Apolonia fiton në Korçë dhe tani ëndërron Europën
Në Korçë ka triumfuar Apolonia e Fierit, teksa ka shënuar plot 3 gola "serbë" në portën e Skënderbeut. "Ujqërit e dëborës" nuk kanë fituar dot në shtëpi, duke mbetur në kuotën e 9 pikëve në renditje, ndërsa fierakët kanë grumbulluar 12 pikë dhe demonstrojnë fuqishëm forcën e tyre në këtë kampionat, në përpjekje për të realizuar objektivin e tyre, marrjen pjesë në Kupat e Europës. Spektakël dhe bollëk golash në Korçë në një sfidë interesante. Takimi përfundoi 2-3 në favor të Apolonisë, me pesë gola të shënuar, që të gjithë në pjesën e parë, ku në fund të sa, brenda pesë minutash u realizuan tri gola. Edi Çajku hapi serinë e golave në minutën e 8 për Skënderbeun, duke çuar në delir mbi 3500 tifozë të pranishëm në stadium, ku në tribunën VIP ishte trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe dhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Goli i katërt për Edi Çajkun në kampionat, duke barazuar kështu Elis Bakajn e Dinamos. Vetëm tri minuta pas një gabimi në mbrojtjen korçare, mesfushori serb i Apolonisë, Sead Haxhibuliç, barazoi shifrat 1-1 në minutën e 11. Pas një pauze 30-minutëshe, në të 41‘ te goli u rishfaq sërish Apolonia, me anë të Semir Haxhibuliçit, vëllait të Seadit. Sulmuesi kroat i Skënderbeut, Milian Guerrib, shënoi pas vetëm një minute, në të 42‘, golin e barazimit 2-2. Goli i tretë për kroatin 23-vjeçar. Goleada në Korçë vazhdoi me golin e sulmuesit serb të Apolonisë, Mladen Brkiç, i cili realizoi në minutën e 44-t. Me rezultatin 2-3 u mbyll pjesa e parë, por edhe krejt ndeshja. Apolonia u ngjit në kuotën e 12 pikëve, tashmë në vendin e tretë, me vetëm 2 pikë larg vendit të dytë, Besës dhe 4 pikë larg Dinamos kryesuese (16 pikë). Për Skënderbeun, kjo ishte humbja e parë në shtëpi pas një serie prej tri fitoresh. Sidoqoftë, skuadra korçare ka sulmin më të mirë në kampionat, me 11 gola të realizuar. Humbja e djeshme konfirmon faktin se objektivi i tyre vazhdon të mbetet qëndrimi në Kategorinë Superiore.
A. Manallari
A. Manallari