Kodi i vë fre demokracisë, apo lakmive pakufi dhe mllefit?
Një citim nga një forum on-line, me të cilin bashkohem plotësisht: Ky kod nuk i heq të drejtën dhe nuk i mohon lirinë asnjë qytetari, por vetëm sa rrezikon karriget e atyre individëve-parti, të cilët i kanë ngritur selitë mbi gërmadhat e mllefit dhe jo të ideve, partitë e të cilëve nuk përfaqësojnë evoluime politiko-historike, por qejf-mbetje dhe inate personale. Kodi i uruar nuk i vë fre demokracisë së Shqipërisë, por ambicieve dhe lakmive të pakufi të një imoraliteti që ishte kthyer në modë, në “causa-viventis” në politikë-bërjen e një klase politike të formatuar nga Ne për Ne dhe jo nga Ne për Ju. Ku ndarja klasore në Ne dhe Ju, shihej në sytë e atyre që i përkisnin zërit “NE”, si një e drejtë e patjetërsueshme për ta dhe si një detyrim i pashmangshëm, për ata të kategorizuar me “JU”. A thua se Ne-të dhe Ju-të nuk janë të vendosura në një nivel të drejtash e barazish, por të parët i përkitkan një mbifuqie dhe të dytët, faktorit mbi të cilin përplaset kjo fuqi, herë për të ndëshkuar, e herë për të vlerësuar me një kothere, në varësi të sjelljeve servile apo kritike.
Dikush mendon se nuk është e drejtë që Troja u dogj nga grekët, vetëm sepse Paridi grabitqar i rrëmbeu zemrën Helenës, gruas së Menelaut. Nuk kam si të mos pajtohem me këtë mendim. Personalisht jam vetëm për ndëshkimin e burracakut të pabesë Parid. Por kur Paridi dhe Troja janë e njëjta gjë, dhe jo dy entitete të ndryshme, në sensin që i pari e përfaqëson të dytin, por jo anasjelltas, është i pashmangshëm ekzekutimi i të dyve (në sensin politik, në rastin tonë), aq më tepër kur je i lehtësuar në shpirt, duke ditur se gjithsesi, vetëm tradhtarin e pamëshirshëm lëndove. Kështu që, s’na mbetet gjë tjetër, veçse të themi “Burn Troy”!