E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Golemi me një ekspozitë posaçërisht kushtuar Beratit



Izaura Ndoj

Piktori Arben Golemi ka hapur në galerinë e artit “Kledio” ekspozitën, e cila përmban 30 tablo pikture me titullin “I love you”. Qyteti i Beratit është sjellë nga piktori në përmasa të mëdha në kuadrin e një pikture si dhe përcjelljes së ngjyrave potente. Edhe në këtë ekspozitë personale të tij, ku punët kryesore i përkasin pesë gjashtë muajve të fundit, Golemi me 30 vepra, kryesisht në vaj kanavace ka sjellë gjithashtu edhe peizazhin, ku vjeshta dhe pranvera janë stinët që reflektohen më shume. Ekspozita personale e piktorit Arben Golemi do të qëndrojë e hapur në galerinë e artit "Kledio" deri në datën 17 prill. Janë mbi 30 punime në pikturë, që për dy javë do të qëndrojnë në hapësirën e kësaj galerie arti, duke bërë të mundur që vizitorët të kenë mundësi të njihen me historinë, traditën dhe kulturën shqiptare. Në një prononcim të dhënë për gazetën piktori Arben Golemi theksoi se “ Kjo ekspozitë më titull “I love you” i kushtohet vendlindjes time Beratit. Berati padyshim që është laboratori im dhe qyteti ku mbështetet një pjesë e mirë e pikturës time. Një pjesë e mirë e motiveve të pikturave të mija unë i marr nga Berati”. I pyetur rreth veçantisë së kësaj ekspozite ai tha se “Në ndryshim nga ekspozitat e tjera kjo ndryshon në faktin se kjo ekspozitë i është kushtuar veçanërisht vetëm Beratit. Të gjitha pikuarat janë të realizuara në vaj kanavacë, ky është një cikël pikturash të pesë muajve të fundit”. Një falënderim të veçantë ka Galeria Kledio pasi na ka dhënë të gjitha mundësit për të ekspozuar punimet tona. Ky cikël pikturash që përbëhet nga 30 piktura rrinë mirë me njëra tjetrën. Kjo ekspozitë është një ekspozitë e përvitshme pasi si të thuash e kam obligim të jetës time kulturore. Kjo është një ekspozitë personale e imja por në këtë galeri kam hapur edhe disa ekspozita të tjera së bashku me miqtë e mijë të tjerë”- cilësoi Golemi. Artdashësit e pikturës mund të gjejnë në ambientet e galerisë “Kledio” punime të ndryshme të realizuara me mjeshtëri nga piktori Arben Golemi. Si në të gjithë vendet e botës, që e kanë kuptuar që turizmi dhe kultura janë të lidhura fort me njëra-tjetrën, dhe në këtë ekspozitë janë prezantuar punime, të cilat paraqesin disa nga vlerat më të rëndësishme kulturore të vendit tonë. Piktori Arben Golemi në këtë ekspozitë ka paraqitur disa peizazhe të natyrës, dhe si gjithmonë disa punime nga qyteti i Beratit dhe që i kushtohen qytetit të Beratit. Çmimet e pikturave në këtë ekspozitë janë të tilla, që vajojnë nga 1500 euro deri në 20 000 euro për një vepër pikture.

Pascal Gallet, dje në Akademinë e Arteve

Një koncert recital ka zbritur mbrëmjen e djeshme në skenën e Akademisë së Arteve, realizuar nga pianisti francez, me famë botërore, Pascal Gallet. Janë dy në fakt evenimentet që e kanë sjellë para publikut shqiptar këtë artist. Pianisti vjen në Tiranë, me rastin e Pranverës Frankofone, por edhe vitit të Shopen, e ndërkohë që mbrëmjen e djeshme ai i ka dhuruar emocione të veçanta gjithë admiruesve të muzikës klasike, në kryeqytet e më gjerë. Mund të thuhet se mbrëmja e djeshme dhe prania këtij artisti në vendin tonë është një ditë e veçantë për njohësit e muzikës. Repertori i Gallet në Tiranë ishte i përbërë nga pjesë të zgjedhura e tejet të ndryshme e të larmishme nga ky kompozitor. Por duhet theksuar se këtë repertor e pasuronin edhe klasikët si Bach, Debussy, Messiaen, Sancan, Jolivet etj. E në fakt ardhja e Gallet në Tiranë ishte bërë e ditur ditë më parë si nga organizatorët e Pranverës Frankofone, ashtu edhe me rastin e organizimeve të shumta artistike e kulturore për vitin e Shopenit. Ky koncert mund të konsiderohet si një eveniment për Tiranën muzikore. Pianisti Pascal Gallet u lind në Savoia dhe ka realizuar koncerte që në moshën 10 vjeçare, ku prej këndej ka njohur vetëm suksese. Profesionalizmi i tij, ndërthurur dhe me cilësitë organizative e ka bërë që prej vitit 2001, ai të jetë edhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar "Piano à Fontmorigny" që zhvillohet çdo vit në Cher. Pianisti francez është vlerësuar tepër edhe nga kritika. Kështu p.sh., Alain Lompech, kritiku muzikor i gazetës “Le Monde” mbi sonatën e 2-të të Chopin të interpretuar prej Gallet, ka thënë: “Sonata, e krahasuar me emra të mëdhenj si Alfred Cortot, Serge Rachmanino, Martha Argerich, Nelson Freire, është një version i shkëlqyer, me gusto të ekuilibruar dhe pa miniera”. Në vitin 1987, ai merr një çmim të parë, që e shtyn të vijojë më tej udhën drejt muzikës. Gallet ka realizuar disa turne nëpër vende të ndryshme të botës, si Kanada, SHBA, Meksikë, Itali, Spanjë, Zvicër, Serbi, Kinë, Tajvan, Japoni, Brazil etj. Ai ka interpretuar dhe interpreton në salla të njohura si Gaveau, Theatre du Chatelet, Salla Moliere dhe Opera e Lionit, ku ka luajtur edhe krah personaliteteve më të njohur të muzikës franceze dhe ndërkombëtare. Pascal Gallet ka në repertorin e tij edhe shumë krijime të kompozitorëve bashkëkohorë si Thierry Pecou, Henri Fourrès, Uidmann, Sciortino, Dequing, Jevtic. Duke pasur parasysh bagazhin e tij, ai është zgjedhur të japë mësime të rregullta në një konservator kombëtar. Ndërkohë që artisti Gallet ka qenë dhe më parë në Tiranë. Para disa kohësh në skenën e Akademisë së Arteve i ftuar nga “Cameratatirana”, Pascal Gallet i konsideruar nga kritika ndërkombëtare si një nga më të famshmit e brezit të tij erdhi për një koncert. Në program ishin vepra të njohura nga Janacek, Messiaen, Chopin. Dirigjent i ftuar i këtij koncerti ishte z.Zhani Ciko. E ndërkohë që, dy evenimentet në fjalë, pra viti i Shopen dhe pranvera frankofone kanë sjellë e do të vijojnë të gjallërojnë jetën artistike të kryeqytetit, me aktivitete të ndryshme kulturore e artistike, përfshi këtu koncerte, ekspozita apo takime të veçanta e projektime filmash.

Bulevardi "Dëshmorët e Kombit” nën tingujt e 100 instrumentistave

Një vit pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një nga arritjet më të rëndësishme të historisë shqiptare, qytetarët kanë festuar mbrëm me një koncert të madh, ku për herë të parë në një skenë të hapur në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", kanë luajtur bashkë në një orkestër frymore plot 100 instrumentistë, të okestrave të Teatrit të Operas, të orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar, dhe asaj të Akademisë së Arteve. Nga kjo skenë e ngritur në shëtitoren mes Presidencës dhe Pallatit të Kongreseve janë dhënë mesazhet e një feste mbarëkombëtare, në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes nën kujdesin e vetë kryeministrit Berisha. Programi i koncertit u dirigjua nga nën kolonel Halim Teqja, dhe ka nisur me Sinjalin e NATOS, për të vijuar më pas me Himnin Shqiptar, këngë të njohura shqiptare si dhe uvertura të rëndësishme botërore si Vilhelm Tel e Rosinit, Romeo e Xhuljeta e Gunose, Aida e Verdit për t'u përmbyllur me këngën himn “Dua më shumë Shqipërinë”, që ka pushtuar bulevardin e kryeqytetit mbrëmjen e sdjeshme.

3 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›