Ina Rama, e kapur peng nga emërimi 200 mijë eurosh i Arjan Ndojës
Edhe pse i është komunikuar zyrtarisht largimi nga kryeprokuror i Durrësit, Arjan Ndoja vijon sot e kësaj dite të ushtrojë të njëjtat funksione, për shkak se ai mbetet një person konfidencial i kryeprokurores, e cila s’guxon ta shkarkojë si prokuror, por pret rastin që të njoftojë rikthimin e tij në detyrë, sapo të bjerë vala e zemërimit të opinionit publik
Ina Rama e kapur peng nga 200 mijë euroshi “i qarkulluar” në emërimin e Arian Ndojës në krye të Prokurorisë së Rrethit të Durrësit, vazhdon ende që në mënyrën më të mundshme institucionale, të njohë dhe komunikojë me atë si kryeprokuror. Zhurma mediatike, ku edhe vetë Arian Ndoja u bë pjesë e saj dhe na komunikoi një dorëheqje televizive, i shërbeu vetëm ditës së kësaj deklarate, përderisa ende sot në krye të qytetit bregdetar, vazhdon të paktën (jo vetëm) “de facto”, të jetë ish-avokati, që për më se dy muaj në krye të Prokurorisë së Rrethit të Durrësit dhjetëfishoi pasurinë e tij. Aq e sigurt është kjo, sa Ina Rama, nuk ka guxuar që për të provuar të kundërtën, të gjejë qoftë edhe një tjetër emër formal që të paktën, ta komandojë në vend të Arjan Ndojës, në krye të Prokurorisë së Rrethit të Durrësit. Për pasojë, për aq kohë sa nuk ka konfirmim zyrtar për pranimin e dorëheqjes së Arian Ndojës dhe më tej akoma, për aq kohë sa nuk kemi një tjetër emër të mundshëm, për zëvendësimin e tij qoftë edhe provizor, nuk ka asnjë arsye tjetër, që të besohet se 200 mijë euroshi “i qarkulluar” për emërimin e kryeprokurorit të Durrësit, të ketë pësuar zhvlerësim.
Në këto kushte, sinjalet që vijnë edhe nga Prokuroria e Rrethit të Durrësit, tregojnë se “personi i kontaktit” që Prokurorja e Përgjithshme, jo vetëm institucionalisht, njeh dhe konsideron në këtë institucion të këtij qyteti bregdetar, është Arian Ndoja. Ai mbetet personi i saj konfidencial, ai duket se është garanti i “status-quo”-së e kjo situatë mbetet edhe përpjekja meskine që të kalohet lumi i irritimit të publikut, për të komunikuar më vonë edhe rikthimin në funksion të tij.
Afërmendsh, afera e “qarkullimit” të 200 mijë eurove, në këmbim të emërimit të Arian Ndojës në krye të Prokurorisë së Rrethit të Durrësit, ka në “themel” të saj një shumë që nuk mund të mos merret në konsideratë dhe se për kompensimin mundshëm të saj, është e mjaftueshme që me një deklaratë dorëheqje në shtyp, por të pakonfirmuar se pranohet, gjërat të vazhdojnë të qëndrojnë në pozita të pandryshueshme, Kjo do të thotë, që Arian Ndoja, të jetë ai Ariani që di të dhjetëfishojë pasurinë për më pak se tri muaj dhe për këtë “të mos i hyjë gjemb në këmbë”, për aq kohë sa ai të ketë mbrojtje që duhet të bëjë çdokënd ziliqar, sikurse është Ina Rama, Prokuroja e Përgjithshme që me sa duket e ka më shumë se të shenjtë, zëvendësimin, qoftë edhe me një emër të komanduar, të kryeprokurorit të Durrësit, Arian Ndoja....