Salihi s‘di të ndalet, tjetër gol me Rapidin
Hamdi Salihi nuk di të ndalet. Bomberi shkodran ka shënuar një tjetër gol me bluzën e Rapidit të Vjenës në këtë fundjavë të kampionatit austriak. I transferuar në ditën e fundit të merkatos te skuadra e njohur austriake, talenti i Kombëtares kuqezi është aktivizuar dje për herë të parë si titullar nga trajneri Peter Pakult në ndeshjen e luajtur në transfertë ndaj Viner Nojshtadt, që u fitua me rezultatin e thellë 0-4 nga Rapidi i Vjenës. Sulmuesi shqiptar ka qenë protagonist në këtë ndeshje, ku ka pasur shumë raste për të shënuar, por ai mundi të realizonte vetëm në minutën e 70, duke fiksuar edhe golin e katërt të skuadrës së tij: Boskoviç jep një asist në qendër për Salihin, i cili gjuan saktë, duke e çuar topin në rrjetë. Ky është goli i 6 i shqiptarit në këtë sezon në kampionatin austriak (5 me bluzën e Rapidit dhe 1 me atë të Riedit).
A. M.
A. M.