E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia triumfon përsëri me Partizanin

Fierakët kanë zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të sezonit, duke mposhtur për herë të dytë të kuqtë

Apolonia ka korrur një nga fitoret më të bukura gjatë këtij kampionati, kjo jo për faktin se është arritur ndaj Partizanit dhe me shifra të pastra, por fierakët kanë merituar gjithçka përmes një loje të shkëlqyer dhe një interpretimi virtual në fushën e blertë. Përballë një numri rekord shikuesish, skuadra ka shpalosur një grintë të jashtëzakonshme në fushën e lojës dhe ka përmbysur gjithçka në favor të vet, edhe pse është goditur shumë shpejt, nga ai gol i minutës së dytë të shënuar nga mbrojtësi i Partizanit, lezhjani Malota. Trajneri Karishik ka ditur ta udhëzojë siç duhet ekipin e vet dhe ta udhëheqë me mjeshtëri në rrugën e një fitoreje me shifra sugjestionuese. Futja e Dhramit në minutën e 21-të i ka dhënë skuadrës më shumë impulse në aksionet sulmuese dhe mbrojtja e skuadrës së Duros është gjetur disa herë e papërgatitur dhe ka shpëtuar më tepër falë përvojës dhe sigurisë së portierit Shehi. Pas barazimit të arritur nga goli i Bërkiçit, Apolonia e ka shtuar epërsinë e saj dhe ka qenë disa herë të tjera fare pranë golit të avantazhit. Krejt e kundërta ndodh me mesfushën e Partizanit, e cila është tërësisht apatike dhe inaktive, duke mos krijuar hapësirat e duhura për Ngjelën dhe Bakajn, që kanë qenë në hije thuajse gjatë gjithë takimit, kjo edhe për meritë të mbulimit të rreptë nga mbrojtja e Apolonisë.

Pjesa e dytë do të nisë e gjitha me ritmin fierak dhe një Partizan inekzistent për minuta të tëra. K.Asllani, Bërkiç dhe Dhrami kanë shpërdoruar mjaft, derisa vijmë në minutën e 58-të, kur kapiteni Asllani do të çlirojë fierakët nga makthi i barazimit, pas atij goli të bukur të shënuar nga një goditje rreth 20 metra distancë. Kaq ka mjaftuar për Apoloninë që të luajë më e qetë dhe më autoritare në lojën e saj. Përballë një mbrojtjeje të çoroditur të miqve, futbollistët e Apolonisë humbasin edhe shumë raste të tjera shënimi. Në 20 minutat e fundit, Partizani ka luajtur në inferioritet numerik, për shkak të daljes me karton të kuq të kapitenit Shehi dhe këtë gjë e shfrytëzon më së miri Apolonia, që ka goditur për të fundit herë me anë të sulmuesit Dhrami, në minutat ekstreme të takimit. Pas këtyre tri pikëve mjaft të vlefshme, Apolonia ndihet më e qetë dhe më e sigurt, pasi ka krijuar një shkëputje më të ndjeshme nga Partizani, por tashmë i është larguar edhe Lushnjës.

Ndeshja e tjetër e luajtur dje, ajo mes Teutës dhe Besës, ka përfunduar me fitoren minimale të kavajasve. Haliti ka shënuar golin 3-pikësh për Besën, që ngjitet kështu në vendin e 3-të.

Deklarojnë:

Esad Karishik, trajner i Apolonisë: "Një fitore e madhe e ekipit të Apolonisë, e ardhur në një moment kur ndodheshim në një pozicion shumë të vështirë. Pësuam një gol që u duk se e demoralizoi ekipin, por me ndryshimin e taktikës së lojës, arritëm përsëri të marrim iniciativën, të cilën e ruajtëm deri në fund të ndeshjes. Kjo lojë na shpërbleu me tre gola dhe, siç e patë vetë, kemi pasur edhe shumë raste të tjera, të cilat mund të kishin çuar në një rezultat më të thellë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe përkrahjen e fuqishme të publikut, që ka qenë lojtari i dymbëdhjetë për ne ditën e sotme, jo vetëm të shumtë në numër, por edhe tepër të zjarrtë."

Shpëtim Duro, trajner i Partizanit: "Nuk e kishim parashikuar një humbje në Fier. Sot ishte një fillim shumë i mirë, shënuam një gol, por nuk arritëm të shfrytëzonim momente të veçanta të lojës. Edhe me fillimin e pjesës së dytë, kemi pasur 3-4 raste të tjera për shënim. Dalja me karton të kuq e portierit Shehi ishte momenti më deciziv i takimit, jo për shkak të kartonit, por dihet në situata të tilla është "mjeshtri" Janku që di ta kontrollojë dhe administrojë lojën ashtu si dëshiron. Nuk kam asgjë për fitoren e Apolonisë dhe nuk dua t'i mohoj meritat asaj, përkundrazi kam përshtypje të mira dhe i uroj suksese kësaj skuadre."

Superliga, java e 16-të

Dje

Apolonia – Partizani 3-1

Teuta –  Besa 0-1

Sot

Bylis – Vllaznia

Flamurtari – Tirana

Shkumbini – Elbasani

Dinamo – Lushnja

Kategoria e parë, java e 15-të

Dje

Tërbuni – Skënderbeu 3-0

Bilisht-Sport – Gramozi 1-1

Luftëtari – Ada 1-1

Burreli – Besëlidhja 2-0

Dajti – Pogradeci 1-0

Kastrioti – Turbina 2-1

Sot

Laçi – Naftëtari

Skrapari – Sopoti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›