Thaçi garanton: ”Të gjithë qytetarët do të kthehen në Kosovë”
Blerina Olldashi
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka investuar shumë deri tani dhe do të vazhdojë të investojë për kthimin e të gjithë qytetarëve në pronat dhe shtëpitë e tyre”. Kështu deklaroi dje kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin që zhvilloi me kryetarët e komunave të Kosovës. Ai theksoi se të gjithë ata që po pengojnë procesin e kthimit të qytetarëve në pronat e veta janë të dështuar. Në këtë takim siguroi se të gjithë do të kenë mbështetjen e qeverisë për realizimin e procesit të kthimit për të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kryeministri shprehu falënderimin e tij për punën dhe angazhimin e të gjitha autoriteteve komunale për të përmbushur përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre, në të mirë të qytetarëve të Kosovës. “Duke respektuar të drejtën e kthimit të gjithçkaje që i takon qytetarëve, qeveria e Republikës së Kosovës riafirmon perspektivën e qartë të vendit për të qenë pjesë e integrimit në strukturat euroatlantike të NATO-s dhe të Bashkimit Europian”,- vlerësoi Thaçi, duke shtuar se e drejta e kthimit është një e drejtë themelore e të gjithëve, pa dallim etnie, dhe ky proces nuk duhet të politizohet. Kryeministri Thaçi kërkoi nga kryetarët e komunave, angazhim maksimal dhe bashkëpunim me të gjitha strukturat vendore dhe ndërkombëtare, për të mundësuar realizimin e plotë të procesit të kthimit të qytetarëve të Kosovës në pronat e veta kudo në Kosovë. Vetë kryetari i komunës në Mitrovicë, Bajram Rexhepi, përkrahu apelin e kryeministrit Thaçi dhe shprehu zotimin e kryetarëve të komunave për të realizuar këtë proces, të cilin e vlerësoi të drejtë dhe humanitar. Policia e EULEX-it në disa raste ka shpërndarë me gaz lotsjellës grupet e ekstremistëve serbë që po kundërshtojnë dhunshëm rindërtimin e shtëpive të fqinjëve të tyre shqiptarë në veri të Mitrovicës. Protestat e serbëve të Mitrovicës vazhduan dje, ndërkohë që policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Policia thotë se ishte e detyruar të përdorte gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të cilët ishin nisur në vendin ku po ndërtohen shtëpitë e shqiptarëve. “Në protestën e serbëve në lagjen Kroi i Vitakut, kanë marrë pjesë afro 60 veta”, - njoftoi policia e Kosovës. Kjo protestë përfundoi rreth mesditës, pa incidente pasi protestuesit u zbrapsën nga forcat policore të Kosovës dhe të të EULEX-it.
Shefer do të vizitojë Maqedoninë më 8 maj
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, më 8 maj do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shkup. Lajmi u bë i ditur nga mediat maqedonase, të cilat iu referuan zyrtarit të Aleancës, Robert Simons, i cili ishte për vizitë të Maqedoni. Pritet që gjatë vizitës së tij në këtë vend, Shefer të rikonfirmojë qëndrimin pro anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Para dy ditësh, në takim me presidentin Branko Cërvenkovski në Bruksel, Shefer përsëriti se anëtarësimi do të realizohet pasi të arrihet një zgjidhje për kontestin e emrit me Greqinë. Lidhur me këtë çështje, ministri grek i Mbrojtjes, Evangelos Mejmarakis deklaroi se kontesti i emrit kushtetues të Maqedonisë është një problem serioz. “Zgjidhja e kontestit të emrit është edhe parimi bazë për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore”,- tha Mejmarakis gjatë një konference në Uashington. Ai shtoi se Athina zyrtare nuk mban inate ndaj Maqedonise dhe se ajo mbështet perspektivat europiane të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit.
Tadiç: “Jemi pro negociatave me Kosovën”
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, bëri të ditur se Serbia është pro negociatave, që do të çojnë në një zgjidhje kompromisi, zgjidhje të qëndrueshme. Më tutje ai theksoi se “Kosova nuk do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, pa pëlqimin e Serbisë”, duke shtuar se “ky fakt, herët ose vonë, do t’i bindë zyrtarët e Kosovës, që të kthehen në procesin e negociatave”. Në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti”, Tadiç, tha se Serbia duhet të ketë “durim dhe optimizëm” dhe se rasti i saj për shqyrtimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është shumë solid. “Ne dëshirojmë marrëdhëniet më të mira të mundshme me shqiptarët, përkundër traumave të së kaluarës”,- tha Tadiç. Sipas tij, një gjë është e sigurt, “Serbia demokratike kurrë më nuk do të bëjë luftë, nuk do t’i kërcënojë qytetarët e vet dhe as ata në rajon”. Duke folur rreth shtrirjes së EULEX-it dhe efektit të tij, ai tha se “EULEX-i është një institucion i ri të cilit duhet t’i jepet shansi”. Pasi citoi shefin e EULEX-it i cili ka thënë se misioni BE-së ka karakter teknik, Tadiç tha se kjo dëshmon se EULEX-i nuk po zbaton planin e Ahtisarit.
Katari dhe Mauritania paralajmërojnë se do ta njohin Kosovën
Katari dhe Mauritania kanë garantuar se së shpejti do të njohin shtetin e ri të Kosovës. Gjatë kohës që në Stamboll të Turqisë po vazhdon “Panairi i 9-të Ndërkombëtar i Industrisë ushtarake”, ministri i FSK-së Fehmi Mujota në funksion të prezantimit të Kosovës dhe kërkesës për njohje të pavarësisë së saj, ka takuar një numër të madh ministrash të mbrojtjes dhe shefa të shtabeve të vendeve pjesëmarrëse. Ai realizoi takime të ndara me Ministrin e Katarit Hamad Bin Ali Al-Attiyah, të cilin e njoftoi për zhvillimet në Kosovë i kërkoi mbështetjen e vendit të tij për njohjen e shtetit të Kosovës. Attiyah e siguroi Mujotën, se shteti i Katarit pas njohjes nga Arabia Saudite, po e shqyrton mundësinë e njohjes së shpejtë të Kosovës dhe kjo pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt. Takim të veçantë ministri Mujota realizoi edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Mauritanisë, Mohamed Mohamoud Olud Mohamed Lemine i cili vlerësoi arritjet në Kosovë, duke e siguruar ministrin kosovar se njohja e pavarësisë nga shteti i tij do të vijë shpejt.
1 Maj 2009