E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia, “macja e zezë” e Partizanit



Partizani të shtunën do të përballet me Apoloninë (java 30), në një tjetër sfidë “për jetë a vdekje” në luftën për mbijetesë në Kategorinë Superiore, kur kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i sezonit. Në testin e së e mërkurës, formacioni i Shpëtim Duros fitoi 2-0 kundër Dajtit (Kategoria e Parë). Golat u shënuan nga Eradi Mërtiri dhe Alban Dashi. Partizani vjen në përballjen e tretë sezonale kundër Apolonisë, pas humbjes 1-0 me Bylisin në Ballsh (të kuqtë patën kontestime të fuqishme për anësorin Genc Maloku), ndërsa skuadra e Esad Karishikut pas fitores 3-1 me Elbasanin në Fier. Statistikat e këtij sezoni janë kundër të kuqve, pasi 15-herë kampionët e Shqipërisë i kanë humbur dy takimet me fierakët: 0-1 në fazën e parë (java 5) në kryeqytet dhe 3-1 në fazën e dytë (java 16) në “Loni Papuçiu”. Partizani nuk ka mundur t’i marrë qoftë edhe një pikë të vetme Apolonisë gjatë këtij sezoni, teksa skuadra fierake mund të përcaktohet edhe si një “mace e zezë” për të kuqtë. Partizani pas 29 javësh ka grumbulluar 29 pikë (13 pikë në shtëpi), një pikë më shumë se Apolonia (29 pikë, nga këto 8 pikë në transfertë). Skuadra fierake ka mbrojtjen më të dobët të kampionatit: 40 gola të pësuar.

Bylisi kërkon fitoren e parë në transfertë

Bylisi është i vetmi ekip i Superligës, që nuk ka mundur të fitojë qoftë dhe një takim të vetëm jashtë Ballshit (15 ndeshje, 5 barazime, 10 humbje). Por, në kampin ballshiot të gjithë besojnë se pas fitores kundër Partizanit (1-0), mund të guxojnë të marrin tri pikët e “rënda” kundër Teutës në “Niko Dovana”, pavarësisht se kjo e fundit do të luajë në shtëpi pas humbjes dramatike 4-1 me Tiranën një javë më parë. Mesfushori kroat Dejan Godar (11 ndeshje këtë sezon), një nga nëntë të huajt e Bylisit, u shpreh për mediat se skuadra e tij e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, pasi nuk është e lehtë të kalosh një skuadër cilësore si Teuta (41 pikë). “Kemi moral të lartë pas fitores me Partizanin, dhe ndaj Teutës kam besimin se do të triumfojmë”.
Në fakt, Bylis ka në përbërje një grup cilësor lojtarësh, por rezultatet, sidomos në transfertë (vetëm 5 pikë), e kanë lënë formacionin e drejtuar nga Hysen Dedja (trajneri i tretë sezonal) në vendin e fundit me 28 pikë, vetëm 2 më pak se Elbasani i vendit të 9-të (ekip në zonën e play-out ashtu si dhe Lushnja).
Në dy përballjet sezonale me Teutën, Bylisi humbi në fazën e parë 1-0 (gol i Vilës me penallti) dhe fitoi 2-0 në Ballsh me dy gola të shënuar në pesë minutat e fundit (Muça 85’, Bakiu 89’).

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›