E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashke apo vetem?

Fëmijët në moshën e adoleshencës, shpesh, varin turinjtë kur babit ose mamit i ka shkrepur në kokë një ‘ide brilante’: të shkojnë me pushime vetëm ata të tre. Shumica prej tyre refuzojnë, madje duke rrezikuar edhe të qëndrojnë në shtëpi gjithë ato ditë të nxehta. Po me personazhet tanë ndodh? A rebelohen ata ndaj dëshirave të prindërve? Le t’i zbulojmë...

Kohë pushimesh për të gjithë. Aq sa duhet ta besoni se është shumë e vështirë të gjendet një personazh në Tiranë. Me të formuar numrin e personazhit që kërkon të pyesësh, tek zilja zgjatet e zgjatet, shpreson deri në fund që zilja të ndërpritet e nga ana tjetër të dëgjohet një zë. Me disa, kështu ndodh. Por në vend që të jetë zëri i plotë e i qartë, siç gjithnjë e kanë aktorët a këngëtarët, dëgjohet zhurmnaja e erës. Fjalët vijnë të ndërprera, të zorshme, aq sa një fjali nuk mund të formohet e plotë. Dikush është në plazh, dikush tjetër sapo ka hyrë në aeroport e nga çasti në çast, telefonin nuk do ta ketë më të hapur, një tjetër mbi det, në traget... Vetëm për orën dhe telefonin që nuk do t’ia dijë askush në këto ditë përvëluese gushti.
Megjithatë, përpara largimit harrestar, është një fazë tjetër në shtëpi. Ajo e diskutimeve të gjata. Jo të tipit ‘a ta marrim edhe frigoriferin shëtitës’ apo ‘ për lopatat e detit nuk kemi më vend’, jo. çështja është pak më madhore. Janë të shumtë prindërit që i ka marrë malli t’i kenë fëmijët me vete në pushime. Ata, nga ana e tyre, ndofta as e ndërmendin një gjë të tillë, duke rendur drejt aventurës së radhës, po gjithsesi, një diskutim i vogël, një herë me zë të plotë e një herë me gjysmë zëri, tentohet. Ata që i kanë kaluar të 18-at, e sidomos nëse janë meshkuj, vështirë se mund të japin një përgjigje pozitive. Madje duhet të jesh me fat edhe që ta marrësh një përgjigje. Ka edhe nga ata që, në mungesë të të ardhurave, mendojnë më mirë të rijnë në qytet se sa të bashkohen me prindërit në det.
“Qysh nga fëmijëria”, sugjeron një psikiatër, “fëmijët janë mësuar të rriten në grup dhe kur kthehen në shtëpi e gjejnë grupin përmes celularit dhe facebooku-ut. është e qartë që të ndodhesh i izoluar pa lidhje teknologjike, dhe me orë boshe, i bën ata të ndihen pa një vend të tyre. Kështu që gjithnjë është më mirë deti se sa orët e vetmuara”. Shpesh adoleshentët pohojnë që dëshira e tyre e vërtetë është të ndenjurit në shtëpi. Në këtë rast, njw gabim i madh i prindërve është organizimi i pushimeve, sikur fëmijët e tyre të ishin ende të vegjël. Ndërsa adoleshentët kanë nevojë për socializim. Një këshillë mund të ishte të merrnin me vete një mik a mikeshë të fëmijës, ose të organizoheshin duke e zgjeruar rrethin e pjesëtarëve, pra të kishte alternime moshash. Në këtë rast, asnjëri prej të dyve nuk do ta ndiente veten as të lënë mënjanë e as të papërfshirë në bisedat e tjetrit. Kur je dy, ndihesh më i fortë dhe më i hapur ndaj botës. Vendi ideal ku mund të shkojnë është atje, ku të ketë gjëra për të bërë, ku përveç notit në det, të ushtrojnë edhe sporte të tjera, ose më mirë, lërini të jenë vet ata që të zgjedhin mes pushimit pasiv dhe aktiviteteve sportive. “Mërzitja, te adoleshentët është një gjendje e brendshme, e cila nuk mund të zbehet nga asgjë. Por një kohë pushimi e pa sforcuar, gjatë së cilës është mundësia për të krijuar e shijuar përvoja të reja, mund të jetë kura më e mirë ndaj turivarjeve të pashpjegueshme të adoleshentëve.
Ne kemi pyetur disa prindër për marrëdhëniet me fëmijët gjatë kohës së pushimeve. Ata që janë në moshën e adoleshencës, në pjesën më të madhe të rasteve (thuajse gjithmonë vajzat) u bashkohen prindërve kudo që ata të vendosin të shkojnë. Me meshkujt asnjëherë nuk është asgjë e sigurt. E sidomos nëse fazën më delikate e kanë kapërcyer. Ata që kanë kaluar të 20-at i kanë përshëndetur prindërit me kohë. E shumta, një telefonatë mund t’i mbajë pranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›