Sovraniteti buron nga qytetarët e Kosovës, pra nga ne
Kosovës, së shpallur dhe pranuar ndërkombëtarisht si vend i pavarur dhe sovran, po i rrezikohet edhe territori edhe sovraniteti. 6 pikat e propozuara nga OKB-ja, të modifikuara për Serbinë, dhe të pranuara nga BE-ja, synojnë ta ndajnë Kosovën në dysh: rreth 1/3-tat e territorit u jepet strukturave paralele të Serbisë, që nënkupton kontroll të Serbisë.
Këto pika e ngushtojnë shtrirjen e institucioneve të Kosovës, duke e zgjeruar shtrirjen e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë, në elementet më të rëndësishme të ushtrimit të sovranitetit shtetëror, sidomos në polici, gjyqësi, dhe dogana. Kjo është e papranueshme. Neni 1 i Kushtetutës së Kosovës e shpall Republikën e Kosovës "shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm". Ky është obligim kushtetues dhe Kosova e tillë duhet të bëhet.
Sovraniteti buron nga qytetarët e Kosovës, pra nga ne. Është përgjegjësi e jona, dhe e askujt tjetër, ta mbrojmë atë sovranitet. Është koha t'ua bëjmë të gjithëve të qartë: populli i Kosovës i thotë JO ndarjes dhe u thotë JO negociatave të sërishme.