E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti të ribëhet urgjentisht ndërmjetës në Shëndetësi

Kasta mjekësore mund të pengojë reformimin e sistemit, por nuk pengon dot ato struktura të shtetit që kanë për detyrë të luftojnë atë që quhet korrupsion, por që në të vërtetë është një marrëveshje e paligjshme mes dy palëve. Filluan të arrestoheshin mjekë. Nuk dihet nëse përzgjedhja ishte rastësore apo e qëllimshme, por nën ato pranga mund të ishte secili prej atyre që sot veshin nga një bluzë të bardhë. Ajo që po ndodhte, nuk mund t’i shpëtonte medias, e cila nuk mund të linte pa kryer detyrën e saj për informimin e publikut, aq më tepër për tema të tilla, me ndjeshmëri të lartë sociale. Mediat mund të akuzohen se nuk kanë gazetarë të përgatitur në një fushë kaq specifike si shëndetsia dhe për pasojë njohje dhe trajtim të përciptë të problemit. Gjithashtu, mund të akuzohen për shkrime shpesh tendencioze, personale apo të trajtuara me shumë njëanshmëri. Mund të akuzohen së bashku me shtetin se kurrë nuk kanë vënë në dukje sa e vështirë është puna e mjekut dhe me sa sakrifica kryhet ajo, se sa shumë përkushtim kanë treguar këto bluza të bardha, edhe atëherë kur politika i vinte zjarrin vendit, si më 1997-n, apo ditën e tragjedisë së Gërdecit. Por, mediat nuk mund të akuzohen pse e vunë në dukje problemin.

Rezultati final i gjithë sa thamë më lart është që, ndërkohë që shërbimi shëndetësor sa vjen e bëhet më i dobët, kërkesat dhe pakënaqësia e popullatës sa vjen e rritet. Për shkak edhe të ndjeshmërisë së lartë që nxit dhimbja, sëmundja apo vdekja, mjekët janë kthyer në temë diskutimi për keq, kudo që të jesh. Në autobus, korridore spitali, dasma apo vdekje, tema e preferuar është sharja e mjekëve. Mes shoqërisë dhe mjekëve është krijuar një hendek i madh, që do kërkojë shumë mundim, kohë dhe mjete për t’u mbushur. Vetëgjyqësia nga njëra anë, dhe instinkti i vetëmbrojtjes nga ana tjetër, e kanë çuar situatën në ekstrem. Zgjidhja është e thjeshtë dhe e kuptueshme për të gjithë:

Shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht për të rivendosur rolin e tij ndërmjetës dhe garantues të të drejtave të të dy palëve. Pacientët duhet të heqin dorë nga vetëgjyqësia dhe t’u drejtohen institucioneve kur vënë re se po u shkelet e drejta e tyre. Mjekët duhet të kuptojnë që kështu nuk mund të vazhdohet dhe të reagojnë si komunitet për të mbrojtur interesat e tyre të përbashkëta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›