo i papritur, pasi babai ishte i sëmurë, por gjithsesi këto lajme e ndryshojnë rrjedhën edhe të angazhimeve. Unë duke parë angazhimin, distancën që isha nga kisha, nuk lashë të kuptohej as nga bashkëshortja. E frenova dhe e mbajta për vete. Shkova dhe realizova vizitën në Kishën Ortodokse. Mbajta fjalën e rastit pa demonstruar asgjë. Dola para medias. Iu përgjigja pyetjeve dhe urova shqiptarët. Mbasi këtij momenti, lajmërova bashkëshorten dhe në shtëpinë tonë u hap zia", tregoi Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›