E Diel, 1 Nëntor 2026

Ara Gyler, legjenda e gjallë e fotografisë turke

Për herë të parë emrin e Ara Gyler (Guler), fotografit të shquar bashkëkohor turk, e kam dëgjuar para disa vitesh nga miku im, fotografi prishtinas, Burim Myftiu. Madje, kosovari i kish shkuar per vizitë disa herë i ftuar në shtëpinë e turkut në Stamboll. Natyrisht, tema kryesore e bisedave të tyre ishte fotografia. Por nxitja për këtë shkrim erdhi nga çfletimi i një libri te botuar para një muaji (në SHBA) me titull “50 Photographers you should know” (“50 Fotografë që duhet të njihni”) të studiuesit Peter Stepan dhe shtëpisë botuese “Prestel” me qendër në Mynih (Gjermani) dhe degë në Berlin, Londër e Nju Jork. Libri fillon me fotografët e mëdhenj, Nadar, Julia Margaret Kameron dhe mbyllet me Wolfgang Tillmans, fotograf i talentuar gjerman, por brenda tij hasen emra të tillë si Kartje-Breson, Robert Kapa, Shtiglic, Kertesh, Brasai, Lange, Newton etj, që përbëjnë ajkën e fotografisë botërore e, ndërmjet tyre edhe…turku Ara Gyler. Ndoshta befasi, por e këndëshme.
Po kush është Ara Gyler, fotografi më i shquar bashkëkohor turk, i cili është mbiquajtur edhe “Syri i Stambollit”, që para dy muajve mbushi 80 vjet? Para se t’i përgjigjemi pyetjes, shënojmë se fotografia në Turqi i ka fillesat e saj nga mesi i shekullit XIX e, ndër studiot e para fotografike kanë qënë ajo e vëllezërve Abdullah (Freres Abdullah), e Hasan Behçet, e Sabah Joaillier. Në të parën është realizuar edhe portreti i Ismail Qemalit në moshë të re që shërben si ballinë e librit të stërnipit të tij, Darling Vlora, botuar kohët e fundit në Tiranë. Gjithashtu nga kjo atelie ka mbëritur në ditët tona fotoja treshe e Frashërllinjëve të Mëdhenj (Abdyl, Naim, Sami). Njeri nga tre vëllezërit Abdullah, ka ardhur në Shqipëri në kapërcyell të shekujve XIX dhe XX dhe ka fotografuar këtu ushtrinë turke. Gjatë shekullit të kaluar, fotografia si në mjaft vende, u zhvillua dhe u përhap gjerësisht edhe në Turqi. Fotografi i njohur, Ara Gyler është lindur në Stamboll më 1928, nga një farmacist me origjinë armene. Studioi fillimisht për actor, për ekonomi dhe më pas fotografi. Në vitin 1950, Gyler fillon bashkëpunimin me gazetën “Yeni Stamboll” (Stambolli i ri), më vonë kalon si përgjegjës fotografie në revistën “Hayat”(Jeta), punon mandej si fotoreporter i Lindjes së Afërt për revistën e njohur amerikane “Time-Life” dhe njëkohësisht për francezen “Paris Match” dhe gjermanen “Stern”, si dhe gazetën angleze “Sunday Times”. Puna në këto organe të njohura në qarqet ndërkombëtare të shtypit, ku parësor ishte imazhi fotografik, e ndihmoi Gylerin të ecte “me hapin e shokëve”, atë të fotoreporterëve të shquar të kohës. Ndërkohë, Stambolli bëhet i pranishmi i përhershëm i objektivit të tij, në zhvillimin e vrullshëm urban, por edhe social të qytetit që shtrihej në dy kontinente. Gyler paraqiti gjerësisht në fotografi përplasjen e të vjetrës me renë, ndryshime që përfaqësonin dhe mendësitë e kohëve moderne. Nga ai u fotografuan edhe figura të njohura të artit dhe politikës botërore të shekullit XX, si Bertrand Rasell, Uinston Cërçill, Pablo Pikaso, Salvador Dali, Alfred Hiçkok,Vili Brand, Mark Shagall, Indira Gandi, Federiko Felini, Sofia Loren, Brixhit Bardo etj, që u përfshin në përmbledhjen “Ara Guler’s Creative”, botuar në SHBA dhe “Ara Guler-Photographs” të botuar në Turqi. Fillon të vizitojë shumë vende me aparat në krah, por duke e pasur më tepër në shpirt dhe mendje gjithcka do përjetësonte me të. E tërheqin jo vetëm pamje të veçanta të rajoneve të ndryshme të botës, por sidomos njerëzit dhe jeta e tyre, fytyrat e të cilëve flisnin shumë edhe me “heshtjen” e tyre, por edhe me veshjet karakteristike e popullore. Një seri fotografike, Gyler, ja kushton ndërtimeve të projektuesit më të madh turk, Arkitekt Sinani (1489-1588), me origjine shqiptare, të ekspozuar edhe në Sevilje të Spanjës. Për këtë, në vitin 1992, ai botoi përmbledhjen me titull “Sinan, Architect of Saliman the Magnificent”. Ndërkaq, Gyler kishte takuar më 1956, edhe fotografët e njohur të “Magnum”, Kartje-Breson dhe Mark Ribo, shkëmbimi i përvojave me ta ishte i një rëndësie të madhe për të. Njëkohësisht vazhdon fotografimin e Stambollit, nuk i shpëton rrugë a kënd pa e përngrirë në filmat e tij, ditën dhe natën, në çdo stinë e mot. Fotografitë e tij të njohin me qytetin e vjetër, me mënyrën e jetesës, mjetet tradicionale të qarkullimit, me punën e detarëve, artizanëve, me dyqanet dhe kafenet karakteristike që sot nuk janë më. Ai ka bërë për Stambollin atë që kanë bërë për Parisin fotografi Atget dhe më vonë Brassai, fotografi me origjinë hungareze. Atij i pëlqen t’a quajnë “kronist të Stambollit”, qytetit me ndikim të ndjeshëm në Mesdhe. Në vitin 1961, Ara Gyler, pranohet si anëtar i ASMP (Shoqata amerikane e revistave fotografike), vlerësim i veçant në atë kohë edhe për moshën e tij, relativisht të re. Shumica dërmuese e fotove të Gyler është realizuar me teknikën bardhë e zi, ku shquhet për marrje mjeshtërore dhe ndriçimin e përshtatshëm, në parametrat teknik më të mirë. Karakteristikë tjetër e Gyler (ndoshta edhe nën ndikimin e Kartje-Breson), ishte dhe fotografimi i pamjes në çastin më shprehës të subjektit, pra në atë që mjeshtri francez e quante “çasti vendimtar”. Përmendim gjithashtu se mjaft fotografi të Gyler kanë ilustruar shumë libra të autorëve të shquar turq. Një pjesë e fotografive të Gyler janë ekspozuar në disa muze dhe biblioteka të njohura në botë, si psh. në “National library of France”, “George Eastman Museum” Roçester, NY, ne Universitetin e Nebraskës-Linkoln, Muzeun “Ludvig” Këln, “Das Imaginare Photo Museum” Këln, etj. Shënojmë, gjithashtu se ai është nderuar me çmimet “Master of Leica” (1962), “Legion d’honneur” (Francë) dhe “Grand Prize of Kultur and Arts Turkey” (2005). Fondi shume i gjerë (rreth 7-800 mijë shkrepje) i fotografive të Ara Gyler, ka vlera të pallogaritëshme dokumentare dhe historike për Tuqinë, por veçanërisht për Stambollin, qytetin e tij të dashur, ku ka punuar dhe punon pa u lodhur edhe sot e gjithë ditën, në moshën mbi 80-vjeçare.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›