E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moikom Zeqo, në kërkim të “Adamit të fshehur”



Petrika GROSI
Diskutimet mbi letërsinë, veprat e ndryshme, stilet dhe shkrimtarët janë të pashmangshme në një bisedë me Moikom Zeqon, sikundër i pashmangshëm mbetet dhe interesi i lexuesit për të ndjekur ato. Tashmë Moikomi është në pritje të daljes nga botimi të librit të tij më të fundit me tregime, që titullohet “Adami i fshehur”. Rreth frymëzimit, konceptualizmit, stilit, gjetjeve dhe asaj që sjell ky botim i ri zhvillohet dhe biseda e sotme. Megjithatë, në intervistën që vijon më poshtë ne nuk kufizohemi vetëm me kaq...

Moikom, këto ditë del dhe libri juaj më i ri. Çfarë do të thoshit në lidhje me të?
Çdo linbër i ri që botohet është një luan i vdekur, sipas shprehjes së Heminguejt. Ky është një përcaktim konvecional. Qe një luan i gjallë brenda autorit, por nuk është një luan i vdekur për lexuesin, përkundrazi, mund të jetë një luan më i gjallë se ai që nuk ishte sendërtuar ende. Heminguej e kishte fjalën që duhej të merrej me luanë të tjerë... Jam i bindur se asnjëherë nuk i ka quajtur luanë të vdekur librat e tij. Libri titullohet “Adami i fshehur”. Titulli nuk është befasues. Ai vjen nga Bibla. Po e citoj në latinisht: “Adam ubi es?” (Adam ku je?), Është një fragment nga Zanafilla, kur Adami, pas mëkatit u përzu nga Kopështi i Edenit. Sipas një koncepti hebraik, e gjithë jeta e njeriut kalon për të kërkuar dhe për të gjetur vetveten. Kjo është një metaforë. Por ç’janë metaforat? Sinteza të historive dhe të përvojave. Konkretisht, tregimi im, libri ka afro 100 të tilla, që përfshijnë harkun kohor ’69 ’08, i kushtohet vdekjes së filozofit të madh herbre Martin Buber. Ky filozof nga më të mëdhenjtë e shek.XX, i vlerësuar shumë lart nga Borgesi, shkruajti libra me dialogë sipas paradigmës “Unë dhe Ti”. Rrallë ka pasur ndonjë krijues që të vërë në qendër të kirjimtarisë problematikën e Adamit të Fshehur. Jeta dhe arti janë premisa për të kërkuar. Kë? Pikërisht, njeriu kërkon shëmbëlltyrën e vet, për të mos harruar se Adami është moduli i tij fillestar, për të kuptuar që njeriu gjatë gjithë historisë e kërkon realizimin e vetvetes si i tillë.

Pas librit të suksesshëm “Gjumashët e Efestit” po krijoni kolanën e tregimeve tuaja të shkurtra. Kjo ka ngjashmëri me krijimin e kolanës poetike “Miscellanea”. Deri tani keni botuar pesë vëllime të “Miscellanea”-s. Pse e bëni një institucionalizim të tillë të krijimtarisë?
Termi institucionalizim është i përkorë dhe i përshtatshëm. Çdo shkrimtar serioz duhet të bëjë institucionalizim të veprës së vet. Jo thjesht tipologji. Jo thjesht kronologji. Dihet që letërsia e vërtetë qëndron mbi tipologjitë dhe kronologjitë. Deri më sot kam botuar 12 libra me prozë të shkurtër por kryesisht, librat “Fjalëkryqet e Babilonisë”, “Njeriu jeshil” dhe “Gjumashët e Efestit” i konsideroj si më të spikaturit dhe simbolikët. Në këtë hulli, “Adami i Fshehur” jo vetëm plotëson, por edhe rikonstrukton. Tematika e librit tim më të ri ka të bëjë me problematikën njerëzore, ku kohërat dhe hapësirat janë të ngjizura dhe të ndërthurrura. Në këtë libër kam përzgjedhur rrëfenja onirike (të ëndrrës), tregime më të gjata ku rrëfimi ka më tepër karakter simbolik, pa harruar edhe proza të tipit sinops, shpesh deri në 10 ose 20 rreshta, praktikë e njohur nga Buzzati dhe Kafka, por edhe etyde, të cilat kanë një sinkronizim midis essesë dhe rrëfimit. Kjo lloj proze është bashkëkohore dhe mesa duket, është një tendencë e pandalur, për shkak të shmangies me mençuri të të shkruarit të librave të llojit barok me shumë faqe. Kumti i Borgesit, që “nuk është nevoja të shkruhen libra me një numër të madh faqesh, kur të vërtetat mund të thuhen në pak rreshta”, është një kumt suprem, inteligjent dhe në fund të fundit, tejet ekonomik. Letërsia nuk është një tautologji as kaleidoskop i pafund historish ekzotike. Ajo është një mençuri e koncentruar dhe një instrument mendor suprem i intelektit njerëzor. Vë re se letërsia e shek.XX, por edhe ajo e shek.XXI ka ndryshuar. Ky ndryshim nuk është kuptuar shumë në Shqipëri dhe kam mendimin se letërsia shqipe ende mitizon rrëfimet si një strukturë të përgjithshme, pa kuptuar se çdo rrëfim ka nevojë për një përshtatje dhe një stil sintetik më konçiz. Një shprehje e tradicionalizmit letrar shqiptar është dhe letërsia rrëfimtare, e cila në substancë nuk sintetizon jetën universale të njeriut. Letërsia shqipe e ka të domosdoshme t’i shpëtojë provincializmit të saj shekullor, pa mohuar arritjet dhe talentet e mëdha. Letërsia, që me Homerin lindi si një letërsi botërore. Kjo duhet kuptuar njëherë e mirë, e përgjithmonë. Prapambetja e letërsisë sonë duhet kapërcyer dhe jam i bindur se do të kapërcehet. Vonesat kronologjike nuk janë vonesa konceptuale. Mendoj se bashkëkohësia e letërsisë shqipe është ballafaqimi me letërsinë më të mirë botërore dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. Është sa ekzistenciale aq dhe estetike.

Roman me pak faqe. Çfarë nënkuptonit, novela?
Ndoshta dhe një tregim. Po sjell një shembull të jashtëzakonshëm. Skica “Vetëvrasja e trumcakut” e Migjenit të madh, ka në vetvete lëndën e një romani. Shumë skica të Kafkës janë më të rëndësishme se romanet e tij. Pse? Sepse nëse një tekst nuk ka brenda vetes vizionin e madh do të kishim një paradoks. Një tekst i gjatë, pa një vizion të madh është një hipertrofizëm i kotë. Një tekst i shkurtër me një vizion të madh, mund të trondisë jo sa një roman, por sa dhjetra romane sëbashku. I rikthehem sërish Borgesit; ai nuk shkruajti gjatë gjithë jetës asnjë roman. Por, shkruajti tregime të tilla, me një strukturë universale, më të mëdha se çdo roman. Mendoj që ka pasur të drejtë dhe ka krijuar një terapi për të gjithë ata shkrimtarë që shkruajnë gjatë. Të kuptohemi, nuk e kam fjalën te stili. Ka shkrimtarë, madje edhe të famshëm, të cilët i japin rëndësi shumë të madhe stilit, teknikës, zejtarisë të të shkruarit. Kjo është e njëanshme dhe jo gjithmonë e suksesshme. Roland Barti e ka quajtur Kafkën një shkrimtar “me stil të bardhë”, pra e thënë ndryshe, pa stil fare. E megjithatë, vëmë re se të paktë janë shkrimtarët botërorë që kanë dhënë ankthin e njerëzimit në tekste të shkurtra siç bëri Kafka. Në epokën e sotme të perandorisë planetare të marketingut të librit, është e frikshme të mendosh se sa shumë libra shkruhen dhe botohen, kurse shkrimtarë të mëdhenj ka fare pak. Bujë e madhe u bë për Dan Braunin dhe librin e tij “Kodi i Da Vinçit” dhe, pas bujës nuk mbeti asgjë! Shkrimtarë të tillë si Thomas, Pynchon, DeLilo, Filip Roth, Amos Oz, Milorat Pavic, Saramago, Juan Gojtisolo, Umberto Eko, Garsia Markez, Kortazar, Danillo Kish, Pamuk, Pauers etj, janë sot më të mëdhenjtë e planetit dhe kjo, jo rastësisht. Kritiku më i madh i Amerikës dhe ndoshta edhe i botës, Harold Blum, është tallur shpesh me shkrimtarët nobelistë që kanë fituar çmimin por që nuk e meritojnë. Natyrisht, parapëlqimet janë subjektive por ka dhe diçka të vërtetë. Kazanxaqi nuk e fitoi kurrë çmimin Nobel dhe as Borgesi, as Kafka, Xhojsi e Prusti... Por, këta emra janë shumë më të rëndësishëm se të gjithë nobelistët.

Pse pikërisht motivi biblik, apo për ta bërë më mistike dhe intriguese veprën tuaj?
Dihet që Bibla është një antologji e çuditshme e shumë librave të shkruara në kohë të ndryshme. Aty ka tre qytetërime; babilonasit, egjyptianët dhe hebraikët. Kuptohet që kemi të bëjmë me një antologji botërore në rrafshin letrar, përtej metaforave fetare e mistike. Nga kjo pikëpamje, shfrytëzimi i motiveve biblike, ka të bëjë me rileximin e kohës moderne, për të nxjerrë elementin e përjetshëm, paradokset dhe pashmangshmërinë e së ardhmes. Letërsitë e të gjitha kombeve kanë kaluar në këtë strukturë, pra, edhe letërsia shqipe. Le të kujtojmë Buzukun, Bogdanin dhe Nolin.

Dhe si përfundim, e gjetët Adamin?
(Qesh) Adami është një grishje, një ide... Secili kërkon Adamin e tij dhe kur e gjen vetëm kur ka gjetur kuptimin e jetës.

Epi i Gilgameshit?
Po. Gilgameshi është para Homerit dhe është vërtet një figurë, ku ndërthurret Adami biblik dhe Fausti i Gëtes. Është një figurë arketipale, e gjithëjetshme.

Po tjetër, çfarë jeni duke shkruar?
Sapo kam mbaruar librin tim “Anima Mundi” (Shpirti i botës). Këtë libër e kam konceptuar si një sagë virtuale dhe një rrëfim tokësor. Merrem me probleme të jetës, filozofisë dhe të artit, duke përdorur teknikën e Palimsestit. Libri është mozaikor dhe një zhanër suigeneris. Kam treguar pikëpamjet e mia për shkrimtarë të mëdhenj të botës, për letërsinë shqipe dhe përgjithësisht, për problematikën ekzistenciale; artin, spektrin fetar dhe çështjet konfliktuale mes shtetit e shoqërisë civile, të konceptualitetit të lirisë. Ky është një libër që shkruhet pas afro 40 vjet krijimtarie, ku merrem me enigmat e historisë dhe të shpirtit njerëzor. Nuk është thjesht një libër kulturologjik pasi dituria e vërtetë, në thelb nuk ka karakter enciklopedik, por atë të procesit të njohes si dhe të identifikimit. Gjithashtu, kam përgatitur për botim “Miscellanea VI”, për të plotësuar korpusin tim poetik.

Së fundi, gjithë këto libra e studime, botime në shtyp etj., a i keni thënë ndonjëherë vetes: “Moikom, ky është libri i fundit”?
Jo. Mendoj se shkrimtari, edhe kur shkon nëntokë i merr me vete në kokën e tij librat që i kishte ëndërruar dhe që nuk i shkruajti dot. Megjithatë, dua të theksoj se nuk ka rëndësi numri i librave; shkrimtari shkruan gjithë jetën vetëm një libër. Rëndësi ka që libri të ketë origjinalitet dhe të jetë i vërtetë. Letërsia nuk është një shumësi librash dhe as një koleksion i saj. Ajo është konceptualitet. Rëndësi ka prerja konceptuale që i bëhet botës dhe dukurive e jo numri i librave. Rembo, Uitman dhe Migjeni shkruajtën vetëm një libër, por ndoshta kanë krijuar librat më të mëdhenj konceptualë të botës.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›