E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arallamb Kotoni: Libri është kthyer çështje marketingu



Ne i jemi afruar një prej stendave të librave në kryeqytet, atë që prej kohësh ndodhet në rrugën “Myslym Shyri”, për të mësuar se ç’kërkojnë lexuesit këtë verë. Por jo vetëm. Cilat janë sugjerimet e librarëve (dy vëllezërve Kotoni) që më shumë se njëherë, ndodh të ta lexojnë mendjen vetëm duke të parë tek vështron titujt e radhitur te stenda. Arallamb Kotoni, ka më shumë se 8 vite që pret e përcjell kalimtarët, qofshin ata të rastësishëm apo jo, në stendën e tij. Teta, është numri i viteve që është vendosur në një vend, sepse historia me librin ka nisur shumë vite më parë. Atëherë kur ai vetë, ende emocionohej tek zhytej për orë të tëra në historitë e romaneve a librave historikë. Tani, nga pasioni i hershëm kanë mbetur fare pak gjëra, vetëm ndjesia ngacmuese e një titulli të ri, gjithë pjesa tjetër ka marrë formën e rutinës së përditshme të punës.

Dilemat për të zgjedhur një titull, nuk të zënë shumë kohë te Arallambi. Që në momentin e parë që libri i ka rënë në dorë, ka bërë shfletimin e hollësishëm të tij, përvetësimin e subjektit, aq sa është i gatshëm të ta përcjell, edhe nëse kurioziteti e kalon kufirin e tre apo më shumë librave. I është kthyer në një praktikë punë qysh pas viteve ’90, kur nisi të merrej me shitjen e gazetave (i mbetur si shumëkush pa profesion). Së pari ishin vetëm këto të fundit që i ranë ndër duar, e mandej, tek koha kalonte, një nga një u shtuan edhe librat e parë. Jo se ishte kaq e rastësishme. Familja e tij e kishte pasur gjithnjë lidhjen e hershme. I ati kishte punuar gjithë jetën korrektor në një shtëpi botuese, kështu që gjithë fëmijëria e tij ishte rritur me rrëfenja e fabula librash, i vëllai gjithashtu e shkonte dhe e investonte kohën duke shkruar, përkthyer a lexuar. Vetëm se ai vet, kishte ndenjur deri në kufirin e shijimit të një leximi apo dëgjimi prej të atit. Që të kthehej në mënyrë jetese nuk e pat menduar. Më pas, tek merrej me libra e gazeta përditë, ndiente t’i rritej dëshira për të mësuar e shfletuar sa të mundte. Vendosi që të investoj edhe më tej. Në vitin 1997, u largua drejt Greqisë për të nisur studimet për Kulturë të vjetër dhe të re helenistike. Qëllimi i vetëm ishte formimi vetjak që do të ishte padyshim edhe në dobi të punës që po e priste, atje ku e kishte lënë, në Shqipëri.
Ashtu ndodhi, entuziazmi i kohëve të para pas kthimit ishte thuajse ai i kohës së shkuar. Vetëm se me shtimin e titujve e emrave që shfaqeshin përditë në shtyp e në librari, sikur binte, aq sa ta kthente pasionin e 30-vjeçarit të dikurshëm në profesion.
Edhe sot, Arallambi është i zhveshur nga lidhjet emocionale me librin. Aq sa nuk preferon as të tregojë për titujt më të palyer apo më të shitur. Sipas tij është e gjitha çështje marketingu. Ai libër që ekspozohet më tepër në media, ai është më i shituri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›