SHBA, Kongresi miraton buxhetin për vitin 2010
Dy dhomat e Kongresit amerikan miratuan buxhetin e propozuar nga presidenti Barak Obama prej 3.5 trilion dollarësh. Në lidhje me politikën e ndjekur në ekonomi ai tha se ndihej krenar, por shtoi se kishte ende shumë punë për të bërë. Që në fillim të fjalimit të tij presidenti Obama theksoi se buxheti i tij prej 3.5 trilion dollarësh është në vazhdimësi të hapave të ndërmarrë gjatë 100 ditëve të kaluara në kuadër të përpjekjeve për ta nxjerrë ekonominë amerikane nga recesioni. Presidenti Obama tha se kishte shpresë që kompania a madhe amerikane e makinave, “Chrysler” do të rimëkëmbej. Ndonëse fokusi i tij kryesor ishte ekonomia, çështjet që u prekën ishin nga më të ndryshmet, nga gripi i derrave e deri tek aborti apo politika e jashtme.
Holandë, 4 persona vdesin nga incidenti në Apeldorn
Autoritetet holandeze kanë konfirmuar se si pasojë e hyrjes së pakontrolluar në rrugë të një makine gjatë paradës së mbretëreshës, humbën jetën 4 persona. Nga ngjarja e ndodhur në Apeldorn, 17 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, 9 prej të cilëve me lëndime serioze. Autoritetet policore kanë përjashtuar çdo mundësi që ngjarja e ndodhur të ketë lidhje me terrorizmin. “Nuk ka asnjë të dhënë që të lidhë ngjarjen me terrorizmin”,- ka deklaruar një prej drejtuesve të policisë në një konferencë për shtyp. Drejtuesi i makinës që hyri në mes të turmës dhe vrau katër veta është 38 vjeç dhe ka mbetur i plagosur nga përplasja. Aktualisht ai ndodhet i shtruar në spital.
1 Maj 2009