Basha: Rruga që bashkon shqiptarët po sulmohet për interesa antishqiptare

Gjatë një rrëfimi të gjatë për emisionin “Opinion”, ministri i Jashtëm flet për sulmet e hershme që i janë bërë ambicieve për ndërtimin e Rrugës Durrës-Prishtinë, sabotimin 8-vjeçar të qeverive socialiste, kërkesat absurde të shovinistëve që për ndërtimin e saj të kërkohej konsensusi i Athinës dhe i Beogradit si dhe interesat personale të Edi Ramës për përbaltjen e projektit, realizimi i të cilit do të sjellë edhe fundin e tij politik
Zoti Basha, do të flasim sot për një seri pyetjesh, për rrugën Durrës-Kukës, ku vetëm unë kam 25 të tilla, imagjino sa duhet të ketë prokuroria?
Prokuroria ka pasur mëse dy vjet për t’i bërë këto pyetje dhe besoj se çdokujt do t’i mjaftonte kjo kohë, jo më një organi të specializuar.
Besoj se nuk duhet të jeni plotësisht komod në pozicionin e të pandehurit?
Jam plotësisht komod në studion tuaj, jam plotësisht komod në pozicionin tim ligjor. Ndërsa pozicioni im ligjor nuk është ai i të pandehurit, megjithatë edhe nëse ky moment vjen, unë jam plotësisht i qetë dhe pres me padurim t’i jap fund kësaj farse dy vjeçare
Pritet që ju të jeni si pandehur, si e gjykoni këtë fakt, zoti Basha?
Kjo nuk është në dorën time, është në dorën e Prokurorisë për të vepruar sipas ligjeve të vendit, për të çuar në gjykatë, nëse ka dyshime, por sigurisht edhe ky është një proces ligjor që ecën sipas procedurave ligjore të shtetit shqiptar. Por mësa duket Prokuroria e ka humbur rrugën.
Përse e ka humbur?
Mendoj se ky nuk është thelb i debatit, por siç e keni vënë re edhe nga deklaratat e avokatit tim, duket se prokuroria po kryen shkelje pas shkelje procedurale, e cila fatkeqësisht vërteton atë që është thënë prej shumë kohësh, se ka një motivim të thellë politik në këtë çështje.
Prokuroria pretendon se nuk ka ndonjë shkelje procedurale?
Mendoj se nuk ia vlen të futemi në këtë çështje. Është midis prokurorisë, avokatit tim dhe gjykatës.
A jeni thirrur për t’u pyetur ndonjëherë që prej vitit 2007, kur iu hoq imuniteti?
Imuniteti u hoq pasi parlamenti mendoi se ia vlen të hiqet, pasi këshilli për imunitetet konkludoi, se kërkesa e prokurorisë ishte e pabazuar, por mbështetur në vullnetin tim personal, në përkushtimin e maxhorancës për t’ju përgjigjur çdo thirrjeje për heqjen e imunitetit dhe me kërkesën time e të kryetarit të mazhorancës, ajo votoi për heqjen e imunitetit për t’u hapur rrugë hetimeve, në mënyrë që askush mos kishte pretendimet që kjo maxhorancë i fsheh deputetët e saj nga ligji dhe përgjegjësia.
Që prej dhjetorit 2007 e deri më sot, jeni pyetur?
Që prej 12 shtatorit, kur prokurori i përgjithshëm atëherë, indikoi ndaj meje, unë i ofrova dëshminë time, e cila nuk u mor parasysh deri më 10 dhjetor. Në këtë datë, 18 ditë para heqjes së imunitetit, deponova vullnetarisht në Prokurorinë e Përgjithshme. Dhe nga ai moment e deri më sot nuk më është kërkuar asnjë deponim shtesë. Çdo prezencë e imja në prokurori prej atij momenti, ka qenë në funksion të zgjatjes së hetimeve dhe njohjes me dy dokumente të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe raportit nga ekpertët.
Keni kontaktuar me zonjën Rama që nga momenti kur ajo erdhi në krye të Prokurorisë?
Në 10 dhjetor, ku dy ditë më parë i dërgova një letër me kërkesën për të bërë deponim e parë mbi këtë çështje, u takova me të në zyrën e saj për një kohë fare të shkurtër. E më pas u takova me prokurorët e çështjes ku kam bërë edhe deponimin tim.
Ky ka qenë i vetmi rast në të cilin ju keni shkuar në Prokurori, gjatë një viti?
Ky është i vetmi rast ku unë kam deponuar në Prokurori. Në 3 apo katër raste të tjera kam shkuar kur është kërkuar zgjatje e procedurës hetimore.
Prokuroria vendosi javën e kaluar t’ju ftonte sërish për të dhënë sqarime. Ju fillimisht pranuat të shkoni e më pas refuzuat...
Ta sqarojmë këtë çështje, se ka tre gjëra këtu që nuk qëndrojnë. Prokuroria nuk më ftoi të shkoj, por më dërgoi një fletëthirrje pas vendimit të gjykatës, ku më njoftonte se duhet të paraqitesha për t’u njohur me akuzën dhe për t’u marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit, veprime që avokati im i konsideron joligjore dhe në kundërshtim me vendimin e datës 18 nëntor të gjykatës, e cila në mënyrë kategorike për këtë çështje penale e ndalon prokurorinë të vazhdojë hetimet përtej datës 6 nëntor. Këtu ka një diferencë, një ndryshim interpretimi, prokuroria pretendon se ky vendim ka të bëjë vetëm me zotërinjtë Andi Toma dhe Armand Teliti. Ndërkohë që duket nga vendimi i gjykatës, dhe ky është qëndrimi i mbrojtësit tim dhe i imi, se vendimi nuk ka të bëjë me personat, por ka të bëjë me çështjen penale. Dhe ka vetëm një çështje penale, është çështja që është kundër Rrugës Durrës-Kukës dhe vendimi i gjykatës shtrin efektin mbi këtë çështje penale dhe mbi organin e akuzës. Përsa i përket pretendimit se unë në fillim kam deklaruar se do shkoja të deponoja dhe më pas jo, është një sajesë mediatike e zotit Rama dhe e medieve afër zotit Rama. Unë s’kam deklaruar në asnjë moment, në asnjë çast nëse do shkoj apo jo në prokurori.
A keni deklaruar nga Brukseli se jeni i gatshëm?
Absolutisht jo. Është një gënjeshtër e mirëfilltë mediatike. Deklarimi im ka qenë, që sa herë të kërkohet dhe të jetë në përputhje me ligjin, unë jam në dispozicion të ligjit dhe të organeve të ligjit. Por siç e thashë, duket se prokuroria ka filluar shkeljet e procedurave ligjore. Unë kam detyrim t’i bindem ligjit dhe prokuroria ka detyrim ti bindet ligjit. Dhe pavarësisht kësaj, unë shpreha vullnetin tim të mirë dhe para një viti. Fakti se përgjatë një viti nuk pati asnjë zhvillim tjetër, dyshimi im se procesi po zvarritet qëllimisht për të pasur një efekt elektoral sa më shumë afrohen zgjedhjet, së fundmi hapat që prokuroria ka hedhur të cilat gjykohen nga unë dhe avokati im, të jenë në kundërshtim me gjykatën e kushtetutën, nuk lënë vend për dyshim se këtu kemi të bëjmë me një prapavijë të qartë politike. Në këtë moment, vullneti im i mirë karshi prokurorisë, mbaron dhe e vetmja gjë që na bashkon është ligji. Në respekt të ligjit dhe në raport me ligjin, unë përsërit atë që ka thënë.
Pa patur frikë nga ligji
Absolutisht.
Në shtyp është thënë se i kthyet përgjigje prokurorisë se jeni i zënë për momentin dhe do të shkoni më pas. Është e vërtetë?
Jo absolutisht. Është shpifje e pastër. Një pjesë e shtypit është futur në shpifje në adresë time. Por ju garantoj me përgjegjësi të plotë se kjo nuk qendron.
A ndjeheni fajtor për rrugën Durrës Kukës?
Ndjehem shumë i kënaqur dhe krenar dhe sa herë të më jepej rasti në jetën time aq herë do e përsëris atë që kam bërë.
Jeni i sigurt se nuk keni përfituar financiarisht nga ndërtimi i kësaj rruge?
Kam përfituar në një masë të jashtëzakonshme, por shpirtërisht. Kënaqësi që s’ma merr askush. S’kam përfituar as unë dhe në dijeninë time asnjë zyrtar i shtetit s’ka marrë asnjë qindarkë nga kjo rrugë. Ky është projekti më transparent në të gjithë historinë e shtetit shqiptar.
Si ka nisur ideja e rrugës Durrës-Kukës. Ishte ide e kryeministrit apo jo?
Ideja e rrugës është e vjetër, e thënë për herë të parë nga Presidenti Berisha, në administratën e parë të demokratëve në 92-96. Rruga u mendua të shtrohej deri në Kukës sepse situata gjeopolitike ishte e tillë. Ish-Jugosllavia po shpërbëhej, rreziku kryesor ishte situata e sigurisë në Kosovë. Por pavarësisht, ekzistonte një vizion, dhe kishte një projekt të qartë politik që do lidhte Kosovën me Shqipërinë në rrugën më të shpejtë të mundshme. Dhe në funksion të kësaj, me një vendim të Këshillit të Ministrave në 1994 u sanksionua nisja e punës për krijimin e fizibilitetit për rrugën Durrës-Kukës. Pastaj më vonë dihet se për motive të njohura ky projekt nuk u realizua. Rihapet diskutimi nga ish kryeministri Majko që vuri edhe një taksë, shuma e së cilës përllogaritet deri diku tek 300 milionë dollarë dhe në funksion të kësaj duhet të niste puna. Fatkeqësisht në tetë vite qeverisje, këto para s’u përdorën as për të përfunduar projektin teknik. Këtu duket qartë se kishim të bënim me një përplasje mes grupeve të ndryshme në maxhorancën e atëhershme të PS dhe rezultati është që për 6 vjet taksa u mblodh dhe nuk u investua as për projektin teknik. Një mungesë e qartë vullneti politik e PS dhe një vullnet për të mashtruar edhe shqiptarët dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, pasi retorika për rrugën nuk pushoi asnjë moment, ndërkohë që nuk u ndërmor as një hap. As projekti teknik, mungesa e të cilit e bllokoi rrugën për 5-6 vjet.
Zoti Majko e lançoi rrugën në vitin 2002 kam përshtypjen
Taksa u lançua shumë më parë. Qeverisjet socialiste mashtruan për këtë projekt. Nuk bënë asgjë.
Përse lindi ideja e rrugës Durrës-Kukës?
Në fushatën e 2005, PD e cilësoi projektin e Rrugës si një projekt me rëndësi të madhe. U bë pjesë e pandarë e qeverisjes. Me 10 shtator 2005, ditën e dytë të qeverisjes, Banka Botërore organizoi një retret në Durrës, për koordinimin e projekte të qeverisë dhe donatorëve. Ishin të pranishëm të gjithë bankat që japin kredi të buta dhe kabineti qeveritar. Në këtë ditë, një sesion i veçantë iu kushtua infrastrukturës, ku i kërkuam BB dhe donatorëve të tjerë të na ndihmonin në realizimin e këtij projekti madhor, Durrës-Kukës.
Banka Botërore ka qenë kundër se mendonte se ky projekt nuk ishte fitimprurës
Do t’ju tregoj historinë. BB premtoi mbështetje për projektin. Kërkoi me ngulm që të tërhiqeshim nga një tjetër projekt i ndërmarrë nga ish-qeveria Nano, atë të trenit që do të lidhte segmentin Tiranë-Durrës. Ishim në një situatë të vështirë, nga një anë kishim presion nga kjo kompani “General Electrik”-u, por kishim edhe presionin maksimal te BB, perfaqesuesit e se ciles thoshin se nëse ju nuk e anulloni këtë projekt, ne nuk mund të flasim për prioritetet tuaja dhe për Durrës-Kukës. Në fund ne morëm vendimin pas tre muajsh të tërheqjes nga kontrata me General Electrik. Kur u tërhoqëm nga kontrata, biseduam me BB dhe i kërkuam ndihmë për Durrës-Kukës-Morinë. Përgjigjja ishte ok, por të shikojmë si do të bëhet, me dy apo me 4 korsi. Dukej qartë se po tërhiqeshin nga premtimi që kishin bërë. BB është një bankë e cila kryesisht financohet nga vendet në zhvillim, projektet e saj financohen me kredi të buta, në zbutje të varfërisë. Pra jo projekte gjeostrategjike. Kishte edhe faktorë të tjerë në lojë, që ishin gjeostrategjikë dhe disa herë një refraktarizëm ndaj idesë së Portit të Durrësit me Ballkanin, gjoja se do ndryshonte ekuilibrat gjeostrategjikë. Ekzistonte frika se disa porte të tjera të vendeve të tjera do rrezikonin. Ka pasur lobim brenda BB që ishte i qartë e i mirëdokumentuar nga zyrtarët shqiptarë, që kërkonte një marrëveshje midis Tiranës, Athinës dhe Beogradit, para se të ecej me një projekt që do të transformonte portin e Durrësit, me një peshë shumë të madhe në Ballkan. Duke parë rezistencën e BB ne bëmë dy hapa: Në mars 2006, shpallëm tenderin e rrugës Kalimash-Morinë, për të treguar se e bëjmë edhe me paratë tona, ndersa i thamë BB se nëse ata nuk marrin një vendim, ne do ecim vetëm pa të në ndërtimin e rrugës.
BB ishte refraktare për arsyet e kostos së rrugës apo për arsye gjeostrategjike si thatë?
Qëndrimi zyrtar ishte se një rrugë me parametra të tillë nuk futej në prioritetet e saj.
Kur ajo e quajti të parakohshëm pse Shqipëria e ndërmori një hap të tillë?
Shqipëria është një vend sovran dhe konsideronte aspektin gjeostrategjik, jo parametrin e BB për zbutjen e varfërisë. Ky është një projekt gjeostrategjik. Ne kishim vendim politik për ta përfunduar këtë projekt. BB në fund, pas një takimi në zyrën time tha dakord, është vendim politik, ok. Ne kërkojmë të ecni të asistuar me ekspertë ndërkombëtarë. Ramë dakord për të nisur procesin e prokurimit.
A mund ta ndërtojë Shqipëria një projekt të tillë me para buxheti?
Absolutisht po, ne me para buxheti po e ndërtojmë. Ishim të sigurt se do realizohej. Përllogaritjet ekonomike, tregonin se kjo rrugë kish leverdi ekonomike për Shqipërinë. Nisem nga studimet e ekspertëve. 2 ekspertë së fundmi bënë studime fizibiliteti ekonomikë në 3 vitet e fundit. Të dy arritën në përfundim se mosndërtimi i rrugës i sjell dëm vit për vit Shqipërisë prej 80 milionë euro. Ekzistenca e aksit rrugor do i sillte ekonomisë shqiptare 200 apo 250 milionë euro dhe pozicioni ekonomik tregtar dhe politik i Shqipërisë, karshi vendeve të rajonit, Kosovës në veçanti dhe Evropës, konfirmon leverdi në këtë rrugë disa herë më shumë. Të gjitha ngjarjet shpalosen në zhvillime të shpejta në Kosovë. Lidhja e Kosovës me një rrugë me parametra evropiane, për në portet detare të Shqipërisë, merrte një rëndësi puro strategjike. Ka një leverdi të qartë ekonomike dhe strategjike.
Në dy kompanitë që morët, një nga BB dhe një nga qeveria, për sa vite shlyhet kjo rrugë?
Sipas analizave, rruga ka një rikthim të vlerës së investimit në 14% në vit. Me vlerë quhet çdo projekt që arrin në 5%.
Si një projekt me kaq vlerë, pse asnjë kompani nuk futet për ta marrë me koncesion?
Të mos futemi në një terren spekulativ. Koncesioni është një figurë shumë e vështirë ligjore për t’u futur në një vend të vogël, me një numër të vogël automjetesh. Asnjë ndërtim rruge s’ka pasur sukses e leverdi në Ballkan dhe Evropë. Kërkon fluks të madh automjetesh. Ajo që kjo rrugë arrin është se nga Prizreni në Tiranë, një automjet do udhëtojë për 1 orë e 45 minuta në një kohë që tani është 5 orë.
Ju thoni se ska leverdi që rrugët të jepen me koncesion. Ndërkohë që ka një vendim nga qeveria Berisha për të dhënë rrugë e po jepet me koncesion, Tuman-Rrogozhinë?
Kam dyshimet e mia mbi këtë rast. Jam skeptik për suksesin e atij projekti. Më duket i parealizueshëm ndërtimi i një rruge me koncension.
Konkuruan tre projekte për rrugën Durrës-Kukës, përse u zgjodh projekti më i shtrenjtë dhe i vështirë me një tunel 5.7 km të gjatë?
Ka pasur tre versione. I pari që kalon në luginën e Drinit, i dyti Milot -Rrëshen dhe Kalimash-Morinë, dhe i treti është ky që shmang malet e Pukës. Nga këto tre versione këshilli teknik i rrugëve zgjodhi me unanimitet që në kohën e Majkos, zgjodhi të tretin.
Më i shtrenjti në investim në ndërtimin e një tuneli që është më i gjati në Ballkan.
Ka mundësi Shqipëria të ndërtojë një tunel të tillë?
Shkoni në Kalimash e shikojeni. Çdo dollar euro dhe lek që po hidhet në këtë rrugë do ta lajë veten shumë shpejt. Për çdo vit që rruga nuk ndërtohet, vendi ka humbje të mëdha të nivelit ekonomik dhe gjeostrategjik. Ndërtimi do të ndryshojë tërësisht Shqipërinë.
Pse për 3 vjet ndërtimi, të ishte në prag të zgjedhjeve elektorale?
Dy kanë qenë arsyet e marrjes së vendimit që rruga të ndërtohet për tre vjet. I pari për arsye ekonomike se humbja është e madhe, kur për çdo vit po nuk u ndërtua rruga humbja është e madhe. Së dyti, situata gjeostrategjike. Në pamundësi, nuk mund t’i thonim Kosovës prisni 4 apo 10 vjet. Por vullneti i qeverisë për ta ndërtuar sa më shpejt, i shërben interesave të Shqipërisë dhe të kombit.
A janë anashkaluar procedurat e tenderimit të shtetit shqiptar?
Absolutisht jo. Në bazë të ligjit të prokurimeve Këshilli i ministrave ka ushtruar funksionin në bazë të ligjeve dhe ka zhvilluar procesin e tenderimit më transparente që janë ndërmarrë ndonjëherë.
Ndërtimi i rrugs kërkon një projekt përfundimtar, pse nuk e ka ende, të paktën zyrtarisht rezulton se mungon. A mund të ndërtohet një rrugë pa projekt përfundimar?
Asnjë cm2 nuk po lëvizet apo investohet pa projekt. Mungesa e projektit Rrëshen kalimash ishte veprimi më kriminal i ish maxhorancës së PS. Bota perëndimore vepron sipas mënyrës projektim-ndërtim. Pra një rrugë ndërtohet pa u përfunduar tërësisht projekti. Është një mundësi që të jep rastin të fillosh dhe para se të përfundoj projekti, sepse koha është flori akoma më shumë kur bëhet fjalë për vepra publike. Kjo metodë përdoret për të korrur sa më shpejt rezultatin.
Keni idenë sa do kushtojë rruga?
Është e vërtetë, nuk dihet. Nuk ka asgjë të çuditshme, as kriminale. Është rrjedhoja e vendimit të marrë për ndërtimin e rrugës. Kemi një ide të përafërt se mund të jetë diku te 580-620 milionë euro. Detyra e qeverisë është të përpiqet ta mbajë koston nën kontroll.
Si do e mbani kur kosto e betonit që përdoret është disa herë më e lartë, kur nuk deklarohet TVSH-ja etj?
Janë të njëjtat shpifje, si të Ramës, që riqarkullojnë. Ata që kanë bërë këto shpifje do përgjigjen. Vlera e projektit është subjekt i dy kompanive që janë marrë. Procedurat që ka ndjekur Ministria e Transporteve dhe qeveria janë transparente. Kosto e rrugës nuk do të jetë absolutisht më e lartë se rrugë të krahasueshme me rrugë të ngjashme në Ballkan.
Çmimi synohej të ishte rreth 430 milionë euro para projektit, pas përfundimit të projektit çmimi është rritur 70% e vazhdon të rritet. A rrezikon të shkojë në 1 miliardë?
Po spekuloni mbi çështje teknike. Qeveria ka marrë masat për supervizimin dhe financimin e rrugës.
Kur nuk ka shifër të saktë sa do të kushtojë rruga, a nuk lë vend për abuzim?
Si mund të abuzohet, kur projekti bëhet nga projektuesit; një italian e një francez. Projekti ekzekutohet nga një firmë e zgjedhur me tender ndërkombëtar, supervizohet. Ku bëhet abuzimi këtu. Të lëshojmë fjalë në erë vetëm sepse prokuroria dhe segmente të Partisë Socialiste bëjnë sikur se kuptojnë, është kriminale. Nuk kemi shkelje të procedurave të shtetit shqiptar. Firma Ecorys u rekomandua nga BB u zgjodh me prokurim të drejtpërdrejtë, e qarkullon thashethemi se është një firmë holandeze dhe unë kam kryer studimet aty e ka konflikt interesi. U përzgjodh nga ekspertë të BB, nuk e njihja më parë si kompani. Opinioni publik është helmatisur me aludime se unë kam lidhje me të se kam qenë student në Holandë. Ka dëshmitarë fizikë, kryeekonomisti i BB që ta pyesë, nëse versioni im është i vërtetë apo jo. Prokuroria ska denjuar ta marrë në pyetje.
Në projektin teknik e paraqitur për Rrëshen-Kalimash, mungon oponenca teknike, që është detyrim ligjor?
Në ligjin për prokurorimin publik, në nenin 3 qeveria shqiptare, nxjerr vendim. Në këtë vendim thuhet se lejohet drejtoria e rrugëve të nisë projektimin me ritme të përshpejtuara. Mënyra e parë ishte mënyra klasike, mënyra e dytë me tender të drejtpërdrejtë, mënyra e tretë e prokurorimit përcaktohet nga neni 3. Ky vendim është ligji që është zbatuar pikë për pikë në këtë rast. Bechtel ka qenë një nga katër ofertuesit.
A ishte përzgjedhur paraprakisht firma Bechtel?
Kemi një procedure të qartë se çfarë përfaqëson kjo ofertë. Është përzgjedhur sipas një tenderi transparent. Kushtet i përcaktoi një komision i përbashkët ndërkombëtar. Ligji thotë 5 anëtarë të një jurie ndërkombëtare dhe nuk është e domosdoshme që të kishte një shqiptar.
Nuk mund të gjendej një tjetër?
Që ta zëvëndësosh duhet të bësh nje tjetër vendim të Këshillit të Ministrave.
Si shpjegohet që në dokumente shkruhet në gjuhën angleze, a është kjo një shkelje ligji?
Jo, nuk është një shkelje ligji. Kjo ka të bëjë me shkallën e ulët të mosbesimit tek sistemi gjyqësor shqiptar, për këtë arsye, investitorë të huaj zgjedhin një anë ligjore që parashikon një kontratë paanashmërie me sistemin shqiptar.
A janë çmimet njësi më të larta se ato të tregut?
Cilat janë çmimet-njësi normale të tregut?!
Për shembull, betoni, është më i lartë?
Është një gënjeshtër e pastër. Çmimet për njësi nuk janë ato që duken. Çmimi për beton nuk është vetëm aq, por edhe transport. Unë nuk e di ku e kanë gjetur këtë që është dyfish më i lartë. Çmimet për njësi, elementi që Qeveria shqiptare përzgjodhi, pika V e vendimit 481, kandidati i klasifikuar më me shumë pikë të ftohet për negociata, çmimet për njësi mund të jenë të verifikuara nga një palë e tretë që nuk ka lidhje me këto. Çmimi për njësi pas mbylljes së negociatave, ka qënë subjekt verifikimi nga një palë e tretë, është instituti slloven. Çmimet për njësi të kompanisë kanë qënë objekt rishikimi i një kompanie tjetër, atë e mori Banka Botërore dhe raporti cilësoi se janë të drejta dhe të arsyeshme. Mungesa e përvësoj së institucioneve shqiptare, mungesa e dëshirës për të parë që është ky është një prokurim unik, janë në taban çdo keqinterpretim i cili mashtron shqiptarët se kjo rrugë ka një humbje ekonomike. Jo vetëm që janë marrë të gjitha masat, por në përfundim të kësaj vepre kjo rrugë do të jetë ndërtuar me çmime optimale, të ngjashme në Ballkan dhe kudo tjetër në botë. Taksapaguesve nuk u është bërë asnjë dëm.
Ju po thoni se në këtë projekt nuk është vjedhur asnjë lek?
Unë po them që Qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat që ky projekt të jetë më transparent në historinë e vendit.
Këtë rrugë që ju po ndërtoni mund të ngelë në rrugën e Morinës, sepse me buxhetin aktual, palës kosovare i duhet 10 vjet për ta përfunduar, është e vërtetë?
Unë e njoh pak situatën, ka një avantazh, nuk ka një Qeveri që bllokon 8 vjet me radhë projektin, menjëherë pasi institucionet u ndërtuan, Ministria e Transporteve autorizoi projketin e plotë Merdare-Morinë. Një kompani që ka përdorur teknologjinë më të fundit dhe ka nxjerrë një vlerë të përafërt prej 1 miliard dollarësh, me një tunel të shkurtër rreth 1 kilometër. Ata e kanë të hapur rrugën, ky është buxheti i parë i Kosovës së pavarur, buxheti i tyre shkon 1.5 miliardë dollarë. Duke e parë që projekti është i përfunduar ato do ta kenë shumë më të lehtë të investohet edhe për pjesën tjetër të rrugës.
Ndërkohë që rruga po mbaron, porti i Durrësit ende është i papërfunduar, si mund të nxjerrë kjo fitimet kur nuk është shpenzuar në këtë port?
Duhen parë ambientet e ardhshme të portit, për momentin edhe për një periudhë 2-vjeçare do të përballojë shtimin e punës që do të ketë.
Cilat do të jenë portet që do të dëmtohen nga ky plan?
Kjo rrugë do ta bëjë shumë më të lehtë dhe të lirë, se sa çdo alternativë tjetër. Transportuesit bullgar llogarisin që do të kursejnë deri në 1 miliardë dollar në vit duke përdorur këto rrugë, në vend të kalimit rreth e qark të Egjeut për të dalë në Detin e Zi. Nëse është kjo atëherë imagjino sa miliarda euro mund të rikanalizohen nëpërmjet Shqipërisë.
Si shpjegohet që në këtë rrugë që qenka kaq fitimprurëse dhe që nuk qenka vjedhur asnjë gjë, prokuroria është kaq agresive me ju?
Le të themi cila është arsyeja që ky projekt i cili ka këtë leverdi në gjeo-strategjinë shqiptare. E para në valle është Edi Rama dhe jo prokuroria shqiptare.
Cili është interesi?
Interesi është i shumëfishtë...
Që është?
Së pari, rruga Durrës-Kukës bashkon shqiptarët, por edhe ndan disa shqiptarë nga shqiptarët e tjerë.
Çfarë do të thotë kjo?
Njerëz që në vijën e tyre politike, korrupsionin dhe vjedhjen e kanë pasur metodë pune 8 vjet në pushtet, kjo vepër i nxjerr lakuriq përpara shqiptarët. Që do të thotë nëse ne për 3 vjet arrijmë ta mbarojmë rrugën pse ata në 8 vjet se bënë dot? Kjo do të thotë nëse dikush ka qenë kryetar bashkie dhe ka pastruar parqe e kioska, dhe ato i ka pastruar me paratë e Ilir Metës, nuk ka më faqe të dalë përpara shqiptarëve, një njeri që ka prerë çdo 100 metra nga 10 herë. Kjo rrugë e nxjerr para shqiptarëve lakuriq Edi Ramën si bllofist. Karrierën e tij politike e ka bërë me një marketing shumë të shtrenjtë që është paguar nga paratë e shqiptarëve. Ky është elementi politik
Nuk po ju sulmon Edi Rama, po ju sulmon Prokuroria e Shqipërisë, ka një ekspertizë të KLSH, opozita thjesht ka bërë publike...
Opozita është ajo që ka nisur këtë rrugë. E dyta është ajo që ka pasur gjithmonë një bashkëpunimin tim, prokuroria ka zgjedhur të injorojë dhe të kryejë në mënyrë të pafalshme një hetim. Zoti Edi Rama dhe mercenarët e tij kanë një pjesë të madhe të përgjegjësisë.
Thatë që keni një lidhje emocionale me këtë rrugë, çfarë do të thotë kjo?
Nuk bëhet fjalë për lidhje financiare, besoj se është e qartë që çdo aludim në këtë rrugë është prodhim artificial fushatash politike. Para disa ditësh festuam 28 nëntorin, këtu u kujtuar si dita e Pavarësia, një referencë më herët është Skënderbeu dhe referenca e tretë është ditëlindja e Adem Jasharit në Kosovë. Për mua personalisht ka një referencë tjetër personale, me 28 nëntor 1932 gjyshja ime ka shkelur në Tiranë për herë të parë. Ky është fakt që më ka bërë të ditur në ditët e fundit të saj. Ata janë përzënë nga qyteti i Pejës. Në Tiranë ajo do të takonte gjyshin tim. Si prodhim i sime mëjë edhe unë jam pjesë e kësaj historie të tmerrshme të Kosovës. Nuk mund të imagjinoja dot kurrë në jetën time se Zoti do të ishte kaq bujar me mua që të më jepte mundësinë në një moshë kaq të re të isha pjesë e dy ngjarjeve kaq madhore siç janë pavarësia dhe ndërtimi i rrugës. Çdokush që mendon se këto sulme ka një kosto dhe punë, gabohet.
A keni ju mbështetjen e plotë të kryeministrit në këtë hetim?
Absolutisht.
A keni frikë se mund të dënoheni deri me heqjen e lirisë për këto shkelje?
Nuk kam asnjë fije frikë. Ju thashë edhe njëherë, njeriu nuk mund të mohojë atë që është.
Sot pas projektit të kësaj rruge, a jeni ju personalisht zoti Basha më i pasur se sa keni qenë 3 vite më parë kur erdhët në Qeveri?
Jo zoti Fevziu, qeveria shqiptare nuk arrin të paguajë akoma aq mirë sa Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe unë që nga angazhimi im politik kam një rënie të të ardhurave.
A jeni të hapur zoti Basha?
Absolutisht që jam i hapur, kam detyrimin tim moral që të hetohem nga kushdo dhe kush të dojë. Këtë angazhim e kam shprehur që nga bërja publike e pasurive të mia.
...