Arabia Saudite mbështet Kosovën për shtimin e njohjeve

Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, është takuar me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Princin Saud Al-Faisal.
Duke e falënderuar homologun e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëria e Arabisë Saudite, Hoxhaj e ka informuar atë edhe për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës për njohjet e deritanishme, për anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme politike, ekonomike dhe kulturore, si dhe për vendosjen e marrëdhënieve të mirëfillta me fqinjët.
“Po ashtu kam falënderuar për qëndrimin shumë favorizues të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe në forcimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës në botën arabe”, ka deklaruar Hoxhaj.
Nga ana tjetër, Princi Saud Al-Faisal ka thënë se ai personalisht dhe Mbretëria e Arabisë Saudite kanë përcjellë për një kohë të gjatë zhvillimet politike në Kosovë, luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Prandaj, Kosova është një shtet shumë i njohur për qytetarët e vendit të tij.
Të dy ministrat janë dakorduar që do të nënshkruhet një marrëveshje kornizë në mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Kosovës.