E Diel, 1 Nëntor 2026

U lodha nga heshtja, nga të mbajturit mbi shpatulla të dy vendeve

Kam dy atdhe / një të vogël e të varfër që më dhuron bar fushe, një të madh e të pasur që më rrethon me pisha artificiale.

Kam dy lule / trëndelinën e tharë të gjyshes në sirtar, në dritare orkidenë e paçelur të adhuruesit sekret..

Kam dy vende / në një kam lindur, në tjetrin jam natyralizuar (e thur vjersha për të dy pas gotës së parë të verës).

Kam dy pasaporta / bluja me hap dyert e botës pa as kërkëllimën më të vogël, e kuqja nuk pranohet as në vendin ku është shtypur.

Kam dy udhëheqës / njëri më kthen krahët se nuk jam më përgjegjësja e tij, tjetri ankohet se nuk po e përkrah (ama të dy i duan votat e mia)

Kam dy palë bashkëvendas / ata tek vendi ku linda më akuzojnë si hundëpërpjetë (kaq shpejt e ke harruar gjuhën e nënës?!), ata tek vendi ku u ngula më akuzojnë si mosmirënjohëse (pse e shkel bukën që po të japim përditë?!)

U lodha nga heshtja, nga kujdesi për kallot e regjura të politikanëve, nga zhurmat e përpjeta të të tatëpjetave të bursës, nga të mbajturit mbi shpatulla të dy vendeve.

Këmbëkryq e qafosur, tek më tundin dashurinë-karotë, para hundës...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›